Kryesore

Marrëveshja zgjedhore – Luli Basha e mori penalltinë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:59 - 06/06/20 |
mapo.al

Mbrëmë u arrit marrëveshja mes Opozitës dhe Qeverisë për rregullat e zgjedhjeve të ardhshme. Ka qenë një betejë e fortë e zhvilluar në prapaskenë, me ndërmjetësimin energjik dhe të fuqishëm të ambasadorëve dhe miqve të Shqipërisë, që solli akordin, që u përshëndet nga gjithë palët në vend, dhe nga Brukseli.


Edhe pse nuk pati shumë detaje në publik, u mësua se pika kyçe, më nevralgjikja e bisedimeve ka pasur të bëjë me përbërjen e komisioneve të administrimit zgjedhor.


I vetmi i pakënaqur nga çfarë u arrit mbrëmë, ngjan të jetë Edi Rama. Në një reagim pas lajmit se u ra dakord, ai u shpreh se shkuam aty ku ishim më parë. Duke mohuar të ketë avancim. Dhe me këtë, ka konfirmuar edhe një herë se ku donte ai të arrinte. Duke shfrytëzuar një rekomandim të ODIHR, nga zgjedhjet e fundit, ai insistoi që administrata zgjedhore të depolitizohej. Pra që komisionerët dhe numëruesit të vinin nga administrata publike.


Me pak fjalë, votat të monitoroheshin dhe të numëroheshin nga arben keshët që ai ka kudo nëpër zyra.


Duke lënë kështu në hije, dhjetëra shigjeta të ODIHR që zgjedhjet e fundit, edhe të parafundit i goditën pikërisht për shkak të arben keshëve të Edi Ramës, të porositur, urdhëruar dhe frymëzuar nga ai, për ta patur situatën nën kontroll. Domethënë, kutitë nën kontroll.

Kjo ishte përpjekja perfide e Edi Ramës dhe mazhorancës, duke qenë se; të mbështesësh një rekomandim të ODIHR, gjen lehtësisht aleatë ambasadorët dhe ndërkombëtarët.

Pikërisht këtu duket se ka qëndruar fort Opozita dhe Lulzim Basha. Tre net më parë, dukej se gjithçka mori fund, teksa tre ambasadorët më të rëndësishëm në vend dolën me një draft, dhe e vendosën nën presion kreun e PD, duke iu drejtuar me emër, se tashmë, topi dhe fati i Shqipërisë ndodhej në duart e tij, të Luli Bashës.

Rezistenca e kryetarit të PD dhe negocimi deri në pikën e fundit, përpjekja për të bindur ndërkombëtarët dhe sidomos ambasadoren e SHBA në Tiranë, duket se dhanë efekt.

Sot, kemi garancitë më të mëdha që janë hasur më parë në një reformë zgjedhore, për garantimin e votës së lirë.

Identifikimi biometrik, do të shmangë çdo manipulim që vjen nga vota e vjedhur e emigrantëve, dhe do të shmangë votimin në emër të të tjerëve. Riformatimi i KQZ, me kryetar të rënë dakord dhe nënkryetar nga opozita, është një tjetër pikë sigurie. Dhe, më relevantja, ishte që komisionet e administrimit, do të kenë në përbërje përfaqësues të partive, dhe jo bravoçunat e administratës, thellësisht të politizuar të rilindjes.

Në fund të kësaj jave të nxehtë negociatash mund të thuhet pa frikë, se Luli Basha e mori penalltinë. Tashmë i ngelet të shënojë, duke shkuar te njerëzit, me një ekip dhe program të mirë.

Marrëveshja, si reaguan ndërkombëtarët dhe politika shqiptare?
Ndërkombëtarët, por edhe klasa politike reaguan me nota optimizmi pas arritjes së marrëveshjes nga palët. Ambasadorja amerikanë në Tiranë, Youri Kim, u shpreh se marrëveshja do kënaqë dhe skeptikët në një kohë tjetër.

Ilir Meta, president i Shqipërisë, është shprehur me anë të zëdhënësit së tij se marrëveshja është e mirë por e pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira. Për komisionerin e zgjerimit Varhelyi, kjo ishte një arritje e madhe dhe një hap tjetër drejt bashkimit Evropian.

Mbështetja ka ardhur dhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca. Por Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë mendon se marrëveshja s’ka sjellë asgjë të re, por sipas tij kjo ishte kërkesa e opozitës. Kreu i PD, Lulzim Basha, me anë të një statusi në rrjetin social ka përshëndetur arritjen, duke e quajtur një garanci për zgjedhjet e ardhshme, dhe një hap më pranë drejt rrotacionit të pushtetit. Më poshtë, të gjitha reagimet:

Youri Kim, Ambasadore e SHBA në Tiranë
“Jemi shumë të kënaqur që Këshilli Politik mori këtë vendim dhe u bë kjo marrëveshje e rëndësishme. Të gjitha palët kanë dhënë kontributet e tyre, por kanë hequr dorë, e kanë dhënë diçka që Shqipëria të përfitojë. Disa do ta kritikojnë si jo të mjaftueshme këtë marrëveshje, por po ta shikojmë në një kuadër më të gjerë, kjo është një gjë për të cilin të gjithë më pas do japin mbështetjen e tyre. Sa i përket SHBA ne jemi krenarë për këtë marrëveshje, do ju mbështesim në rrugën e integrimit europian”.

Oliver Varhelyi, Komisioneri për Zgjerimin
“Marrëveshja e sotme politike për Reformën Zgjedhore në Shqipëri është një arritje e madhe. Uroj ngrohtësisht të gjitha palët që përmes procesit gjithëpërfshirës arritën në këtë pikë. Reforma do të forcojë procesin zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e ODIHR, në dobi të të gjithëve. Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e saj evropiane sot”.

Josep Borrel, Zv.president i KE-së
“Ne i urojmë të gjitha palët për marrëveshjen e sotme të rëndësishme për reformën zgjedhore. Ne e mirëpresim procesin gjithëpërfshirës dhe vlerësojmë gatishmërinë politike për të arritur konsensus. Kjo është një arritje e rëndësishme që do të përfitojë nga qytetarët e Shqipërisë. Dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor, të miratuara dikur nga Parlamenti, do t’i japin Shqipërisë një proces zgjedhor me integritet dhe standarde më të larta transparence, bazuar në rekomandimet e OSBE / ODIHR, përfshirë edhe depolitizimin gradual të administratës zgjedhore”.

Luigi Soreca, ambasadori i BE-së
“Të mërkurën ne kemi pasur një marrëveshje të mirë, pas disa diskutimeve të mira. Ju e dini që opozita e bashkuar ka kërkuar të shikonte dhe shqyrtonte më tej disa çështje, si depolitizimin e administratës zgjedhore, gjë që është në përputhje me rekomandimet e OSBE. Ne e mbështesim këtë hap të rëndësishëm të arritur. Javën që vjen KE do të propozojë edhe kuadrin negociator. Kështu që tani le të ecim përpara. Shumë faleminderit”.

Presidenca e Shqipërisë
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta përgëzon Këshillin Politik për konsensusin e sapo arritur për Reformën Zgjedhore. Ky është një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kultura e konsensusit duhet të vazhdojë edhe për kushtet e tjera për të përshpejtuar çeljen e negociatave. Falënderime edhe partnerëve tanë europianë për durimin e tyre!”.

Lulzim Basha, Kryetari i PD
“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’ua kthyer qeverisjen shqiptarëve. Në emër të Opozitës së Bashkuar iu shpreh falënderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euroatlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakordësisë për administrimin zgjedhor”.

Edi Rama, Kryeministër
“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata. Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë ODIHR është dakord që kjo nuk e cenon lirinë e zgjedhjeve BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”.

Damian Gjiknuri, përfaqësues i PS
“PD nuk ishte gati, e kundërshtoi, por tani kemi rregulla të pranuar nga gjithsecili edhe me këtë administratë që kemi. Ajo që u pranua është një administratë e balancuar, me kërkesë të PD do funksionojë edhe për zgjedhjet e 2021. PD hoqi dorë nga kërkesat absurde, nuk ka më kërkesa për menaxhimin e zgjedhjeve, qeveria tranzitore. Përtej pretendimeve, më në fund u kthyen aty ku duhet të ishin, e rëndësishme është ta pranojmë këtë sistem, pasi në këto kohë depolitizimi të shtrihet gradualisht”.

Prezenca e OSBE
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret marrëveshjen ndërpartiake për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, një proces thelbësor të cilin ne e kemi mbështetur prej vitesh. Është për t’u lavdëruar fakti që të gjitha partitë politike u bënë pjesë e këtij procesi dhe që propozimet e tyre konstruktive si edhe aftësia e tyre për të bërë kompromis e për të pranuar pikëpamje të ndryshme kontribuuan në një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë në Shqipëri, në dobi të qytetarëve shqiptarë”.

Rudina Hajdari, opozita parlamentare
“Doja ta përfshinim edhe këtë pikë për sistem të hapur, lista të hapura si shumica e vendeve të BE. Mora garanci nga ambasadorët se bisedimi për ndryshimin e sistemit do vazhdojë, për listat e hapura dhe ligjin e referendumeve si dhe vota e diasporës. Ne i dhamë sot garancinë Shqipërisë të hapë negociatat”.

6 ditët e reformës: Lufta e prapaskenat për komisionet
Është interesante se si shkuan negociatat për reformën zgjedhore. 6 ditët e fundit kanë qenë dinamike, dhe mjaft aktive në marrje e dhënie, edhe pse në publik, nuk kuptohej shumë se çfarë po ndodhte. Pika kyçe e gjithë ngërçit, ishte se Rama dhe qeveria po shfrytëzonin një rekomandim të ODIHR për depolitizimin e administratës zgjedhore për t’i bërë komisionerët, drejtorë dhe specialistë të administratës. Pra, më besnikët e mundshëm ndaj saj dhe më agresivët ndaj Opozitës. Këtu ka qenë gjithë beteja dhe suksesi i PD dhe Bashës. Shihni më poshtë një kronologji të zhvillimeve.

 E diel 31 Maj 2020:

PS vendosi vijë të kuqe për reformën zgjedhore depolitizimin e komisioneve zgjedhore, për të zëvendësuar komisionerët e opozitës me punonjës të administratës publike, sipas një sistemi aplikimi me thirrje të hapur për çdo qytetar.

PD e kundërshtoi prerë, me argumentin që komisionet do të mbushen me punonjës të administratës që do të detyrohen të aplikojnë. Administrata publike është e politizuar ishte pretendimi i PD dhe kërkesa për depolitizim është e papranueshme për opozitën.

PS këmbënguli me pretendimin se depolitizimi është kërkesë e OSBE/ODIHR dhe komisionet duhet të përbëheshin nga 5 anëtarë të zgjedhur me short nga KQZ, në bazë të aplikimeve të lira të qytetarëve.

PD vuri kusht të panegociueshëm identifikimin biometrik në 100 për qind të qendrave të votimit. PS refuzoi pranimin e identifikimin biometrik 100 për qind, por vetëm në 20 për qind të qendrave të votimit.

E hënë 1 Qershor:

Ambasadorët i kërkuan Lulzim Bashës të pranonte depolitizimin e administratës zgjedhore sipas propozimit të PS, në këmbim të identifikimit biometrik 100 për qind.

Lulzim Basha nuk pranoi të hiqte dorë nga garancitë që opozita ka në komisionet zgjedhore, duke bërë të qartë që Edi Ramës nuk mund t’i besohet administrimi i zgjedhjeve. Ambasadorët kërkuan që PD të prezantonte një formulë alternative nga ajo që kishte propozuar PS.

E martë 2 Qershor:

PD ofroi mundësinë e gjetjes së një formule të re për zgjedhjen e komisionerëve, po me propozim të partive politike, por që rriste profesionalizmin e tyre. PS e refuzoi duke vënë si kusht të panegociueshëm depolitizimin e komisioneve zgjedhore.

PD këmbënguli tek identifikimi biometrik dhe PS pranoi që të realizohej 100 për qind nëse kjo ishte e mundshme sipas vlerësimit teknik të KQZ dhe ekspertëve ndërkombëtarë. Qeveria mori përsipër të vendosë në dispozicion fondet e nevojshme në kohë për realizimin e identifikimit biometrik.

E mërkurë 3 Qershor:

PD pranoi depolitizimin e komisioneve, duke kërkuar që 3 komisionerë të jenë të depolitizuar, por me kushtin që 172 mijë punonjësit e administratës publike të jenë të përjashtuar nga aplikimi, dhe 4 anëtarë pa të drejtë vote, nga të cilët 2 mazhoranca dhe 2 opozita.

PS pranoi vetëm formulën e ndarjes në përbërjen e komisioneve, por refuzoi kushtin që 3 anëtarët të mos vijnë nga administrata publike. Refuzimi nxori zbuluar qëllimin e PS që të mbushte komisionet zgjedhore me punonjës të administratës publike.

Ambasadorët ofruan si zgjidhje të mesme, që përjashtimi për 3 komisionerët e depolitizuar të jetë vetëm për ata që janë punësuar në vitin e fundit përpara datës së zgjedhjeve.

Ky propozim u konsiderua si formulë kompromisi, por nuk u pranua nga PD.

E enjte 4 Qershor:

Çështja u mor në dorë nga Komisioni Europian, i cili kërkoi jo vetëm konsensus, por edhe ruajtjen e garancive për opozitën në zgjedhje. Edi Rama në Kuvend shprehu nervozizëm për përfshirjen e Bashkimit Europian në këtë proces, duke e cilësuar si të paprecedentë.

Në mesditë, Ambasadorët i ofruan PD dy zgjidhje të reja si formula të mundshme kompromisi, të përgatitura nga Delegacioni i BE-së në Tiranë, njëra prej të cilave ishte: “Kryetari në komisionet zgjedhore, që është i vetmi që ka rol vendimmarrës, nuk duhet të vinte nga radhët e administratës publike, ndërkohë që 2 ndihmësit pa të drejtë vote mund të ishin punonjës të administratës. Përjashtimisht për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale edhe 2 ndihmësit nuk duhet të ishin punonjës të administratës publike.”

E premte 5 Qershor:

Në orën 10:30 në mëngjes PD njoftoi Ambasadorët se bazuar në propozimin e ri të Delegacionit të BE-së të datës 4 Qershor, Opozita pranon opsionin e propozuar sipas të cilit: “Kryetari në komisionet zgjedhore, që është i vetmi që ka rol vendimmarrës, nuk duhet të vinte nga radhët e administratës publike, ndërkohë që 2 ndihmësit pa të drejtë vote mund të ishin punonjës të administratës. Përjashtimisht për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale edhe 2 ndihmësit nuk duhet të ishin punonjës të administratës publike.”

PD njoftoi për këtë Komisionin Europian, vendet anëtare të BE dhe Presidentin e Republikës.

1 orë më vonë Ambasadorët njoftuan se PS e refuzon këtë opsion të pranuar nga PD dhe se PS ka një propozim të ri: PS heq dorë nga depolitizimi i administratës zgjedhore, duke pranuar që përbërja e komisioneve të mbetet siç është aktualisht në ligj.

Ambasadorët propozuan që në ligj të depolitizohen komisionet me efekt PAS zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale, por për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale, komisionet të mbeten siç janë aktualisht. Depolitizimi hyn në fuqi në zgjedhjet e vitit 2025. Për këtë kërkuan dakordësinë e palëve.

PD njoftoi në orën 14:30 se është dakord me këtë propozim.

PS njoftoi që është dakord me këtë propozim në orën 16:00.

Palët u dakordësuan për mbledhjen e Këshillit Politik për në orën 19:30.

 DOKUMENTI

12 pikat për të cilat është rënë dakord në Këshillin Politik

1 – Identifikimi elektronik. ODIHR sugjeron nisjen me një projekt pilot në jo më shumë se 20% të votuesve. Megjithatë partitë u shprehën të vendosura të mbështesin identifikimin elektronik 100% në zgjedhjet e ardhshme. Zbatueshmëria do të vendoset nga KQZ me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë. Qeveria garanton fondet për implementimin.

2 – KQZ. KQZ do të ketë nënkomisioner që do të merret me procesin e identifikimit elektronik dhe do të ndihmohet nga ekspertët ndërkombëtarë.

3 – KQZ. Struktura e KQZ do të përbëhet nga 5 anëtarë.

4 – Komisionet e Numërimit. Dy zyrtarë jo politikë. 2 do të jenë të mazhorancës e dy të opozitës, ose 3 vëzhgues, ose një monitorues për secilën nga 4 partitë parlamentare fituese në zgjedhjet e 2017.

5 – Qendrat e votimit: Dy anëtarë të komisionit janë të zgjedhur nga mazhoranca dhe minoranca ndërsa 3 përzgjidhen me lotari nga KQZ. Vetëm njëri prej tyre do të ketë rolin e vendimmarrësit, dy të tjerët do të asistojnë.

6 – Zonat e Administrimit Zgjedhor do të jetë e njëjta strukturë si ajo e qendrave të votimit

7 – Kolegji Zgjedhor duhet të përbëhet nga gjyqtarë që më përpara kanë kaluar vetingun

8 – Procesi i apelimit. Kolegji Zgjedhor mbetet i pandryshuar. Nuk do të jetë Gjykata Kushtetuese.

9 – Depolitizimi: Nuk do të ketë ndryshime në administratën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Punonjës të sektorit publik do të kenë mundësi të jenë pjesë e administratës zgjedhore

10 – Adaptimi. Të gjitha propozimet e dakordësuara do të draftohen në një amendament ligjor që do të rishikohet nga Këshilli Politik. Çdo korrigjim nëse do të propozohet duhet të kalojë më parë në këshillin politik.

11 – Këshilli Politik do të vijojë diskutimet për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR sa i takon blerjes së votave.

12 – Kur do të hyjnë në fuqi. Pikat 1,2 , 3, 7, 8, 9, 10 dhe 11 dhe dy shënimet më poshtë do të hyjnë në fuqi në zgjedhjet e ardhshme. Pikat 4, 5, 6 do të hyjnë në fuqi zgjedhjet e tjera.


Etiketa: ,

Pas