Aktualitet

Markimi, Air Albania dhe kapari i tretur turk








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:37 - 20/05/20 |
Nga Klodian Tomorri

Në fushatën zgjedhore të vitit 2013, arma më e fortë e socialistëve në opozitë, ishte denoncimi i koncesioneve, sipas tyre korruptive, që kishte dhënë qeveria e Sali Berishës. Njëra nga kontratat më të anatemuara ishte ajo e markimit të karburanteve, e cila zotërohej nga kompania GFI.



Zyrtarisht GFI zoterohet nga biznesmeni Ismail Mulleti. Por Erion Braçe, në atë kohë një nga zërat më të fuqishëm të opozitës në denoncimin e skandaleve financiare apo korrupsionit në qeveri, pati akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se pas koncesionit të markimit ishin familjarët e tij. Sipas Braçes, lidhjet e familjes kryeministrore me koncesionin do të ekspozoheshin publikisht kur socialistët të vinin në qeveri. Vetë Edi Rama u zotua publikisht për anulimin e tij të shpejtë, menjëherë sa të merrte qeverinë.


Kohët kaluan dhe socialistët erdhën në pushtet. Por teksa qytetarët, prisnin që qeveria e re të ekspozonte korrupsionin qe kishte paralajmeruar në kontratën e markimit, ndodhën çudira.




Në fillim të vitit 2014, Shoqata Hidrokarbure e ankimoi koncesionin e markimit në Gjykatën Kushtetuese. Surpriza në sallën e gjyqit ishte se Ministria e Financave dhe Avokatura e Shtetit, tashme nën kontrollin e plotë të qeverisë së Rilindjes, jo vetëm që nuk kërkuan prishjen e koncesionit, por ishin mbrojtësit më të zellshëm të tij. Me pak fjalë, qeveria e Edi Ramës po mbronte në gjykatë, koncesionin për të cilin kishte akuzuar publikisht se i përkiste familjarëve të Berishës. WTF! – siç thotë kryeministri.



Surprizat u shtuan, kur rrugës kompania u shty të kërkonte edhe markimin e naftës bruto, që zgjeronte biznesin e koncesionit edhe me 7 milionë dollarë të tjera në vit. Në atë kohë të gjithë pyesnin të habitur se pse qeveria kishte ndryshuar kurs 180 gradë per koncesionin e markimit! Përgjigja erdhi sot nga Turqia.


Mediat turke publikuan këtë të mërkurë lajmin se biznesmeni i njohur turk Adnan Polat ka paditur në gjykatë, biznesmenin shqiptar Sinan Idrizi për përvetësim të 3.5 milionë dollarëve. Sipas padisë, Idrizi i ka marrë paratë Polat me premtimin se do blinin koncesionin e markimit në Shqipëri, por më pas marrëveshja ka dështuar dhe paratë janë zhdukur. Zoti Idrizi njihet si njeri i afërt me qeverine aktuale duke qenë madje dhe partnere ne biznesin e Air Albanias. Pra, në vend të familjareve te Berishes, pas koncesionit te markimit dolen lidhjet e qeverise.

Lexo edhe :  Vini nën hetim SPAK-un

Shkaku i dështimit të blerjes së koncesionit duket i lidhur pikërisht me të drejtën e markimit të naftës bruto. Shqipëria prodhon 1 milionë tonë naftë bruto më vit dhe me tarifën që përfiton koncesionari i markimit, kjo sasi nafte i zgjeronte të ardhurat e koncesionit me 7 milionë dollarë të tjera në vit. Pa këto të ardhura, koncesioni nuk vlente sa çmimi i paguar nga biznesmeni turk.

Pavarësisht se kompania u përpoq fort ta merrte të drejtën e markimit të naftës bruto, sipas zërave edhe me mbështetjen e qeverisë, kjo dështoi, pasi ishte teknikisht e pamundur. Nafta bruto nuk markohet dot, për shkak të karakteristikave që ka ky produkt.

Ideatorët dhe kumbarët e marrëveshjes në Turqi, me gjasa kanë qenë zyrtarë të lartë nga qeveria e Tiranës. Marrëveshja dështoi dhe paratë u tretën në Tiranë. Por pavarësisht kësaj, padia ndaj Sinan Idrizit, hap belara të tjera për qeverinë.

Zoti Idrizi është aksioneri më i madh i kompanisë Air Albania, ku qeveria zotëron 10 për qind të aksioneve përmes Albcontrol. Edhe pse akuzat e biznesmenit turk janë të pakonfirmuara me vendim gjykate dhe zoti Idrizi gëzon të drejtën e prezumimit të pafajësisë, tani qeveria shqiptare është zyrtarisht partnere në biznes me një njeri të paditur për mashtrim financiar dhe përvetësim fondesh.

Kjo është një goditje e rëndë për imazhin e Air Albanias, që mund të ketë edhe pasoja financiare për kompaninë. Por mbi të gjitha, akuzat e biznesmenit turk e tërheqin qeverinë në një skandal të madh financiar. Flamuri mbi Air Albanian tashmë është bërë pis.

1


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas