Bashkimi Europian po u kërkon sërish një bashkëpunim të madh aktorëve kryesorë të politikës shqiptare. Edhe presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitarovic e shtroi këtë kërkesë në Kuvendin e Shqipërisë.
Kjo është pyetja që shtron në numrin e fundjavës edhe gazeta Mapo. Shtyrja e hapjes së negociatave, ngecja e reformës në drejtësi dhe ligji i ri zgjedhor kërkojnë minimalisht një pakt politik mes palëve dhe maksimalisht bashkëqeverisje.
Analisti Mustafa Nano mendon se mund të ketë një bashkëpunim për reformën në drejtësi.
“Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz, që e refuzojnë në parim bashkëqeverisjen. Sigurisht, jam me idenë, që duhet të qeverisin ata që mandatohen nga votuesit për ta bërë këtë gjë, por në rrethana të caktuara, për të shmangur një kolaps, apo për të bërë ca reforma të rëndësishme, apo për t’iu përgjigjur një situate të caktuar politike, bashkëqeverisja mund të ishte një zgjidhje. Për ilustrim, ajo që po ndodh në ditët e sotme mund të merret për një situatë të tillë. E kam fjalën për reformën në drejtësi, e cila jo vetëm që po krijon një vakum të frikshëm në sistem, por edhe mund të bllokohet nga opozita.
Kam një frikë, megjithatë. Bashkëqeverisja në rrethanat e sotme mund të forcojë grupet e inkriminuara të politikës, për të cilat po pritet që drejtësia e re ta thotë fjalën e vet. Dhe kështu, bashkëqeverisja mund të shërbejë si një barkë shpëtimi për shumë vetë. Ajo në tërësi e valorizon një klasë të tërë politike, sepse e sheh këtë të fundit, jo si problemin, por si zgjidhjen e problemit. Përveç kësaj, bashkëqeverisja mund të pasohet me një rishikim të reformës në drejtësi, që do të synonte një zbutje të sajën. Kjo gjë nuk do më pëlqente. Mund të thuhet: Këta që po na qeverisin, nuk janë më të mirë sesa ata që janë në opozitë, apo sesa të dyja palët bashkë. Përgjigja është: Ok, është tamam kështu, por këta të paktën kanë një mandat qeverisës,” shprehet Nano.
Kurse analistja Iris Luarasi mendon se ka ende vullnet për bashkëpunim.
“Personalisht gjithnjë kam qenë e mendimit se bashkëpunimi mes palëve politike sjell një mundësi të re, për të ndryshuar mënyrën e politikbërjes në Shqipëri dhe një mundësi të re për shqiptarët që të heqin dorë nga agresiviteti i përditshëm, që përçohet nga foltorja e Parlamentit në agresivitetin e rrugës. Për sa i përket një pakti të ri për reformën në drejtësi? Kjo është një pyetje shumë e thjeshtë. Reforma në drejtësi nuk mendoj se është pronë një partie apo një individi. Ajo është një kërkesë dhe nevojë e të gjithë shqiptarëve. Është e qartë që për momentin fryma e reformës është bjerrë dhe kjo pa dyshim kërkon një bashkëpunim dhe pakt të ri politik,” thekson Luarasi.
Lexoni më poshtë tekstin e plotë të gazetares Nevila Përndoj:
http://www.mapo.al/koalicion-i-madh-pd-ps-ne-vjeshte-a-do-te-ndodhe-a-mund-te-ndodhe-a-duhet-te-ndodhe/