Aktualitet

MAPO-WEEKEND/ Rama-Meta, dueli i fundit. Kush do mbijetojë?








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 23/11/19 |
mapo.al

Ilir Meta ka lënë të kuptohet se është gati të bëjë gjithçka, pra dhe sakrificën e tij personale, për të mbrojtur siç thotë ai, Republikën dhe Kushtetutën. Dukshëm, kjo s’ka të bëjë thjesht me Drejtësinë, por shkon përtej saj. Premisat janë që Rama dhe Meta të jenë duke konsumuar duelin final, nga ku njëri do arrijë të mbijetojë politikisht. Gazeta MAPO ka ftuar për të bërë një analizë të këtij momenti analistët Erl Murati, Aleksandër Çipa, dhe juristin e njohur, Ylli Manjani.


“Unë jam ushtari i parë në mbrojtje të Kushtetutës dhe Republikës”. Me këtë shprehje të shoqëruar me një përshëndetje ushtarake, Ilir Meta, president dhe, gjithashtu, komandant i Forcave të Armatosura, ka deklaruar pa ekuivok pozicionimin e tij në konfliktin politik me mazhorancën socialiste. Meta ka lënë të kuptohet se është gati të bëjë gjithçka, pra dhe sakrificën e tij personale, për të mbrojtur siç thotë ai, Republikën dhe Kushtetutën.


Ndërkohë, në Presidencë ka patur lëvizje të ethshme. Është padyshim zyra më aktive e këtyre ditëve. Dukshëm, kjo s’ka të bëjë thjesht me Gjykatën Kushtetuese, por shkon përtej saj. Premisat janë që Rama dhe Meta të jenë duke konsumuar duelin final, nga ku njëri do arrijë të mbijetojë politikisht. Ndërsa në Kuvend po gatuhet një impechment kundër tij dhe mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama e kërcënon me shkarkim, Presidenti ka shtuar lëvizjet, si një lojtar i vjetër i skenës sonë politikë, ku është futur si student në lëvizjen e dhjetorit ’90.


Meta ka kaluar një javë intensive në zyrën e tij, ku janë numëruar deri në 25 takime në ditë, që nga ish-presidentët Berisha, Mejdani, Nishani e Topi dhe më tej me juristë, ekspertë, gazetarë, pedagogë e personalitete të tjera. Këto takime, sipas burimeve pranë tij, janë faza e parë e përgatitjes për t’iu drejtuar më tej drejtpërdrejt, qytetarëve.


Një tur i mirëfilltë politik do ta zbresë Metën në bazë me qytetarët, bëjnë me dije për MAPO, burime pranë tij. Çka do ta çonte betejën politike me mazhorancën në një stad tjetër. Ai e paralajmëroi dje këtë në përvjetorin e referendumit kushtetues duke shkruar se është “koha për referendum të ri”.

Gazeta Mapo ka ftuar për të bërë një analizë të këtij momenti analistët Erl Murati, Aleksandër Çipa, dhe juristin e njohur, Ylli Manjani.

INTERVISTAT

Ylli Manjani: Presidenti jo gjithmonë është kompetencë, mbi të gjitha është konfidencë

Presidenti dhe mazhoranca janë përplasur fort për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, si e parashikoni këtë debat, kush fiton e kush tërhiqet?

Për fat të keq përplasja President-Mazhorancë nuk është e re. Përgjatë gjithë kohës së veprimit të Kushtetutës së re, asnjëri President nuk ka qenë komod me mazhorancën e kohës dhe anasjelltas. Kjo situatë absurdi, ka bërë që në vite të kërkohet zgjidhja te ndryshimi i Kushtetutës për të kufizuar rolin e presidentit dhe mazhorancat e kanë bërë këtë gjë. Kjo e sotmja merr ngarkesa edhe personash e historish të thëna e të pathëna dhe i jep ngarkesë pak më të madhe kësaj përplasje. Për t’ju përgjigjur pyetjes kush tërhiqet e kush fiton, mendoj se tërheqja është pjesë e mençurisë dhe largpamësisë. Ndërsa të fituar nuk ka nga asnjëri krah. Përkundrazi, Shqipëria ka humbur shtetin duke forcuar pushtetin.

Mazhoranca ka nisur procedurat e shkarkimit të presidentit në Kuvend, a besoni se do të shkarkohet?
Sipas Kushtetutës në fuqi, Presidenti nuk shkarkohet nëse nuk ka një shkelje të rëndë apo të ketë kryer një krim. Po sipas Kushtetutës Presidenti nuk mban përgjegjësi për aktet që ai nxjerr. Mazhoranca, më saktë Edi Rama u zemërua me Presidentin, pra Ilir Metën pas zhdekretimit të datës së zgjedhjeve. Filluan një procedurë, kërkuan opinion në Venezia, nuk e morën siç mendonin, ndaj kjo çështje nuk ka më as substancë e as procedurë të rregullt. Për më tepër që presidentin e shkarkon Gjykata Kushtetuese në instancë të fundit, por kjo e fundit nuk ekziston. Ju më pyesni a besoj, unë po ju them se nuk më lejohet të besoj në ça thonë politikanët për njëri-tjetrin. Ata bëjnë çdo gjë. Të gjithë kanë arritur të nxjerrin shtetin nga shinat e Kushtetutës e të ligjit, ndaj tashmë janë në gjendje të bëjnë çdo gjë. Logjika është ajo që ju thashë, Kushtetuta.

Nga ana tjetër, Meta me anë të takimeve publike dhe me paralajmërimin e një turi takimesh nëpër rrethe po nis një aksion politik të mirëfilltë kundër qeverisë, si e shikoni këtë lëvizje të presidentit? Çfarë mund të sjellë ajo?
Shihni, detyra e Presidentit nuk është gjithmonë kompetencë, por mbi të gjitha është KONFIDENCË. Pa konfidencën e nevojshme Presidenti e ka shumë të vështirë të ushtrojë si duhet detyrën e publike. Ilir Meta, për shkak të përvojës së jashtëzakonshme që ka në bashkëpunim dhe përplasje me të dy krahët e politikës, duhet të ishte presidenti më me konfidencë. Si duket diku, disi ka humbur kjo gjë dhe mendoj se i takon atij ta gjejë mundësinë e paqtuesit dhe të dialoguesit. Si Kryetar i LSI ai ka nxitur gjithnjë dialogun dhe ia ka arritur. Nuk e kuptoj sot president, në rolin e duhur pikërisht këtë gjë nuk e bën?! Jam i bindur se po të dalë në popull siç premton ta bëjë, do ta gjejë pikërisht këtë aftësi të tij që disi e ka humbur.

Debati mes palëve ka përfshirë dhe trupin diplomatik në vend. Sa e drejtë duket zgjidhja e ofruar nga ambasada amerikane për t’i zgjidhur debatet ligjore për Kushtetuesen në Komisionin e Venecias? Po sulmet e kreut të shtetit ndaj ambasadorëve si i shikoni?
Trupi diplomatik duhet marrë ashtu siç është dhe brenda rolit që ata kanë këtu. Të gjithë pa përjashtim, nuk shërbejnë këtu as si negociatorë, as si arbitra e as si shtetarë. Ata janë zyrtarë të shteteve apo misioneve nga vijnë dhe përfaqësojnë interesat e tyre, jo detyrimisht tonat. Kur mendoj se shumë prej tyre bëhen bisha nëpër tendera për të lobuar për kompani të shteteve të tyre, nuk kam se si të mendoj se ata janë këtu për hallet tona. Çështja është se disa prej tyre kanë marrë autorësi ose pronësi mbi çështje tonat tërësisht të brendshme. Jua kemi dhënë vetë në fakt, por për sa kohë që ata flasin e reagojnë për këto çështje pa dyshim meritojnë edhe të kritikohen, njësoj siç kritikojmë ne njëri-tjetrin. Dhe s’e kemi me ata, por me rreshtimin që bëjnë në çështje të caktuara. Bie fjala nëse atyre iu duket normale lënia e vendit pa gjykata, sigurisht do kritikohen e madje ashpër. Si mund të ngelet vendi pa gjykata?! Ku është parë e dëgjuar kjo gjë? Nuk ka përse të kemi asnjë kompleks, sepse ata nuk janë as të dërguarit e Zotit e as dishepujt e të dërguarit të Zotit në tokë. Janë njerëz të gabueshëm si ne, ndaj kritikat janë të merituara sa herë ata japin opinione e direktiva. Fundi i historisë është se punët tona duhet t’i zgjidhim vetë, jo të huajt.

Aleksandër Çipa: Kjo është përplasje serioze me risqe të mëdha

Presidenti dhe mazhoranca janë përplasur fort për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, si e parashikoni këtë debat, kush fiton e kush tërhiqet?
Do të doja të fitonte Kushtetuta. Të fitonte jo Kushtetuta që kanë amenduar pikërisht këta protagonistë jetëgjatë në skenën politike të vendit, por një Kushtetutë së paku si ajo e Aristotelit. Por kjo është utopi. Në Shqipëri matanë vullnetit të shumicës aktuale socialiste dhe aktorëve kundërpolitik të kësaj shumice, ku shquhen zotërinjtë Meta (President i Republikës, Berisha, ish-President dhe Basha-kryetar i opozitës, po ndodh një reformë e cila e ka shembur sistemin dominues të së ashtuquajturës periudhë postkomuniste në mënyrë të parikthyeshme. Për këtë arsye nuk ka rëndësi se kush do të fitojë e kush do të tërhiqet. Unë mendoj se për pjesën ku presidenti Meta e ka tejkaluar të drejtën do të tërhiqet. Ndërsa shumica e kryeministrit Rama ende nuk ka dhënë një provë të shprehjes së sensit të masës në dominimin dhe kapjen politike të institucioneve kushtetuese. Mirëpo të dyja palët janë e vjetra përballë një reforme që ka shembur pakthyeshmërisht një sistem të vjetër dhe tejet të korruptuar mender Drejtësie. Për këtë shkak, ato janë në dilemën e raportit që do të kenë nesër përballë Drejtësisë dhe me drejtësinë e munguar. Në këtë pozitë të re, matanë vullnetit të tyre edhe Presidenti edhe shumica do të detyrohen të jenë jo urdhëruese, por respektuese, herë me influencë e herë me nënshtrim, sipas rrethanave dhe koniunkturave.

Mazhoranca ka nisur procedurat e shkarkimit të presidentit në Kuvend, a besoni se do të shkarkohet?
Ekzistojnë shumë mundësi që mazhoranca ta çojë aksionin e vet politik të shkarkimit të Presidentit deri në fund. Kjo mund të ndodhë vetëm në kushtet e një sistemi drejtësie të pamontuar plotësisht. Për këtë shkak duket se ka ngut dhe veprim të përshpejtuar politik të procedurave nga shumica socialiste. Mirëpo kjo cenon gravitetin natyral midis faktorëve dhe aktorëve me peshë politike në spektrin e pluralizmit dhe institucionalizmit demokratik të vendit. Për këtë shkak, shumica e kryeministrit Rama duhet të dëshmohet e zgjuar, me ndërgjegje juridike dhe me përgjegjësi institucionaliste për llogari të republikës. Jemi para një ngjarjeje të pangjarë më parë, në historinë e republikës sonë. Kjo është një përplasje serioze dhe me risqe të mëdha. Klasës sonë politike nuk i lejohet dhe nuk i pranohet më kurrsesi të riciklojë konfliktet shtetprishëse të mender tranzicionit postkomunist. Presidenti nuk mund të thërrasë dhe të aktivizojë në këtë aspekt linja apo aktorë recidivistë të politikës sonë të tranzicionit. Ai duhet të operojë me përgjegjësinë e një Presidenti që detyrim kushtetues ka të qenit mbi palët dhe të negocimit me palën që e zgjodhi, por që tashmë është në antagonizëm ekzistencial.

Nga ana tjetër, Meta me anë të takimeve publike dhe me paralajmërimin e një turi takimesh nëpër rrethe po nis një aksion politik të mirëfilltë kundër qeverisë, si e shikoni këtë lëvizje të presidentit? Çfarë mund të sjellë ajo?
Është lëvizje e pastër politike e autoritetit më të lartë kushtetues që ndryshe e quajmë kryetar të shtetit. Mirëpo është një lëvizje që lindi si akt dhe proces vetjak kundër mësymjes së shumicës në qeverisje për të pasur raport të pretenduar mbi anëtarësinë e Gjykatës Kushtetuese. Procedurat e zgjedhjes së deritanishme të anëtarëve të Gjykatës së munguar Kushtetuese lënë vend për diskutime e kontestime. Presidenti u vendos dhe ndodhet në pozitë protagonist përballë këtij procesi. Dukshëm, Shkëlqesia e Tij e atakoi dhe e denoncoi procedurën stafetë të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si aventurë dhe tentativë moniste të kryeministrit Rama. Vakancat e dënueshme në këtë Gjykatë dhe në atë të Gjykatës së Lartë të sjellin në vëmendje konceptin e Aristotelit kur flet te vepra e vet “Kushtetuta e Athinasve”. Aristoteli nënvizon se “Qeveritarët zgjedhin me short gjykatat sipas fiseve të ndryshme, ndërsa shkruesi i qeveritarëve ligjvënës zgjedh me short gjyqtarët e fisit të dhjetë. Në gjykatë ka dhjetë hyrje, nga një për secilin fis, njëzet vazo për hedhjen e shortit, nga dy për çdo fis, njëqind kuti, dhjetë për çdo fis, si dhe kuti të tjera ku futen pllakëzat e gjyqtarëve të hedhur me short dhe më në fund dy poçe. Pranë çdo hyrjeje vihen aq shkopinj”. (shenja të pushtetit të gjyqtarit). Kjo logjikë dhe ky arsyetim racional për republikën dukshëm mungon në sjelljen dhe qëllimet e politikëbërësve dhe sundonjësve të skenës politike të Shqipërisë në këta 28 vjet. Përplasja, prej rezistencës apo mësymjes kapëse të sistemit të ri të drejtësisë, do të sjellë pashmangshmërisht përkohësinë e dominimit të pesë apo gjashtë protagonistëve politikë të njohur në këto gati tri dekada në Shqipëri. Përpjekja e Presidentit Meta për thirrjen e referendumit mund të jetë thjesht një pistë e dështimit politik për rimbetje, ndërsa rezistenca e tij për mos rikapje të sistemit të drejtësisë nga një palë apo grup interesi politik është kontribut prej politikani që është shpërblyer, pa u ndëshkuar, në ngjitje të përhershme vetjake politike.

Debati mes palëve ka përfshirë dhe trupin diplomatik në vend. Sa e drejtë duket zgjidhja e ofruar nga ambasada amerikane për t’i zgjidhur debatet ligjore për Kushtetuesen në Komisionin e Venecias? Po sulmet e kreut të shtetit ndaj ambasadorëve si i shikoni?
Në demokraci përdorimi i sovranitetit si argument apo justifikim është i shpeshtë, por në praktikën e integrimeve dhe sidomos të rrjedhave të anëtarësisë në komunitete të mëdha, mund të jetë alibi aktorësh. Presidenti i vendit ka një të drejtë kur flet për ndërgjegjen dhe sjelljen e hiperbolizuar të yesman-izmit shqiptar në këtë periudhë të gjatë tranzicioniste të vendit. Mirëpo në rastin e fundit dhe sidomos në pretendimin për Gjykatën Kushtetuese, këtë debat e ka futur për qëllime të pozitës personale dhe jo për arsye të ndërgjegjes sovraniste që mbart. Këtë ndërgjegje në kohë dhe momente të caktuara të karrierës së vet, në mos e ka tradhtuar e ka tejkaluar pa i dhënë vëmendje dhe pse jo edhe interes. Politikëbërësit e vendit janë kasta më e shquar për adresime të shpeshta dhe të kohëpaskohshme te Komisioni i Venecias për ngërçe apo ankesa interpretuese të Kushtetutës së vendit të cilën e kanë bashkamenduar më shumë se çdo klasë politike në vendet e ish-Europës Juglindore. Francezi i famshëm Jean Bodin kur flet për sovranitetin, sidomos në sistemin e drejtësisë nënvizon se “Mëkëmbësi i përgjithshëm i një princi qoftë edhe me pushtet të pakufizuar, nuk është sovran”. Kjo republikë e cila në Kushtetutën e vet për shkak të kësaj kaste politike u ka dhënë atribute kushtetuese ONM-së, pra faktorit ndërkombëtar, nuk ka pse ta pretendojë si flamur sovranitetin dhe t’i kërkojë sovranit referendum. Vetë e ka dhuruar atë, për shkak të keqpërdorimit, korruptopolitikës së vet, për shkak të ndërgjegjes dhe sjelljes konfliktuale dhe sidomos për shkak të kulturës kapëse që ka mbartur në të gjitha kohët dhe aktet e rotacioneve qeverisëse të gati tri dekadave të fundit.

Për këtë arsye sulmet e Presidentit Meta ndaj trupit diplomatik edhe pse e kanë një bërthamë apo masë së drejte, janë të pamjaftueshme për t’u shndërruar në një element triumfi apo aq më tepër në një arsye të plotë mbështetjeje nga sovrani, pra populli, të cilin e ka ftuar për një lëvizje referendare.

Erl Murati: Tentativa e KED ndaj Presidentit, një puç i pastër institucional

Presidenti dhe mazhoranca janë përplasur fort për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, si e parashikoni këtë debat, kush fiton e kush tërhiqet?
Dinamika e krizës është mjaft komplekse për të dhënë një përgjigje shteruese. Por, duke parë që presidenti po përplaset, sepse nuk kërkon asnjë më shumë se lajmin e ushtrimit të së drejtës së tij kushtetuese (pra, caktimin e 3 anëtarëve “të tij” në Gjykatën Kushtetuese) mendoj se në fund, është mazhoranca ajo që do të tërhiqet. Megjithatë, duhet thënë se nga pikëpamja formale, mazhoranca ka pak përgjegjësi për situatën: faji i mbetet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe kryetarit të saj, i cili tentoi ta vendosë presidentin në një pozicion antikushtetues. Në fund të kësaj përplasjeje të re, do të kuptojmë se debati ka qenë absurd dhe i evitueshëm. Do të mjaftonte që çdo institucion të zbatonte Kushtetutën dhe ligjet në fuqi që 1. kriza e re të mos ekzistonte dhe 2. të kishim një produkt konkret, pra krijimin dhe më në fund, nisjen e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Tentativa e KED për ta vendosur kreun e shtetit në një pozicion antikushtetues, është një puç i pastër institucional. Por, kjo e ka një arsye. Jemi pothuajse 3 vite e gjysmë pas miratimit me konsensus të “Reformës në Drejtësi”, 3 vite e gjysmë pas miratimit të Kushtetutës së re. Kjo “reformë” po vonon të japë efektet e pritshme. Ndaj, në pamundësi për të dalë para shqiptarëve me një bilanc apo produkt konkret të kësaj reforme, aktorët dhe faktorët janë bërë bashkë në përpjekje për ta lënë faturën e dështimit të saj, në dyert e Presidencës.

Mazhoranca ka nisur procedurat e shkarkimit të presidentit në Kuvend, a besoni se do të shkarkohet?
Mendoj që iniciativa për shkarkimin e presidentit është vetëm një nga aktet e komedisë politike që po shohim. Nga njëra anë, presidenti lë të kuptohet që mund të shpërndajë parlamentin, nga ana tjetër, parlamenti e kanos atë me shkarkim. Të dy palët nuk i kanë seriozisht këto kërcënime, madje kam dyshime për të kundërtën. Pra, që do të zgjohemi një ditë dhe si me magji do të jemi dëshmitarë të qetësisë e normalitetit. Do na duket sikur s’ka ndodhur asgjë. Historia politike Rama-Meta na ka mësuar që kanosjet dhe betejat ndaj njëri-tjetrit i kanë mbyllur me marrëveshje politike ku të gjitha palët kanë mbetur të kënaqur. Ndaj, më vjen të qesh kur lexoj për “beteja finale”, për “big bang”, për “asgjësim politik, ose njëri, ose tjetri”. Në çdo rast, pra edhe sikur PS ta ketë seriozisht nismën për shkarkimin e presidentit, ky veprim kërkon jo thjesht vullnetin e mazhorancës, por edhe vendimin final të Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi dëshmitarë se kjo gjykatë jo vetëm është e paplotë, por në mungesë të kandidatëve, funksionimi i saj duket mjaft i largët.

Nga ana tjetër, Meta me anë të takimeve publike dhe me paralajmërimin e një turi takimesh nëpër rrethe po nis një aksion politik të mirëfilltë kundër qeverisë, si e shikoni këtë lëvizje të presidentit? Çfarë mund të sjellë ajo?
Nuk mendoj se Meta do të konsumohet në “Rrugëtime” apo “Dialogë me Shqipërinë” për t’iu shpjeguar njerëzve të thjeshtë të drejtën që i takon nga neni 179, pika 2 e Kushtetutës. Për shkak të pozicionit politik, Meta president nuk mund ta luajë rolin e opozitës.

Debati mes palëve ka përfshirë dhe trupin diplomatik në vend. Sa e drejtë duket zgjidhja e ofruar nga ambasada amerikane për t’i zgjidhur debatet ligjore për Kushtetuesen në Komisionin e Venecias? Po sulmet e kreut të shtetit ndaj ambasadorëve si i shikoni?
Rekomandimi për t’iu drejtuar komisionit të Venecias do të vlente nëse palët politike do ta pranonin atë si arbitër e si rrjedhojë, do t’i zbatonin vendimet e saj. Ne jemi para faktit që komisioni i Venecias ka vlerësuar se presidenti i Republikës nuk mund të shkarkohet për dekretet e zgjedhjeve, e megjithatë PS-ja e injoron këtë rekomandim dhe thotë që ka ndërmend ta shkarkojë Metën. Ka disa sugjerime për zgjidhjen e krizës: PD thotë zgjedhje para kohe, PS thotë “Venecia”, presidenti thotë referendum. Unë them që mjafton të zbatohet Kushtetuta, pra që presidenti të zgjedhë 3 anëtarët “që i takojnë”, Kuvendi 3 anëtarët “që i takojnë” dhe gjykata e Lartë 3 anëtarët “që i takojnë”. Por, nëse një aktor përpiqet t’i imponohet tjetrit: unë do zgjedh 4 e ti do zgjedhësh 2, atëherë ky është një puç institucional dhe s’ka nevojë për ndonjë interpretim të hollë juridik. Për sa u përket sulmeve të presidentit ndaj ambasadorëve, do të preferoja që presidenti i vendit tim, cilido qoftë ai, të mos hynte në një trajektore përplasjeje me partnerët ndërkombëtarë. Kjo kërkon që presidenti të moderojë gjuhën ndaj tyre, por kërkon edhe që ambasadorët të mos bëhen palë në përballjet politike dhe luftën për pushtet të aktorëve vendës.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas