Aktualitet

Maqedonia e Veriut/ S’ka marrëveshje për Prokurorinë, shtyhet ligji






               Publikuar në : 21:45 - 30/07/19 |
mapo.alm

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut nuk kanë arritur marrëveshje për Ligjin për Prokurorinë publike, kështu që debati për këtë reformë në drejtësi ka mbetur të vazhdojë pas pushimeve të verës. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, seancën për këtë çështje e ka caktuar për në fund të muajit gusht, kur edhe përfundojnë pushimet e deputetëve.


Pushteti dhe opozita, përkundër debateve të shumta dhe kërkesave nga bashkësia ndërkombëtare, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje të plotë për të ardhmen e Prokurorisë Speciale, megjithatë, një përparim i vogël është shënuar, sa i përket çështjeve të financimit dhe të përgjegjësisë së prokurorëve.



“Së pari kemi të bëjmë me mënyrën e financimit dhe rritjen e pavarësimit financiar të Prokurorisë publike shtetërore, për të cilat kemi qëndrime të përafërta dhe çështja e dytë ka të bëjë me rritjen e përgjegjësisë së vet prokurorëve, por edhe të institucionit të prokurorisë”, ka deklaruar Antonio Milloshoski, nga VMRO DPMNE-ja.

Sipas propozimit të Qeverisë, Prokuroria Speciale duhet të jetë pjesë e Prokurorisë së re për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Ajo do të ketë mandat në gjithë territorin e shtetit dhe procedimin e të gjithë lëndëve që është duke i zhvilluar Specialja kundër ish-zyrtarëve të lartë shtetëror.

Opozita ndërkohë kërkon që Prokuroria Speciale të shuhet ndërsa prokurorët e saj të vendosen nëpër Prokuroritë e rregullta, ndërsa lëndët gjyqësore që kanë për bazë aferën e përgjimeve, të procedohen nga Prokuroria republikane. VMRO DPMNE-ja gjithashtu konteston propozimin e kryeministrit Zoran Zaev, që Prokuroria e re të drejtohet nga Vilma Ruskoska, për të cilën opozita thotë se është “dorë e zgjatur” e pushtetit.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se dallimet mes pushtetit dhe opozitës nuk janë të mëdha për të mos u kapërcyer dhe se çështjet tjera nuk duhet të ndërlidhen, apo të pamundësojnë realizimin e reformave.

“Mendoj se këtu kemi të bëjmë me një problem të organizuar, që mund të zgjidhet në mënyrë tjetër dhe jo me bllokimin e miratimit të këtij ligji”, thotë Margarita Caca Nikollovska, ish-gjykatëse, tani drejtuese e Institutit për të drejtat e njeriut, duke aluduar në kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme.

Në fakt, VMRO DPMNE-ja, siç bëhet e ditur, ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur Ligjin e prokurorisë, por me kusht që paraprakisht të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Por, kryeministri Zoran Zaev ka thënë se zgjedhje do të ketë, por se ato do të jenë të rregullta, pas një viti, pa përjashtuar mundësinë e organizimit të tyre në tetor të vitit 2020, dy muaj para afatit të paraparë në dhjetor.

Edhe opozita shqiptare kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, por edhe kushte tjera për të mbështetur Ligjin e qeverisë, si prokurorë të huaj dhe pamundësimin e ish-zyrtarëve për tu emëruar në organet e drejtësisë.

Ligji për Prokurorinë sipas Qeverisë është i rëndësishëm të miratohet në vjeshtë që të mund të marrë vendi datën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas