Lidhur me situatën e COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ditën e sotme janë regjistruar 3 viktima, 88 të infektuar të rinj dhe 123 të shëruar.
Shifrat e viktimave dhe të rasteve të reja janë më të ulëtat në dy javët e fundit.
Në lidhje me viktimat e fundit, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se dy janë nga Shkupi dhe një nga qyteti i Shtipit, mbi 60 vjeç dhe me sëmundje të tjera kronike.
Me këto viktima, numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut shkon në 385, shumica prej tyre nga Shkupi, Struga, Tetova, Kumanova dhe Shtipi.
Sa u përket të infektuarve të rinj, Shkupi është në vendin e parë me 30 raste të reja, Shtipi 13 dhe Struga 11. Numër më i vogël i të infektuarve është regjistruar në 13 qytetet e tjera, ndërsa raste aktive janë 3,486.
Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut janë kryer 78,133 teste.
Ministri i Shëndetësisë, Filipçe, në një postim në Facebook, njoftoi për përgatitjet e institucioneve shëndetësore për “valën e re të koronavirusit në vjeshtë”.
“Kryetarët e 16 komunave kanë mbështetur propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Komisionit për Sëmundje Infektive për hapjen e ‘qendrave të COVID-19 (sëmundjes që e shkakton koronavirusi)’ në qytetet ku ekzistojnë tashmë spitalet e përgjithshme dhe qendrat shëndetësore. Qëllimi është të sigurojmë trajtim të duhur për pacientët pozitivë me COVID-19, pa rrezikuar funksionimin e rregullt të spitaleve dhe shëndetin e pacientëve të tjerë”, theksoi Filipçe.