Dalin rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja e ish-kryeministrit Zoran Zaev, në përbërjen e re parlamentare do të ketë 46 deputetë, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja 44 mandate.
4 nga mandatet e partisë së Zaev i takojnë partisë shqiptare BESA.
Nga partitë shqiptare fituese është Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit me 15 deputetë në Kuvend, ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e drejtuar nga Ziadin Sela ka fituar 12 mandate. PDSH e Menduh Thaçit ka arritur të marrë vetëm një mandat në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. 33 deputetë është numri i mandateve të partive shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë.
Dy mandate të tjera i takojnë partisë e E majta, parti kjo maqedonase.
Tregon Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në bazë të rezultateve fillestare jozyrtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nga 3.421 vendvotime të përpunuara nga gjithsej 3 480 vendvotime. Nëntë partitë dhe koalicionet e tjera që morën pjesë në zgjedhje nuk kanë fituar mandat deputetësh.
Koalicioni i LSDM-së ka më shumë vota 324 084 vota ose 36.12 për qind, përpara koalicionit të VMRO-DPMNE-së me 312.745 vota ose 34.85 për qind.
BDI ka marrë 101.432 ose 11.3 për qind, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 76.425 ose 8.57% të votave, E Majta 37.420 ose 4.17, ndërsa PDSH 13.563 ose 1.51 për qind.
Duket se qeveria e re nuk mund të formohet pa votat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Parashikohet një rikonfirmim i mundshëm i koalicionit të kaluar mes LSDM dhe BDI-së të cilat së bashku do të përbënin mazhorancën me 61 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev shpalli fitoren e partisë së tij duke theksuar se Maqedonia e Veriut tanimë ka të ardhme edhe më të sigurt.
“Ne kemi sukses, njerëzit e mi, me një avantazh prej më shumë se tre mandate ndaj VMRO-DPMNE, me mundësinë edhe për një ose dy mandate tjera. Koalicioni “Mundemi” është fitues i zgjedhjeve në të cilatkonfirmua vullneti i njerëzve. Qytetarët dolën dhe votuan për një të ardhme të sigurt, për unitet dhe solidaritet, për atdhetarizëm, për drejtësi, për një ditë më të mirë dhe një të nesërme më të mirë. Ne i thamë qartë jo rrezikut”, ka deklaruar Zoran Zaev duke i vlerësuar zgjedhjeve si paqësore, të pastra, bazuar në standardet evropiane.
Për dallim nga Zaevi, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski nuk doli para mediave të mërkurën në mbrëmje ndërsa qëndrimin e partisë e bëri të ditur, sekretari i përgjithshëm, Igor Janjushev.
Ai tha se VMRO-ja është e kënaqur me rezultatin por jo edhe me procesin zgjedhor për shkak të siç tha parregullsive të shumta. Janushev tha se rezultatet tregojnë se populli dëshiron ndryshimin andaj VMRO do të mbetet në garë për formimin e qeverisë së re.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se fitorja e partisë së tij në këto zgjedhje, është fitore e të gjithë shqiptarëve.
“Me këtë fitore të BDI-së kanë fituar shqiptarët dhe nuk ka humbur askush sepse ne u jemi dalë zot të vërtetë ashtu siç kemi qenë edhe më parë. Jemi fitues absolut të zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahmeti.
Fitore në disa qytete ka shpallur edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, por ato kanë akuzuar pushtetin për parregullsi të shumta zgjedhore, në disa fshatra të Shkupit dhe në rajonin e Likovës.
“Përkundër presioneve të shumta dhe frikësimit të votuesve, ne presim fitore nga këto zgjedhje”, ka deklaruar Zijadin Sela.