-Realitete shqiptare në Qarkun e Korçës gjatë pushtimit gjerman
Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I KALUAR
Në vijim të këtij punimi, lexuesi i gazetës “Mapo” do të njihet me gjendjen politike, ekonomike, të rendit dhe sigurisë publike, mënyrën e funksionimit të administratës, rreth abuzimeve e korrupsionit të nëpunësave e të personave të ngarkuar me shërbime zyrtare në nënprefekturat e Pogradecit dhe të Devollit, në Qarkun e Korçës.
Me interes janë për lexuesin, por jo vetëm, edhe informacionet që përcillen për raportin në mes forcave nacionaliste dhe atyre të çetave komuniste në rrethet e Pogradecit dhe të Bilishtit.
4. Gjendja në Nënprefekturën e Pogradecit në mars 1944
Zëvendësisht nënprefekti i Pogradecit Neim Starova, më 18 mars 1944, informoi Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme se situata në rrethin e kësaj Nënprefekture kishte arritur mjaft delikate, shqetësuese dhe alarmuese për popullin si edhe e pa dëshirueshme në raport me programin qeveritar, për arsye se fuqia e çetave komuniste me rekrutimin e detyrueshëm që po bënte në viset e okupuara Gorë e Mokër, ishte duke u shtuar, aq sa mund të thuhej se kishte arritur afërsisht deri në dy mijë veta.
Gjithë forcat e komunistave ndodheshin të vendosura në krahinat e këtij rrethi të quajtura Gorë e Mokër, duke u shtrirë ajo e Gorës deri në krahinën e Oparit dhe ajo e Mokrës deri n’afërsinat e Quksit.
Nga fuqitë e Organizatës së Ballit Kombëtar të Pogradecit, sadoqë ishin të mëdha në numër, nuk mund të pritej ndonjë shërbim, për arsye se u mungonte organizimi dhe në to ishin përmbledhur elementë të çdo lloji e të pavlefshëm, aq sa çdo luftim i tyre kundër komunistave, kishte përfunduar me disfata të ndjeshme në dëm të Ballit Kombëtar.
Sipas nënprefektit Starova, sjelljet e ballistave karshi popullit ishin shumë të këqija, torturat kishin arritur kulmin, dëshpërimi i popullit ndaj fuqisë së Ballit ishte i pa shpjegueshëm. Për këto arsye, mund të thuhej se fuqitë e Ballit të Pogradecit për sa i përket forcës luftarake kishin falimentuar krejtësisht duke mbetur si një figurë antipatike dhe e tmerrshme karshi popullit, mbasi, veç sa u përmend më sipër, kjo fuqi ishte dita – ditës duke varfëruar popullin me ushqimin e fjetjen e vazhdueshme si edhe me grabitjet që po bënin në kurriz të tij.
Në vijim, nënprefekti Starova theksonte se “një popull shumë i vuajtur nga rrethanat e ngjarjeve të luftës, sidomos ai i qytetit (Pogradecit) i djegur dhe i dëmtuar tepër rëndë prej ushtrisë së okupatorit italian, nuk mundet të durojë edhe më barbarizmat që po i bëhen prej vëllezërve të tyre ballista, por [i] shfaq bindje e besim të plotë autoritetit qeveritar tue qenë gati për të bërë çdo sakrificë që në këtë gjendje kaq të dëshpërueshme vetëm e vetëm fuqija qeveritare të marrin frenat në dorë, për përmirësimin e situatës dhe të stabilizohet gjendja”. Përkundrazi, sipas nënprefektit Starova, ballistat kishin për qëllim që të mos stabilizohej gjendja por të vazhdonte anarkia në mënyrë që të sundonin vetë e të përfitonin materialisht.
Në përfundim të informacionit, kërkohej nga Ministria e Brendshme që të disponohej marrja e masave të rastit, mbasi në qoftë se fuqia e komunistave do të vazhdonte të qëndronte në krahinat Gore e Mokër, në një sulm eventual që mundet t’i bëhej qytetit të Pogradecit prej tyre, parashikohej se do të kishte rrjedhime tepër të dëmshme.
5.Gjendja në Nënprefekturën e Devollit, në gusht 1944
Më 24 gusht 1944, zëvendësisht nënprefekti i Devollit, Skënder Dume, i raportoi Ministrisë së Punëve të Brendshme gjendjen në këtë rreth. Sipas këtij raporti, fuqitë partizane të ndihmuara dhe nga Brigada e II-të, në kohët e fundit, kishin shkelur një shumicë të fshatrave të këtij rrethi, kishin grabitur e djegur shtëpitë e pasurinë e gjithë pjesëtarëve të organizatës nacionaliste. Forcat e Ballit Kombëtar, sado që ishin mbledhur më se 5 – 6 herë deri 500 – 600 veta, nuk kishin bërë asnjë ndjekje, kjo kishte rjedhur nga disorganizimi dhe mungesa e komandantëve që i udhëheqnin. Sjelljet e komandantëve dhe pjesërisht të trupave të tyre vlerësoheshin kaq të dobëta sa kishin “shnderuar Nacionalizmin”.
Në vijim raporti paraqet disa nga ngjarjet që konsideroheshin të shëmtuara dhe vepra antikombëtare që kishin bërë elementët e komandantët e Ballit Kombëtar në rrethin e Devollit:
Më 23 gusht, komandanti i batalionit të Bilishtit, Gani Zëmblaku, bashkë me klikën e tij, tue qenë në shëtitje kishte arrestuar në mënyrë tronditëse të qetësisë anëtarin e Këshillit Administrativ, avokat Ali Çaushin, dhe sekretarin e Bashkisë, zotin Nevruz Subashi, të cilët, kur i mori në komandën e tij, me fjalë brutale i ofendoi dhe i detyroi që ose të kthenin djemtë e tyre që i kishin të arratisur me çetat partizane, ose të largoheshin nga Bilishti.
Ishte e vërtetë që avokati Ali Çaushi kishte të birin e tij të arratisur me çetat partizane qysh prej një viti, por për kthimin e tij kishte bërë ç’kishte qënë e mundur dhe mjerisht nuk kishte realizuar dot qëllimin që dëshironte. I biri i Ali Çaushit, kur kishte vajtur një herë ky ta merrte në çetat partizane, i kishte drejtuar revolverin, kështu çdo përpjekje i kishte shkuar kot.
Sipas nënprefektit Dume, zoti Ali Çaushi, ndonëse me të vërtetë kishte djalin e vet të arratisur, porse ishte një nacionalist i kulluar, dhe asnjë aktivitet ose përkrahje nuk i kishte dhënë Lëvizjes Nacionalçlirimtare, përkundrazi ishte urrejtës i saj. Mbi nacionalizimin e tij Nënprefektura e Bilishtit kishte rekomandimet nga titullari i Prefekturës së Korçës, i cili e njihte shumë mirë.
Përveç kësaj ngjarjeje, zotin Çaushi elementët e Ballit e kishin frikësuar dhe shumë herë të tjera, sidomos në kohën kur nuk ndodheshin fuqitë qeveritare në Bilisht.
Gjithashtu, po më 23 gusht, komanda e Ballit kishte arrestuar edhe zotin Nevruz Subashi, i cili me të vërtet kishte djalin e tij 14 vjeçar të arratisur me çetat komuniste, por ky vetë nuk ushqente asnjë ndjenjë për komunizmin, përkundrazi ishte një njeri i ndershëm, përgatitej si nëpunës i vlefshëm për të ardhmen dhe korrekt në të gjitha veprimet e tij shoqërore dhe qeveritare.
Më datën 25 maj 1944, kapteri i xhandarmërisë, i shtytur nga disa persona që do përmenden më poshtë dhe pjesëtarët e Ballit, kishte rrahur në tregun e Bilishtit Dr. agronom Reshat Kosturin, kryetarin e Zyrës së Bujqësisë, me pretekst se ky ishte komunist.
Mbi këtë çështje, më 27 maj 1944, Nënprefektura e Devollit i kishte shkruar Prefekturës së Korçës dhe u kishte kërkuar transferimin ose pushimin e kapterit në fjalë, mirëpo, mjerisht, sado që u bënë intervenimet pranë Komandës së Qarkut katër-pesë herë, i përmenduri në mënyrë qesharake, pasi u transferua, u dërgua përsëri në Bilisht dhe kurdoherë që kthehej publikonte në popull se sado që nënprefekti u mundua ta transferonte, nuk pati çfarë t’i bënte. Vetëm pasi zëvendësisht titullari i Nënprefekturës së Bilishtit kërkoi o largimin e tij, ose dërgimin e një nëpunësi tjetër për të marrë në dorëzim Nënprefekturën, Komanda e Qarkut të përmendurin e transferoi në Korçë.
Më 20 qershor 1944, komandanti gjerman i Garnizonit të Bilishtit, nëntoger Najding, mbasi mori dhe dy xhandarë nga komanda e Rrethit, arrestoi në katundin Cangonj të quajturit Qani Bektash, Bektash Riza, Gure Halil dhe Arif Bektashi, të cilët i internoj për në Greqi, duke i konsideruar si elementa të rrezikshëm komunistë.
Për këtë vepër, i përmenduri ishte shtyrë nga kryetari i Sektit Halveti Sheh Qerimi dhe biri i tij Salih Shehu, kryetar i Bashkisë së këtushme, me anën e nipit të tyre Faik Cangonji, i cili bisedonte me komandantin në fjalë frëngjisht.
Arsyeja e këtij internimi ishte pse klika e sipërme shkonte keq me të përmëndurit, qysh më parë, dhe se këta bënin pjesë në sektin Bektashian dhe s’ishte aspak e vërtetë që të katër të sipërpërmendurit të ishin komunista.
Drejtori i Postë Telegrafit të Bilishtit, zoti Zydi Veliu, në bashkëpunim të ngushtë me ish të ndjerin Emin Kadinë, nga katundi Sul, përpara se të vinin fuqitë ushtarake të xhandarmërisë në këtë qytet, kishin ushtruar autoritetin administrativ e politik të vendit, kishin shitur dhe marrë taksat e Bashkise 16 000 franga shqiptare për vete dhe për shokët e tyre. Duke qenë në lidhje të ngushtë me fuqitë gjermane, në këtë kohë kishin marrë nëpër fshatra në emër të ushtrisë dhe përvetësuar për vete mishra, pula, miell, gjalpë, djathë e shumë e shumë gjëra të tjera. Në disa fshatra kishin marrë edhe të holla.
I përmënduri dëshironte që këtë autoritet që kishte patur më përpara në popull ta ushtronte përsëri, duke frikësuar opinionin se në rast që nuk binden në thënjet e tij do t’i dëmtonte me anën e gjermanëve,” me një fjalë ishte bërë satrap i vërtetë i popullit”.
Ky i mësonte ushtarët gjermanë që të kërkonin nëpër fshatra ato që bënte në emër të tyre dhe bashkë me ta muajt e parë; kështu që organet e xhandarmërisë të cilat ishin të urdhëruara të ruanin popullin nga grabitje të tilla, kishin hasur mijëra pengime.
Përgjithësisht kishin grabitur dhe torturuar një pjesë të pafajshme të popullsisë së Rrethit të Devollit, e veçanërisht elementin ortodoks. Simbas mendimit të nënprefektit Dume, ishin shkaktarët kryesorë të përçarjes së elementëve.
Nënprefekti Dume insistonte se “për të gjitha këto ngjarje të shëmtuara, si kundrejt elementit ortodoks ashtu edhe kundrejt të tjerëve të pafajshëm, komandantët e Ballit e sidomos Gani Zëmblaku që kishte cilësinë e komandantit të batalionit, është shtyrë nga kryetari i Sektit Halveti të përkrahur nga dhëndri Muhamer Abidini që ndodhesh në Korçë në Komitetin Krahinor të Ballit”.
Një nga arsyet e tjera që kryetari i Bashkisë trondit gjendjen, ishte sepse ky u tërhoq nga detyra e zëvendës nënprefektit dhe, tjetra, kërkoi që e tërë popullsia e Devollit të jetë nën urdhërat e tij absolute dhe me ketë rast të shfrytëzonte ambicjet dhe hakmarrjet që kishte me persona të ndryshëm.
Në vijim të raportit, sqarohet se zëvëndësisht titullari i nënprefekturës së Devollit, simbas urdhërave eprore dhe veçanërisht mbas këshillave të prefektit të Korçës, qysh në ditët e para ishte munduar dhe po mundohej për të zhdukur plagën që ishte hapur në këtë rreth midis elementëve. Në të gjitha komisionet dhe nënkomitetet që kishte formuar kishte respektuar parimin e mësipërm; sa që me të vërtetë elementi ortodoks e kishte kuptuar që qeveria dhe nacionalizmi nuk ishin të mendimit të përçarjes, por përkundrazi të një bashkimi të plotë të të gjithë shqiptarëve. Përpara një qëndrimi të tillë, elementët turbullues të sipërpërmendur ishin munduar dhe po mundoheshin me çdo mënyrë që në pjesën injorante të bindnin popullin se zëvëndësisht nënprefekti ishte komunist dhe se “kërkonin të ulnin prestigjin qeveritar për të ngrituar atë të tyrin, që s’kishte asnjë bazë shqiptarizme”.
Fuqitë e xhandarmërisë dhe sidomos komandanti i Rrethit të Devollit, toger Sulejman Male, ishte i vendosur për të punuar me parimet e caktuara nga qeveria dhe nacionalizmi i vërtetë, por duke qenë që fuqinë e kishte pothuajse të gjithën vendase, nuk ishte në gjendje të kryente detyrat si duhet. Disa herë kishte takuar rasti që xhandarmëria të ndërhynte për padrejtësitë që bënte organizata e Ballit në këtë rreth, por xhanndarët duke qenë në relacion familjar me këta kishin marrë qëndrim në favor të tyre. Për transferimin e këtyre elementëve titullari i kësaj Nënprefekture i ishte drejtuar shumë herë komandantit të Qarkut, por mjerisht në vend që t’i hiqte vendasit dërgonte edhe të tjerë.
Meqenëse mungesa e titullarit të Prefekturës së Korçës i kishte lënë pa udhëzime dhe pa patur vend për të marrë urdhëra e këshilla, në interes të mbarëvajtjes së vendit, nënprefekti Dume u propozonte autoriteteve të Ministrisë së Brendshme që të demarshohej pranë Komandës së Përgjithshme të Ballit Kombëtar që Gani Zëmblaku, i cili konsiderohej se “nuk ishte tjetër gjë vetëm se një i vdekur i pa mbuluar në pikëpamje të aktivitetit”, të hiqej nga detyra që kishte dhe kështu në vend të tij të dërgohej një oficer i ushtrisë. Në këtë mënyrë, vlerësohej se jo vetëm forcat e Ballit mund të grumbulloheshin dhe të disiplinoheshin më mirë, porse edhe zhdukej kjo klikë që ishte formuar.
Kurse drejtori i Postëtelegrafit propozohej që në çdo mënyrë të transferohej jashtë Prefekturës, mbasi ky kishte lidhje të ngushtë edhe me gjermanët në Korçë dhe kështu qëndrimi i tij atje do të shtrinte influencën përsëri me shokët e tij të vjetër në këtë rreth.
Sa për kryetarin e Bashkisë, nënprefekti Dume hëpërhë ishte i mendimit që të mos merrej ndonjë masë, vetëm se në rastin më të parë, pas një muaji ose dy, të transferohej edhe ky.
Për personat e sipërpërmendur, meqenëse zëvendësisht titullari i Prefekturës së Korçës z. Dhimitër Bala ndodhej në Tiranë, mund të thirrej dhe të merreshin shpjegime më të gjata.
Duke përfunduar, nënprefekti Dume shtonte se, në rast që kjo parashtresë nuk do të merrej parasysh, Ministria e Brendshme të urdhëronte dërgimin e një nëpunësi tjetër për të marrë në dorëzim këtë Nënprefekturë, mbasi ai nuk mund të vazhdonte të qëndronte më në shërbim”.
VIJON NUMRIN E ARDHSHEM
LEXO EDHE:
Realitete shqiptare në Qarkun e Korçës gjatë pushtimit gjerman