Vetëm disa muaj para anëtarësimit të pritur zyrtar në NATO, ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska thotë se edhe më tej do të ketë sulme, nga forca të brendshme dhe të huaja të cilat duan ta pengojnë integrimin euro-atlantik të Maqedonisë. Një prej tyre konsiderohet edhe rasti “Zhvatja” ku dyshohen të përfshirë në një rast të madh korrupsioni zyrtarë të lartë të shtetit.
Por megjithatë, sipas saj, shumë shembuj si publikimi i bisedave të incizuara në fshehtësi në rrjetet sociale, bashkëbisedues të rrejshëm me kryeministrin, ose krijimi masiv i lajmeve manipuluese, lënë të kuptohet se sistemet vendase të sigurisë dhe komunikimeve janë të rrezikuara.
Radmila Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes: “Ka shumë persona në vend por edhe jashtë tij të cilët mendojnë se duhet të bëjnë gjithçka që vendi ynë të mos bëhet anëtar i NATO-s dhe të mos fillojë negociata me BE-në“.
I ftuari nga ministrja e Mbrojtjes, komandanti i Gardës Kombëtare të shtetit federal amerikan të Vermontit, Gregori Najt, me të cilin ushtria e Maqedonisë ka një bashkëpunim 25-vjeçar, shpreh bindjen se anëtarësimi në Aleancë është i padiskutueshëm, në emër të sigurisë në Evropë.
Gregori Night, komandant i Gardës Kombëtare Vermont: “Ne jemi të përkushtuar ta ndihmojmë Republikës së Maqedonisë së Veriut, ta rrumbullakësojë anëtarësimin në NATO, të bëhet pjesë e ekipit, anëtarja e 30-të dhe të ndihmojë në arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit në Evropë”.
Senati Amerikan pritet që së shpejti që të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ndërkohë që këtë e kanë bërë 20 vende të tjera anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë./AlsatM