Kryesore

MAPO WEEKEND/ Lela: Opozita la gjithçka, të huajve u duhet pak kohë t’iu dalë ‘narkoza’






               Publikuar në : 09:41 - 23/02/19 |
mapo.al

Flet Alfred Lela, analist, drejtor i “Politiko.al”


Jemi përpara një akti politik ku opozita në bllok dogji mandatet e deputetëve. Çfarë do të ndodhë tani dhe në vijim, përse opozita arriti në këtë akt ekstrem? Kemi një Parlament “monopartik”, ndërsa qeveria duket se nuk do të tërhiqet dhe të marrë në konsideratë kërkesat e opozitës. A rrezikon vendi kalimin në kaos?

Në fillim vjen ngecja. Kjo ka qenë tradita e krizave në Shqipëri: kur është dashur një dalje emergjente ka patur përherë vonesa të paarsyeshme, kryesisht nga palët me më shumë pushtet. Në këtë traditë qeveria nuk do të ngutet për të rikthyer ‘kornizat e prishura të paqes dhe pajtimit’, të kushtetutshmërisë, të natyrshmërisë dhe as legjitimitetin tashmë të cungët e të humbur të Kuvendit. Si gazetar, jam në dijeni të telefonatave, sms dhe përçapjeve të tjera që kryetari i grupit parlamentar socialist dhe eksponentë të tjerë të pushtetit, po bëjnë me qëllim bindjen e atyre që janë në lista poshtë kandidatëve të PD, kryesisht nga parti aleate, por edhe ndër demokratët. Në një rast u ka funksionuar edhe me ata që ishin në Kuvend si pjesë e opozitës, ish-deputetin demokrat, Murrizi. Ngecja vjen edhe si pasojë e ‘mpirjes’ që ka shkaktuar veprimi ‘brutal’ i opozitës (Rama nuk e priste që opozita të digjte mjetin e fundit), por edhe përpjekja për të fituar pikë politike me anë të propagandës. Ti mund ta zgjidhësh krizën duke pranuar një negociatë të shpejtë, por bashkë me ofertën e zgjidhjes je duke pranuar edhe fajin. Pas ngecjes do të mbërrijnë tratativat ndërkombëtare. Edhe të huajve do u duhet pak për të dalë nga ‘narkoza’. Në fund palët do të ulen dhe do të gjejnë një zgjidhje, e cila çuditërisht do të ketë edhe më shumë lëshime se kërkuan ndërkombëtarët fillimisht. Shqiptarët e kanë të vështirë të ulen, por po zunë vend dinë të tregohen ‘kavalierë’. Ose më saktë iluzioni dhe lëbyrja që u jep pushteti i një ‘negociate të madhe’ i bën të lëshojnë pe. Është si pas një dreke kur burrat shqiptarë i hidhen njëri-tjetrit në fyt se kush e paguan. Është një lloj mburrjeje e shoqëruar me një kompleks faji. Nuk shoh kaos, pasi kjo është gjendja natyrale e shqiptarit dhe Shqipërisë dhe sidomos e teatrit politik. Them se jemi para shumë të panjohurave, të cilat bëhen edhe më shumë të paparashikueshme nga shtrëngesat kohore. Në katër muaj janë zgjedhjet lokale dhe duhet gjetur një mekanizëm shpëtues për to. Ndërkohë në katër muaj pak gjëra mund të bëhen si duhet në Shqipëri, aq sa për të thënë, pas zgjedhjeve të qershorit, se parametrat qenë të duhurit. Kjo për të mos përsëritur skenën e ‘mosnjohjes së zgjedhjeve’.

Përpara janë zgjedhjet lokale, vendi pret vendimin e BE-së për çështjen e negociatave, ndërsa kjo i shtohet edhe një pakënaqësie popullore me protestat që nisën nga studentët, vijuan me banorët e Unazës së Re dhe u përmbyll me opozitën. Reagimet erdhën për shkak të keqqeverisjes, disa skandale të dyshuara korruptive, arrogancës…, apo qytetarët janë të zhgënjyer dhe po i bashkohen çdo tubimi kundër qeverisjes?

Nuk duhen parë si të shkëputura nga njëra-tjetra. Ngjarjet e gënjyen Edi Ramën duke i krijuar iluzionin, me anë të sondazheve të rregullta që ai zhvillonte, se a-ose ishte krijuar një pandjeshmëri në publik, ose b-njerëzit e adhuronin atë. Kësaj mund t’ia atribuoni edhe shprehjet “sa të jetë PS (lexo: Rama) shqiptarët nuk do t’ju votojnë kurrë”, e të tjera. Publiku i kohëve të reja ka një tjetër mekanizëm reagues dhe ai është vështirë i dallueshëm. Ky ‘mekanizëm i fshehtë’ çoi në suksesin e Donald Trump në Amerikë. Kështu që janë të gjitha ngjarjet, por edhe të gjitha durimet e publikut të kthyera më në fund në padurim. Protesta e 16 shkurtit duhet lexuar si fundi i durimit. Nëse shihje me vëmendje te veprimet e ‘dhunuesve’ të Kryeministrisë, aty kishte më shumë frustrim (ndrydhje) se sa dhunë.

Opozita, bashkë me aktin e djegies së mandateve, ka lënë në “tavolinë” edhe kërkesën për krijimin e një qeverie kalimtare (teknike) dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. A mendoni se ky opsion do të jetë i mundshëm dhe qeveria Rama do e marrë në konsideratë për shkak të situatës së krijuar?

Qeveria tranzitore (e ndërmjetme) është më e mira e të dy botëve, si me thënë. Me anë të këtij kushti opozita po thotë ‘nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, por krijimin e mjedisit për garë të barabartë’. E shoqëruar kjo me aktin e dorëzimit të mandateve, i cili është parë vetëm në anën e jashtme të tij, pra atë të tronditjes së një akti të fortë dhe të paprecedent, dhe jo në atë të brendshme. Ana e brendshme ka të bëjë me atë se opozita, duke lënë mandatet ka dorëzuar imunitetin, privilegjet dhe një karkasë mbrojtëse. Opozita ka realizuar kështu dy etapat e para të një lëvizjeje të suksesshme politike, ndërprerjen (disruption) dhe sakrificën (djegien e mandateve). Rezistenca në kohë është e treta dhe këtë duhet të kërkojë ajo prej vetes, një qëndresë para trysninë së kohës dhe ndërkombëtarëve. Ajo është e mbrojtur nga sakrifica e cila, duhet thënë, ia ka rritur pikët në publik. Qeveria Rama nuk është në kushtet e luksit të vazhdimit e vetme në këtë rrëpirë që ka shkaktuar djegia e mandateve. Nëse opozita shihet si ‘mistrece’ nga të huajt, nuk është se qeverisë nuk i dihen të zezat. Me këtë rekord që ka qeveria e tij, Rama nuk mund të predikojë gjatë korniza kushtetutshmërie, legjitimiteti, virtyti politik, e me radhë. Në fund të fundit, opozita ka lëshuar gjithë çka mund të lëshonte dhe, gjithmonë, qeveritë kanë më shumë për të lëshuar. Mbi këtë filozofi kam përshtypjen se do të zhvillohen ndërmjetësimet. Nëse Rama mendon se falli i sondazheve i del edhe në jetë, pse të ketë frikë të pranojë një qeveri të ndërmjetme dhe të fitojë pas tyre duke i mbyllur gojën opozitës ‘mistrece’. Nëse ‘precedenti’ është pengesa, askush nuk e beson. Qoftë edhe për faktin se, z. Rama do të mund ta përdorte edhe vetë këtë ‘precedent’ po t’i lindte nevoja në të ardhmen.

Faktori ndërkombëtar, deri më tani i ka kërkuar opozitës të mos djegë mandatet në bllok dhe të distancohet nga çdo akt dhune. Ky “sugjerim” ndërkombëtar si mund të lexohet? Ka zëra se ky akt i opozitës mund të çojë në “asgjësimin politik” të saj, por kjo nismë ekstreme, a mund të marrë përpara edhe qeverinë dhe Edi Ramën?

‘Asgjësimi politik’ mund të ndodhte në rastin e një ‘opozite pa popull’. Nuk më duket ky rasti, gjykuar nga 16 shkurti dhe as nëse mbledh votat që të gjitha partitë e opozitës kanë marrë në zgjedhjet e fundit. Pak i ndan dy grupet politike, edhe nëse nuk merr në konsideratë asnjë prej ngjarjeve të ndodhura gjatë vitit të fundit, ku sundojnë skandalet korruptive. Do të ishte naivitet të flisje për asgjësim. Siç është gomarllëk që të sajosh një ‘opozitë pa popull’ siç sugjerojnë terxhumanët e qeverisë në shtypin e tyre tabloid. Manteli i opozitarit, që mbështetet nga ndërkombëtarët, hedhur përmbi supet e Blushit, Topit, Bojaxhiut etj., është diversion për ‘pesë pare spec’, por jo mendim politik. Po kaq pak i besoj edhe ‘zhdukjes’ së Ramës dhe PS nga skena politike. Jemi shoqëri tradicionale, konservatore dhe, antropologjikisht, nuk e interpretojmë dhe as e mbajmë dot këtë këmbim tak-fak të luajaliteteve politike që disa e kanë në kokë sa për sport apo si dëshirë personale. Historia jonë, që nga koha e pluripartizmit të Ahmet Zogut na tregon një spektër me dy kahje, me një dikotomi të ashpër politike. PD dhe PS janë dy parti logjikat e të cilave mund të kërkohen te Partia Përparimtare dhe ajo Popullore e viteve ’30.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas