Kryesore

Marrëveshja e 5 Qershorit/ Ndërkombëtarët rrisin trysninë, Rama tërhiqet








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:59 - 29/09/20 |
mapo.al

Ambasada e SHBA, Prezenca e BE-së dhe Asambleja e Partive Popullore Evropiane, kanë kërkuar dje nga ana e mazhorancës të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të heqë dorë nga votimi i njëanshëm i ndalimit të koalicioneve dhe mbylljes së listave, si dhe të marrë parasysh propozimet e opozitës në Këshillin Politik. Ambasadorja Kim e konsideron një çështje ndershmërie zbatimin e marrëveshjes nga e cila askush s’duhet të devijojë, ndërsa asambleja e PPE-së kujton se zgjedhjet e 25 prillit janë parakusht për integrimin.


Mazhoranca është tërhequr nga votimi në parlament të enjten datë 1 tetor i neneve që ndalojnë koalicionet dhe mbyllin listat, pas paralajmërimit që Ambasadorja e SHBA Youri Kim bëri nga Himara se mazhoranca do marrë në konsideratë propozimet e dërguara nga Partia Demokratike në Këshillin Politik.


Qëndrimit të zonjës Kim për respektimin e marrëveshjes iu bashkua në orët e pasdites dhe ambasadori Soreca, kur tha se marrëveshja e 5 qershorit duhet respektuar. Vetë Edi Rama i pyetur për ndryshimet në kod, pas mbledhjes që zhvilloi me shtabin elektoral tha se “Është në tagrin e këshillit politik të diskutojë mbi propozimet e opozitës”, ndërkohë që për sa iu përket ndryshimeve kushtetuese ka qenë tepër aktiv.


SHBA – BE


Ambasadorja Amerikane ishte dje në Himarë, nga ku iu kujtoi palëve firmën që kanë hedhur në marrëveshjen e 5 qershorit. Madje, si rrallëherë për këtë çështje ka pasur dhe një reagim nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo. Zonja Youri Kim u shpreh se zbatimi i marrëveshjes është një çështje nderi për palët, duke paralajmëruar se ka marrë aprovimin e mazhorancës për të marrë në diskutim propozimet e opozitës.


“Unë kam folur shumë qartë. 5 qershori është arritur në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Çdo palë që ka nënshkruar duhet t’i qëndrojë asaj sepse është çështje nderi. Firma ime nuk ndodhet mbi atë letër. Ata që kanë nënshkruar atë letër janë persona përgjegjës për të zbatuar 5 qershorin. Kështu që pritja ime është që 5 qershori do të nderohet. Jam shumë e kënaqur që opozita jashtë parlamentit ka marrë përgjegjësitë e saj për të përfaqësuar popullin.

E kam thënë edhe para disa ditësh që opozita të jetë e angazhuar dhe të gjitha palët të sjellin propozime që janë reale. Kam kuptuar që sot opozita ka bërë një propozim dhe jam e lumtur që PS ka thënë se do ta marrë këtë kundërpropozim dhe do të ketë një debat real për ta përfshirë. Kjo është ajo që duhet të presim nga një vend që është anëtar i NATO-s, aspiron BE-në dhe kryeson OSBE-në.

5 qershorit arriti një marrëveshje transparente dhe çdo palë që ka nënshkruar duhet t’i qëndrojë asaj sepse është çështje nderi. Nëse palët bien dakord për çështje të tjera përtej 5 qershorit ne do ta mbështesim”, u shpreh Yuri Kim. Deklaratës së saj i është bashkuar në orët e vona të pasdites dhe ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca. Me anë të një statusi në FB Soreca shprehet:

“Ne [BE] përsërisim qëndrimin tonë që marrëveshja e 5 qershorit, e bazuar në rekomandimet e OSBE / ODHIR mbi reformën zgjedhore, duhet të respektohet”. “Po ashtu theksojmë rëndësinë që çdo propozim për ndryshime të mëtejshme në nenet e Kodit Zgjedhor, të cilat shkojnë përtej qëllimit të marrëveshjes së 5 qershorit, të diskutohen siç duhet në kuadrin e Këshillit Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse para se të votohet në Parlament”, thuhet në mesazhin e Sorecës.

Deklarata e PPE-së

Ndërkohë ditën e djeshme është mbledhur dhe asambleja e Partive Popullore Evropiane, e cila ka dhe grupin më të madh në Parlamentin Evropian, e cila ka dalë me një deklaratë të përbashkët për Shqipërinë, Bjellorusinë dhe Nagorni Karabakun. Në pjesën e Shqipërisë thuhet prerë se marrëveshja e 5 qershorit duhet të zbatohet ashtu siç është, dhe se ndryshimet e njëanshme dalin kundër rekomandimeve të OSBE/ ODHIR.

“PPE mbështet plotësisht udhërrëfyesin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, duke përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme si një parakusht themelor. Reforma zgjedhore e 5 qershorit u miratua në mënyrë konsensuale dhe u mbështet ndërkombëtarisht dhe duhet të zbatohet siç ishte rënë dakord.

Ndryshimet e njëanshme në këtë fazë, janë kundër rekomandimeve të OSBE/ODIHR si dhe kundër vendimit të Këshillit të BE për hapjen e negociatave të pranimit. EPP nxit heqjen dorë nga çdo ndryshim i njëanshëm dhe respektimin e marrëveshjes konsensuale sipas zotimeve”.

Tërheqja e mazhorancës

Pas këtyre mesazheve mazhoranca ka vendosur të tërhiqet nga votimi më datë 1 tetor, me pretendimin se grupi i punës nuk ka kohë mjaftueshëm për të implementuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Por në të vërtetë çfarë ka ndodhur. Të dielën në mbrëmje opozita prezantoi draft propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Burime nga opozita shprehen për MAPO se për këtë lëvizje janë konsultuar dhe me komunitetin ndërkombëtar, duke i kujtuar këtij të fundit dhe garancinë e dhënë për marrëveshjen e pesë qershorit.

Në propozimet e PD kërkohet që koalicionet mos preken, dhe listat të jenë të hapura 100% sipas rendit alfabetik. Oerd Bylykbashi, përfaqësues i PD në Këshillin thotë se opozita nuk po kërkon asgjë më shumë se implementimin e idesë për të cilin u bënë dhe ndryshimet në Kushtetutë.

“Qëndrimet tona janë të qarta, koalicionet ruhen në formën që janë sot, u miratuan edhe më 23 korrik me konsensus, vetëm më pas me ndryshimet e 30 korrikut Rama i ndryshoi. Pra, partitë të garojnë të lira në koalicion, por çdo parti me kandidatët dhe listat e saj, pra zgjedhësi nuk voton koalicion por duke e patur të qartë partinë që do, pastaj voton me listë të hapur kandidatin e partisë që do. Listën e hapur të partive e kanë pasur që në 2003, tani kanë edhe listën e hapur të koalicionit”, u shpreh Bylykbashi.


Etiketa:

Pas