Dikur

Masakra e Borovës dhe ngjarje të tjera me interes në Qarkun e Korçës






               Publikuar në : 08:35 - 03/10/19 |
mapo.al

-Realitete shqiptare në Qarkun e Korçës gjatë pushtimit gjerman


Nga Veli Haklaj



VIJON NGA NUMRI I KALUAR

Në pjesën e tretë dhe të fundit të këtij punimi, do të paraqesim të dhëna me interes për disa ngjarje të ndodhura në Qarkun e Korçës, ku me rëndësi janë informacionet për gjendjen dhe sjelljet e formacioneve të Ballit Kombëtar dhe çetave partizane, ballafaqimet midis fuqive të Xhandarmërisë me ato të Ballit Kombëtar, përpjekjet me forcat partizane etj. 

  1. Viktimat e Masakrës së Borovës

Më 15 korrik dhe 2 gusht 1943, Prefektura e Korçës informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Tiranë, mbi viktimat e shkaktuara nga operacioni i ushtrive gjermane në Borovë dhe Barmash, duke dërguar dhe listën e viktimave.

Në informacionin e datës 2 gusht 1943, që i referohet njoftimeve të nënprefekturës së Kolonjës, parashtrohej se “nga operacionet e bëra nga ushtria gjermane janë djegur katundet: Borova, Barmashi, Kamniku, Gozhdorazhd, Sanjollas, Shalesi, Radimishti dhe dy shtëpi në katundin Benjezë. Në katundin Borovë u konstatuan 107 persona të vrarë e një pjesë të djegur dhe 6 të plagosur burrra, gra e fëmijë. Në katundin Bramash 8 persona të vrarë”.

  1. Vrasjet te Çezma e Radanecit

Sipas informacionit të datës 15 shkurt 1944, të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, drejtuar Zyrës Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezulton se më 19 janar 1944, në rrugën e Turanit, në vendin e quajtur Çezma e Radanecit, natën, nga ana e fuqive të Ballit Kombëtar të Korçës u ekzekutuan personat e mëposhtëm:

1) Hajdar Rushan Mborja, nga Korça, si komunist;

2) Beqir Nuredini, nga katundi Voskop e banues në Korçë, i pandehur për shumë grabitje dhe mashtrime të ndryshme;

3) Marko Gaqi, lindur dhe banues në katundin Bulgarec, i cili pandehej të kishte marrë pjesë në vrasjen e disa nacionalistave në rajonin e Prefekturës së Korçës të ndodhura gjatë vitit 1943.

4) Nasi Cico, lindur dhe banues në Korçë, nëpunës pranë Financës lokale. Arsyet e vrasjes se Nasi Cicos ende nuk diheshin.

  1. Gjendja e fuqive të Ballit Kombëtar në mars 1944.

Në vijim të informacionit rezervat të datës 10 shkurt 1944, Prefekti i Korçës, Dhimitër Bala, informoi më 8 mars 1944 Zyrën Politike të Ministrisë së Punëve të Brendshme se “mungesat disiplinore që konstatohen ndër fuqitë e Ballit Kombëtar janë të rënda aq sa kanë shkaktuar të mos shikohen me sy të mirë nga ana e popullsisë paqedashëse dhe të urrehen nga vetë nacionalistat që bëjnë pjesë në organizatë”. Megjithë përpjekjet dhe vullnetin e fortë të treguar prej komandantit të Grupit të Fuqive të Ballit dhe anëtarëve të Komitetit të Ballit Kombëtar të Korçës, për t’i vënë në rrugë të mbarë, nuk kishte qenë e mundur, mbasi ndër ta mungonte ideali që t’i shtynte të qëndronin në lartësinë e misionit.

Në vijim të informacionit, prefekti Bala thekson se përfaqësuesit e Ballit po mundoheshin me çdo mënyrë të futnin në shpirtin e njësive të tyre ndjenjën e detyrës, të disiplinës, të rregullit dhe të nënrendimit, por më kot, sepse pjesa më e madhe e komandantëve të çetave ishte fare e papërshtatshme për një përgatitje të tillë dhe, nga ana tjetër, iu pëlqente të vepronin me kokën e tyre. Të paktë ishin ata që kuptonin nevojën e disiplinës dhe që vepronin simbas urdhërave të eprorëve.

Ngjarjet e vërtetuara të renditura më poshtë vlerësohej se ishin rrjedhim i drejtpërdrejtë i të metave të parashtruara më sipër:

1) Në ditët e fundit të muajit shkurt, në fshatin Llozhan të Gorës, ndodhej një çetë e vogël komuniste kundra të cilës u angazhuan në luftim një fuqi e Ballit, e cila, mbasi e kishte thyer kundërshtarin, në vend që të qëndronte në vijën e luftimit, tërhiqet të kalojë nëpër shtëpitë e fshatit dhe u mjaftua një fuqi e vogël armike që të marrë kundërsulm dhe t’i vënë në panik duke lënë të vdekur dhe robër në duar të komunistave.

2) E njëjta ngjarje u vërtetue pak ditë më vonë edhe në zonën e Mokrës. “Ishte vetëm për hir të vullnetit të hekurt të Xhevat Starovës që beteja e ndërmarrun pëfundoi në favor të Ballit, me humbje të rënda për kundërshtarin”.

Për këto arsye, prefekti Bala theksonte se “fuqia e Ballit nuk ka asnjë ideal, asnë shpirt sakrifice dhe asnjë ndjenjë detyre që t’i bëjë të rezistojnë dhe t’iu dalin në krye ndërmarrjeve të ndryshme, sidomos kundër komunistëve që luftojnë mirë dhe që vdesin të vendosur, në mos për ideal, ndoshta për disiplinë e për frikë, se po të kthehen mbrapa i pret plumbi, ndërsa në rreshtat e Ballit mungon një masë e tillë, qoftë edhe shumë rrallë, me qëllim shembulli për të tjerët”.

Populli i shihte fare qartë të gjitha këto dhe prandaj me të drejtë e kishte humbur besimin ndër vullnetarët e Ballit dhe priste me padurim fuqitë e organizuara qeveritare. Prefekti Bala vlerësonte se “populli kishte plotësisht të drejtë, sepse vetëm fuqitë qeveritare do të mundin të rivendosin dhe të siguronin rendin botuer e të qetësonin shpirtrat e tij”.

Në këto rrethana, Prefektura e Korçës kërkonte nga autoritetet qendrore që çështjes t’i kushtonin rëndësinë e duhur, me qëllim që dërgimi i një fuqie të rregullt e të mjaftueshme qeveritare, të paktën në Korçë, të mos vonohej më tepër, mbasi vetëm në këtë mënyrë do të ishte e mundur të shpëtonin, në mos tjetër, atë që kishte qenë e mundur të rindërtohej deri në ato momente në pikëpamje të rendit botuer.

Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë së Korçës kishte siguruar autoritetet e Prefekturës se kishte njerëz që dëshironin të inkuadroheshin në xhandarmëri, por nuk dispononte armët dhe pajimet e tjera të nevojshme.

Ndërkohë, komanda e Grupit të fuqive të Ballit të Qarkut të Korçës mendonte të bëhej një rekrutim i rregullt dhe të formohej një ushtri e rregullt e Ballit Kombëtar, por autoritetet e Prefekturës së Korçës nuk mendonin që do t‘i arrihej lehtë kësaj pune. Prandaj, dërgimin e një fuqie xhandarësh nga Tirana e shihnin të domosdoshme ose të paktën dergimin e një numri të mirë armësh dhe pajimesh në dispozicion të Komandës së Qarkut të Xhandarmërisë së Korçës.

  1. Nevoja për operacione në mënyra thjesht shqiptare

Më 8 qershor 1944, prefekti i Korçës Dhimitër Bala, dërgoi një informacion Rezervat Personal Ministrisë së Punëve të Brendshme, në të cilin parashtronte se operacioni i fuqive gjermane i filluar para një jave ishte pothuajse në mbarim, “por në qoftë se mbas tij nuk do të bâhet edhe një tjetër i tillë prej fuqive të armatosura qeveritare dhe në mënyra thjesht shqiptare, parashohim se nuk do të jetë e mundur t’i arrihet rezultatit të duhur, mbasi çetat komuniste, që ndoshta tash për tash, sa është akoma në vijim operacioni, do të jenë shpërndarë dhe fshehur, mbas operacionit ato prapë do të riorganizohen dhe do të fillojnë aktivitetin e tyre të zakonshëm”.

Si shembull, prefekti Bala sillte ngjarjen e Dardhës, ku, pasi fuqitë operuese gjermane u larguan, komunistët që kishin kaluar në tokën greke ose ishin fshehur pyjeve rreth e përqark, u kthyen përsëri dhe, ndërsa operacioni vazhdonte në rajonin e Pogradecit dhe të Kolonjës, këta ishin rishtas prapa krahëve të fuqive qeveritare, të cilat nuk ishin në gjendje të shkonin kundër tyre.

Nga ana tjetër, prefekti Bala vlerësonte se ky operacion i gjermanëve po dëmtonte rëndë njëkohësisht edhe pjesën nacionaliste ose të pafajshme, sidomos në pasuri të tundshme e të patundshme. Blegtoria dhe bujqësia po shembeshin fare, mbasi me mijëra bagëti të holla dhe qindra të trasha të pendës merreshin e thereshin përditë prej fuqive operuese me pretekst se gjoja ishin të komunistëve. Për këto qëndrime, Prefektura e Korçës i kishte drejtuar dy letra Komandës së Divizionit gjerman të Korçës, kopjet e të cilava bashkangjitur informacionit iu drejtuan dhe Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë, nga informacionet që dispononte Prefektura e Korçës, afro 400 veta, banorë të Qarkut të Korçës, ishin marrë dhe dërguar në Follorinë e prej andej nuk dihej se ku ishin dërguar. Por nga të gjithë këta, një e katërta e tyre mund të ishin fajtorë, ndërsa tre të katërtat ishin banorë të pafajshëm e paqësorë e midis tyre ndoshta edhe nga ata në favor të nacionalizmit.

Për këto arsye, prefekti Bala lutej që Ministria e Brendshme, nga një anë, të bënte ndërhyrjet që do të shihte t’arsyeshme dhe me vend për t’u evituar vazhdimi i dëmtimit të të pafajshmëve dhe i pasurisë së tyre e njëkohësisht ekonomia e vendit dhe, nga ana tjetër, të bënte çdo përpjekje të nevojshme me qëllim që të dërgoheshin në Korçë fuqi të mjaftueshme qeveritare të organizuara, “për të filluar një operacion të dytë me kritere dhe mënyra shqiptare”.

  1. Ngjarje në rrugën Qatrom – Ravonik dhe Voskopojë

Sipas informacionit të Komandë së Rrethit të Xhandarmërisë së Korçës, dëguar më 19 korrik 1944 Komandës së Grupit Kombëtar në Korçë, rezulton se gjatë rrugëve Qatrom – Ravonik e Voskopojë kishin ndodhur shumë ngjarje, si grabitje të hollash, plagosje, vrasje etj. Përpjekjet për të zbuluar autorët kishin rezultuar pa dobi pse, siç vërtetohej, autorët e këtyre ngjarjeve ishin direkt pjesëtarët e çetave të Ballit Kombëtar të komanduara prej Bejçe Turanit dhe Hysen Bësnikut, në ngarkim të të cilëve figuronin katër vrasje, një plagosje  dhe dy grabitje.

Rrethkomanda e Korçës i lutej Komandës së Grupit Kombëtar që çështja të ndiqej duke porositur kryetarët e këtyre ngjarjeve për t’ua dorëzuar autorët, të cilët u ishin bërë të ditur shumë herë prej postës respektive, përndryshe, kundër dëshirës, të imponuar nga ligjet në fuqi, do shtrëngoheshin të denonconin këta dhe më vonë le të jepnin shpjegime dhe llogari për ushtarët e tyre.

  1. Përpjekje të fuqive nacionaliste me forcat partizane

Sipas informacionit të Qarkkomandës së Xhandarmërisë së Korçës drejtuar Prefekturës së Korçës, rezulton se në mbrëmjen e datës 17 gusht 1944, një fuqi nacionalistësh prej 15 vetësh ishin përpjekë me pararojën partizane të batalionit të Tefik Cangonjit, në vendin e quajtur Selcë, të Bilishtit, të cilët deshën për të kaluar prej katundit Vernik në katundin Trestenik. Mbas një gjysmë ore luftimi, partizanët u vunë në ikje për në drejtim të malit të katundit Vernik e Kapshticë.

Në këtë luftim morën pjesë edhe ushtria gjermane dhe një pjesë e xhandarmërisë. Nga predhat e mortajave që përdorën gjermanët, aksidentalisht u plagos lehtë nacionalisti Hysni Çiçi, i biri i Beqirit dhe i Shefikos, 34 vjeç, lindur e banues në Çipan të Bilishtit.

Nga ana e fuqive partizane nuk u vërtetue ndonjë dëm.

  1. Problemet me grumbullimin e të dhjetave

Më 22 korrik 1944, prefekti i Korçës Dhimitër Bala informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme se, për arsye të rrethanave, në Prefekturën e Korçës pushteti shtetëror shtrihej vetëm në qendrën e Prefekturës dhe në qendrat e nënprefekturave, kurse fshatrat e të gjithë rajonit ose ishin në duar të komunistëve, ose në duar të fuqive nacionaliste, kështu që nxjerrja e të dhjetave drejtpërdrejtë prej organeve të qeverisë dhe në mënyrën e parashikuar prej ligjeve në fuqi ishte e pamundur.

Sipas informacioneve që dispononte prefekti Bala, ndonëse autoritetet Financiare në Tiranë kishin nxjerrë në ankand grumbullimin e të dhjetave, nuk ishin paraqitur sipërmarrës ose edhe nëse ishte paraqitur ndonjë i tillë e kishte bërë këtë me prapaveprim që t’i përvetësonte të gjitha të ardhurat nga të dhjetat, duke u justifikuar se nuk kishte posibilitetin të paguante, meqë drithi ju konfiskua dhe ju mor nga njëra ose tjetra fuqi ilegale.

Nisur nga kjo situatë, për të mundësuar që shteti të përfitonte diçka prej këtyre të ardhurave, që për arsyet e sipërtreguara mund të konsideroheshin krejtësisht të humbura, prefekti Bala propozonte që të paktën të dhjetat e fshatrave që ishin nën sundimin e fuqive nacionaliste, ose edhe të atyre që mundësisht do të zotëroheshin prej tyre, të nxirreshin prej organeve shtetërore në bashkëpunim me fuqitë nacionaliste.

Këto të dhjeta natyrisht do të nxireshin në natyrë e nën kotrollin e një komisioni të formuar prej kompetentësh, do të depozitoheshin në magazinat e ndryshme të qendrës së Prefekturës dhe më vonë do të shiteshin dhe të ardhurat do të hynin në arkën e shtetit.

Mirëpo fuqitë nacionaliste, që të kontribuonin në këtë veprim, do të pretendonin – natyrisht me të drejtë – që të merrnin një pjesë prej këtyre drithrave për nevojat e ushqimit të ushtrisë së tyre dhe të familjeve të ushtarëve që shtëpitë u ishin djegur prej komunistëve dhe malli i tërë u ishte grabitur.

Në këtë rast, prefekti Bala ishte i mendimit që fuqive nacionaliste t’u lihej 40% prej këtyre të ardhurave – në natyrë, për të evituar vonesat – dhe 60% të kalonin në favorin e shtetit.

Duke shprehur besimin se propozimi i tij do të merrej prasysh dhe se do të urdhëroheshin autoritetet qendrore financiare që me këtë frymë, në marrëveshje gjithmonë me autoritetin suprem të Prefekturës së Korçës, të vepronin përmbi këtë çështje, prefekti Bala e shihte këtë si të vetmen mënyrë me të cilën arka e shtetit diçka mund të përfitonte prej këtij tatimi.

Duhet theksuar se, megjithë gatishmërinë e shprehur, Prefektura e Korçës nuk mund të shënonte me saktësi se në cilat prej fshatrave të rajonit do të nxirreshin të dhjetat, për arsye se gjendja ndryshonte shpesh: “katundet që ishin në duar të nacionalistave, të nesërmen mund të binin në duar të komunistave dhe e kundërta”.

  1. Zhvillime në Rrethin e Pogradecit

13.1 Grindje ndërmjet fuqive të xhandarmërisë me fuqitë e Ballit Kombëtar

Më 23 mars 1944, rreth orës 15:15, ndodhi një grindje ndërmjet rrethkomandantit të Pogradecit dhe komadantit të batalionit “Mali i Thatë”, z. Abdullah Alarupi.

Z Alarupi, me ndërmjetësimin e një aspiaranti, kishte pyet personelin e Xhandarmërisë që ishin në shërbim të Rrethkomandës së Pogradecit nëse dëshironin me ndejtë në Pogradec, ose jo. Kundrejt këtij veprimi të z. Alarupi, rrethkomandanti i Pogradecit i kishte shfaqë keqardhjen e tij duke i shtuar se me personalin ushtarak mvartës nuk mund të bëhej politikë balliste.

  1. Alarupi, pas reagimit të rrethkomandantit, ishte sjellë në një mënyrë skandaloze dhe kishte kërcënuar çarmatimin dhe vrasjen e personelit të Armës, nëse për çdo arsye kishin për të kaluar zonat e influencës së tij.

Më 29 mars, në shkresën që i dërgon Ministrisë së Punëev të Brendshme, Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Hysni Dema, pas relatimit të ngjarjes do theksonte se në rast se një vepër e tillë ndodhë, që kishte me qenë një delikt kombëtar kundër fuqive të armatosura të Shtetit, edhe rrethkomandanti kishte me ndjekë të njëjtën procedurë, duke çarmatosur dhe arrestuar çdo ballist që do të futej në atë qytet.

Nisur nga kjo situatë, kolonel Dema lutej “që të ndërmjetësohej ku duhet për me iu dhënë fund njëherë e mirë këtyre mosmarrëveshjeve dhe grindjeve në dëm të mirëvajtjes së rendit publik dhe të interesave kombëtare”.

Për këtë situatë, më 8 prill 1944, Ministria e Punëve të Brendshme iu drejtua zyrtarisht Kryesisë së Këshillit të Naltë dhe Kryesisë së Këshillit të Ministrave.

13.2 Ankime të përsëritura për Abdullah Alarupin

Në komunikimin zyrtar të datës 27 prill 1944, Ministria e Brendshme vuri në dijeni Prefekturën e Korçës se kishin ankime të përsëritura se Abdullah Alarupi, kryetar çete i fuqive vullnetare nacionaliste, duke përdorë fuqinë e tij: 1) kishte shitur kullotën e Malit të Thatë; 2) veç tetëdhjetë mijë franga shqiptare vleftë të kullotës, kishte marrë nga sipërmarrësit një mijë kg lesh, dhjetë kuintal gjalp e djathë; 3) mblidhte drithë në natyrë prej fshatrave Vehternë, Zvirmë e prej fshatrave të tjera; 4) mblidhte ndihma pa kontroll e me përdhuni në fshatrat e tregtarët e Pogradecit; 5) po mbante rob (skllav) dy tregtarë të Pogradecit, Todi Llakmanin dhe Marko Logorin, për t’i shtrënguar që të paguanin herë mbas here, e të tjera vepra të tilla arbitrare e ndonjë prirje e tendenca subversive.

Informatat që i ishin prezantuar me shkrim Ministrisë së Punëve të Brendshme shtonin se Abdullah Alarupi po shtonte guximin e tij deri në kërcënim të disa nëpunësave të atjeshëm me pushim imediat nga puna, në rast se këtij i nxirreshin pengime të çdo lloji në veprimet e tij arbitrare.

Sipas informacioneve, z. Alarupi këtë guxim po e shtonte përditë e më tepër, “duke abuzuar përkrahjen që z. Faslli Frashëri i konçedonte atij si kryetar çete vullnetarësh nacionaliste”.

Nisur nga kjo situatë, Ministria e Punëve të Brendshme kërkonte nga autoritetet kompetente të Qarkut të Korçës që “brenda disponibilitetit dhe mundësive tueja hetoni qëndrimin e së vërtetës për sa na ankohen dhe në rast se këto i përshtaten qoftë edhe pjesërisht të vërtetës, merrni masat e nevojshme që të mos tolerohen veprime të tilla në dëm të popullsisë së pa faj, mbasi na duket se me arsye sjellin me vehte me dëmet materiale edhe reaksionin shumë të dëmshëm ndër klasa që s’kanë prirje subversive dhe ushqejnë burim propagandistik të elementave subversivë”.

FUND

LEXO EDHE:

Realitete shqiptare në Qarkun e Korçës gjatë pushtimit gjerman

Mars – gusht 1944: Ja si ishte gjendja në Pogradec dhe Devoll


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas