Flet ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo
Pas situatës së krijuar në Shqipëri, në vend kanë mbërritur ata që media po i quan si ‘vala e parë e ndërkombëtarëve’. Bëhet fjalë për disa eurodeputetë. Si e lexoni qëndrimin e tyre? Disa thonë se kjo krizë kërkon një tjetër nivel reagimi. Ju si mendoni?
Parlamentarët europianë që erdhën në Tiranë dhe zhvilluan bisedime me aktorët kryesorë politikë shqiptarë nuk ishin thjesht disa eurodeputetë, por një delegacion i strukturuar i Komisionit të Jashtëm, vizita e të cilit ishte parashikuar prej kohësh në kuadrin e monitorimit të plotësimit të kushteve që i janë vendosur Shqipërisë për të hapur negociatat për anëtarësim në BE në muajin qershor.
Ky delegacion u ballafaqua me një situatë të paparashikuar në Shqipëri siç ishte dorëzimi i mandateve parlamentare në mënyrë të pakthyeshme nga opozita. Ky fakt e bëri vizitën e delegacionit evropian edhe më të rëndësishme sepse risolli në agjendën shqiptare edhe një çështje tjetër shtesë, madje më të rëndësishmen, stabilitetin politik të vendit që është kusht mbi kushtet.
Delegacioni parlamentar evropian ishte një mision faktmbledhës dhe si i tillë ai do dalë në fillim të javës së ardhshme me përfundime dhe rekomandime për situatën në Shqipëri. Thelbi i tyre do të jetë mesazhi që ata dhanë në Tiranë për opozitën shqiptare.
Sigurisht që nuk është vizita e fundit e tyre. Gjithçka do të varet nga zhvillimi i ngjarjeve në Tiranë. Precipitimi i mëtejshëm i tyre në kuptimin e rritjes së tensioneve politike, apo edhe më keq të protestave të dhunshme të opozitës që do të rrezikonte plotësisht rendin e sigurinë në vend, do të bënte që ky delegacion apo edhe dërgata të tjera nga Parlamenti Europian apo edhe nga institucione të tjera të BE apo edhe nga vendet anëtare të tij të vinin në Tiranë përsëri e përsëri dhe jo vetëm një herë, por disa herë. Niveli, sigurisht do të përcaktohet nga shkalla e degradimit të situatës politike e sociale në Shqipëri dhe nga angazhimi i vetë institucioneve të BE dhe i qeverive të vendeve anëtare të tij. Nuk duhet harruar se në maj janë edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe ata nuk do të kenë edhe shumë kohë të merren me sherret tradicionale e pambarim të politikës shqiptare.