Mapo.al
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi sot se është arritur marrëveshja me artistët për Teatrin e ri Kombëtar. Përmes një njoftimi për shtyp, ai sqaroi disa pika. Shkurtimisht, Veliaj njoftoi se prona e teatrit nuk preket, që teatri i ri do të negociohet si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që teatri do të ndërtohet me paratë e privatit.
Projektligji i paraqitur për këtë cështje, sipas tij, është vetëm fillimi i diskutimeve teknike që do të vazhdojnë për të përmirësuar draftin deri në finalizimin për një teatër të ri.
Në këtë fazë diskutimesh është rënë dakord që të ketë dy anëtarë që përfaqësojnë komunitetin e artistëve dhe të aktorëve të cilët do të marrin pjesë deri në produktin final të projekt-ligjit.
Veliaj përcolli edhe një foto duke qeshur me tre artistët që kanë kundërshtuar projektin e qeverisë për Teatrin. Ata janë Arben Derhemi, Altin Basha dhe Alfred Trebicka.
Derhemi sqaroi përmes një postimi në Facebook se asgje nuk mund të arrihet brënda ditës.
“Ju lutem pak durim dhe urtësi, kuptoni që negocimi, takimet, bisedat apo ballafaqimet janë thjesht elemente të një dialogu shoqëror dhe institucional që të mbrohet teatri, kujtesa historike, qyteti dhe memoria institucionale…Mos më bëni kaq të fuqishëm duke me veshur kompetenca dhe attribute apo sovranitete të deleguara për të firmosur marrëveshje…
Madje edhe në rolet skenike që kam lujatur nuk e kam pasur ndonjë personazh të tillë të përafërt që firmos marrëveshje…Pak durim ju lutem dhe më shumë përgjegjësi qyetare dhe shoqërore…Asgjë nuk bëhet në një ditë përveç marrëzive…”, komentoi Derhemi.
Edhe regjizori Altin Basha sqaroi më herët se proçesi sapo ka nisur.
“Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara.
Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme”, tha Altin Basha
Trebicka gjithashtu kishte një koment pas takimit me Veliaj. “Kemi pasur një takim si gjithë takimet e tjera, diskutuam për negocimin mes palëve. Do vazhdojmë me diskutimet. Diskutuam për hapjen e konkursit ndërkombëtar për Teatrin. Ishte një diskutim, nuk e di ku e shikoni marrëveshjen”, tha ai.