Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka deklaruar se mësuesit e të gjithë shkollave do të paraqiten nesër në punë, në mënyrë që të nisë përgatitja e orëve mësimore. Në një deklaratë për mediat, Shahini u shpreh se mësimi në qarkun e Durrësit do të fillojë më datë 9 dhjetor, ndërsa në Tiranë dhe Lezhë do të fillojë më 5 dhjetor, me opsion shtyrje.
Ministrja tha se mësuesit në qarkun e Durrësit që nuk mund të paraqiten nesër në punë, do të mirëkuptohen për shkak të situatës më të rëndë pas tërmetit. Ndërsa për mësuesit e qarkut të Tiranës, Shahini tha se kthimi në punë është i detyrueshëm dhe do të monitorohet.
Ministrja u ndal gjithashtu edhe tek shkollat e dëmtuara, duke dhënë shifra konkrete. Sa i takon datave të pushimit, ministrja tha se duhet të rishikohen për të zëvendësuar orët e anuluara.
Deklarata e Besa Shahinit:
Që ditën kur ra tërmeti kemi marrë informacion nga drejtorët e shkollave për dëmet. Më pas janë bërë inspektimet në këto shkolla. Më datë 28-29 , kanë ardhur edhe inxhinierë nga Kosova. Dje, nga informacioni në terren, kemi konstatuar që shumë shkolla kanë dëmtime serioze, por edhe nga ata që mund të rregullohen.
Në Durrës e Lezhë kanë dëmtime të thella 26 shkolla. Në Tiranë dëmtime mesatare dhe të lehta janë 23, përveç Prezës që do të zhvendosen nxënësit në një shkollë tjetër. Një pjesë e shkollave në Tiranë janë mbyllur, por jo të gjitha.
Mbrëmë kemi bërë zhvendosjen e planeve të nxënësve tek shkollat pritëse. Kemi bërë kalkulimin e kostove dhe jemi në proces të mjeteve të transportimit. Edhe për nxënësit që janë strehuar nëpër hotele, duhet t’i çojmë në shkollat më të afërta.
Plani i punës për detyrat e shtëpisë, e kemi mbyllur për strehimet e përkohshme; jo vetem në hotele, por edhe tek çadrat. Plan përgatitor për mësuesit që do të dalin në punë para se të vijnë nxënësit.
Në qarqet e tjera vijon normalisht, nesër. Vendimi për pezullimin e për mësimin vlen edhe për shkollat private, ndërsa për çerdhet, për qarqet Tiranë dhe Lezhë, edhe mund të rihapen. Komunikimi do të bëhet nga bashkitë.
Mësuesit i presim në punë me 2 dhjetor. Përveçse në Durrës, që do të jetë me tolerim. Kjo është e domosdoshme për të përgatitur mësimin. Nuk është opsionale, por do të monitorohet. Mosparaqitja nuk paraqiti problem, por tani është momenti i përgatitjes së mësimit. Jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Duhet të vihet në plan të dytë frika. Kemi përparësi mësimin.