Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë nënshkruar sot, më datë 1 Mars 2021, marrëveshje koalicioni me angazhimin për të zgjidhur problemet kushtetuese, institucionale, politike, ekonomike, sociale si dhe ato të shëndetit publik.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, pasi ka nënshkruar marrëveshjen me Kryetarin e PD Lulzim Basha, ka sqaruar arsyet e bashkëpunimit të LSI që “në thelb ka socialdemokracinë” me një parti të djathtë.
“Sot është një ditë historike për LSI dhe PD, por më e rëndësishme do të ishte për të gjithë shqiptarët, – tha Kryemadhi, – sepse bashkimi dhe konsolidimi i një koalicioni përfundimtar përballë një sekti kriminal më 25 prill do të jetë i domosdoshëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sidomos për të rinjtë dhe të rejat e vendit.
Sot LSI dhe PD janë bërë bashkë si një aleancë kundër dështimeve të qeverisë së Ramës dhe sot në një ditë që ne dakortësohemi formalisht për të bashkuar forcat dhe për të punuar me njeri-tjetrin në shërbim të popullit shqiptar.
Partneriteti ynë dërgon një sinjal të fortë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët se ndryshimi po vjen, se ndryshimi është i paevitueshëm dhe se ditë më të mira kanë përpara për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.
E di se do të ketë shumë prej atyre që do të thonë se LSI është një parti që rrriten nga elektorali i së majtës. Por një parti si ne, LSI, ku në thelb të saj ka socialdemokracinë dhe së bashku me PD që është parti e djathtë dua të adresoj këtë gjë:
Ne si LSI dhe PD do të vijojmë të jemi dy entitete me identitetin e tyre, do të vijojmë që në kohëra mund të kemi edhe kundërshtime për politika të caktuara, por zotohemi se do të gjejmë gjuhën e përbashkët të bashkëpunimit dhe të punojmë fort me njeri tjetrin duke vendosur përpara interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!”-tha Kryemadhi.
LEXO EDHE:
Marrëveshja e plotë PD-LSI, 13 pikat e qeverisjes së përbashkët