Kosova dhe Serbia arritën të enjten marrëveshjen për zgjidhjen e krizës mbi reciprocitetin për targat e automjeteve.
Delegacionet e dy vendeve takuan këto dy ditë në Bruksel të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe diplomatin amerikan, Gabriel Eskobar.
Pas negociatave disaorëshe, Lajçak falënderoi zv/kryeministrin kosovar, Besnik Bislimi dhe zyrtarin serb, Petar Petkoviç, që vunë interesin qytetar përpara përshkallëzimit të situatës.
“Palët ranë dakord, së pari, që njësitë speciale të policisë që ndodhen në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut të tërhiqen njëkohësisht bashkë me bllokadat në rrugë, duke nisur nga ora 8 dhe jo më vonë se ora 16 e datës 2 tetor. Së dyti, më 4 tetor, ora 8, do të përdoret përkohësisht regjimi i vjetër i tabelave për targat.
Së treti, një grup pune me përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, do të punojnë për një zgjidhje përfundimtare rreth çështjes së targave, sipas standardeve dhe praktikave të BE-së. Takimi i parë do të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda 6 muajve konkluzionet do prezantohen në formatin e një takimi për dialog në nivelin më të lartë“, sqaroi diplomati sllovak, Lajçak.
Reciprociteti për targat është bërë shkak nga 20 shtatori për rritjen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë, për disa incidente dhe shfaqje të forcës ushtarake në kufirin verior të Kosovës.
Uashingtoni dhe Brukseli ngulmuan këto ditë për evitimin e acarimit të situatës.
Ndërkohë Prishtina zyrtare është deklaruar se ishte në të drejtën e saj sovrane të marrë një vendim që Serbia e aplikon prej vitesh përkundrejt saj.
Reciprociteti ishte bërë pengesë për dialogun dhe bëri që të anulohej një takim i planifikuar për këtë të enjte mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel.