Sigurisht të gjithë kanë diçka për të thënë lidhur me marrëveshjen e arritur. Sigurisht të gjithë kanë diçka për të kritikuar dhe për të shtuar, apo edhe për të dalë më të mençur se ajo, por Marrëveshja është kyçi i tërë stagnimit dhe problemit të Kosovës dhe me këtë interesi i tërë shoqërisë kosovare.
Sigurisht administrata e presidentit Trump do ta interpretojë atë sipas politikave të saj dhe sipas interesave të saj. Dhe në këtë mund të dalim edhe shtet i rëndësishëm për Lindjen e Mesme, apo edhe si shtet me rëndësi dhe kompleks global.
Mirëpo Marrëveshja dhe ajo që po ndodh këto ditë është në të vërtetë paraloja, dhe vetëm përafrimi i negociatorëve në tavolinë. Dhe me këtë thyerja e akullit disa vjeçar lidhur me shkoqitjen e kompleksit të Kosovës.
Me këtë Marrëveshja ka filluar. Zgjidhja do të ndodh. Dhe Kosova do ta fitojë pavarësinë e saj, pavarësisht distancës në qëndrime dhe paparashikueshmërisë së bisedimeve.
Ne jemi të prirur që të shohim thika, tradhti, dhe ankth total në raport me fatin tonë. Jemi të mbyllur brenda fatalitetit të të kaluarës sonë. Traumës së tragjedisë sonë dhe të historisë së degjeneruar tonë. Mund dhe të jetë se jemi të udhëzuar (lexo: bartur) nga fuqitë Perëndimore në këto bisedime. Mund dhe të jetë se jemi tepër të vegjël në këtë kompleks epiqendra e të cilit jemi vet ne.
Por, në të vërtetë, krejt çka mund të bëjmë është të jemi real ndaj mundësisë sonë aktuale dhe se marrëveshjet nuk janë të përhershme dhe as njeriu dhe shoqëritë. Marrëveshjet janë kompromise. Dhe ky kompromis, kjo Marrëveshje, këto bisedime as nuk vulosin fatin tonë në përhershmëri as nuk mund të shuajnë pavarësinë tonë. Në të vërtetë çfarëdo përpjekje për të ndaluar ato, apo për t’i devijuar është më e dëmshme se zgjidhja dhe arritja e tyre.
Sa është kontrovers pranimi i Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit po aq është kontrovers pranimi i Kosovës nga Izraeli. Nuk ka bisedime matematike deri në naivitet dhe as marrëveshje që janë statike deri në prerje me skalpel të dëshirave të popujve.
Janë pikërisht këto çështje kontraverse që tregojnë dhe shpalosin kompleksin ku gjendemi dhe pjesë e të cilit jemi. Pamundësinë e të vendosurit vet dhe të zgjedhjes së zgjidhjes dhe mënyrës së zgjidhjes.
Në mesin e mendimeve sa ka edhe shqiptarë rreth bisedimeve, në të vërtetë janë vetëm dy qëndrime: ai i vetëvendosjes, si pavarësi e plotë në bisedime dhe me kushtet tona; dhe ai i kompromisit dhe real – politikës.
Qëndrimi i vetëvendosjes në bisedime është i pamundshëm dhe i dëmshëm për ardhmërinë e Kosovës, jo vetëm në humbjen e përkrahjes së aleatëve, por pikërisht në luksin e shtyerjes deri në pafundësi dhe mos-zgjidhje të pafundme të kompleksit të Kosovës.
Qëndrimi tjetër, ai i kompromisit dhe dhënies përparësi hapjes së rrugëve dhe zgjidhjes së stagnimit të Kosovës është më i afërt me mundësitë tona. Me realen politike ku jemi dhe ku veprojmë dhe me të ardhmen e afërt të Kosovës.
Sigurisht në Marrëveshje/et do të ketë kompromise të dhembshme dhe humbje, por kjo nuk i bën negociatorët më pak shqiptarë. Është pikërisht dhënia përparësi zgjidhjes para qëndrimit, shthurjes së stagnimit të Kosovës para heorizmit (pa një bazë në realen), është vetë përpjekja dhe lufta për mirëqenie të Kosovës.