Në lidhje me masakren në Mat, është thirrur dhe pyetur si person që tregon rrethanat e hetimit edhe bashkëshortja e Kujtim Koxhës.
Ajo ka shpjeguar në Prokurori se burri i saj ka dalë nga shtëpia në mëngjes dhe nuk është kthyer më në banesë. Por, rreth orës 13:30, Vjollca Koxha ka thënë se ka dëgjuar të shtëna me armë te lokali i Qazim Karrosit.
Më pas, ajo u tha oficerëve të Policisë Gjyqësore se është vënë në dijeni për ngjarjen nga banorët e fshatit, shkruan Panorama.
“Banorë të fshatit më thanë se Kujtimi ka qëlluar në lokal dhe ka plagosur disa persona. Unë nuk kam dijeni për armën dhe shkakun e konfliktit të ndodhur. Në banesën tonë nuk ka pasur armë kurrë”, është shprehur Vjollca Koxha.
Në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 11 tetor, viktima mbetën punonjësit e Bashkisë Mat: Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe banori i fshatit Hamit Buci. Hoxha gjeti vdekjen pa mbërritur ende në spitalin “Xhavit Mara” Burrel, ndërsa Aliaj dhe Buci humbën jetën gjatë transportit me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
I plagosur me dy plumba mbeti Astrit Hani. Bashkëshortja dhe motra e 54-vjeçarit është marrë në mbrojte nga Policia, për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga familjarët e tre viktimave.
Ndërkohë, dy vajzat mësohet se janë të martuara, njëra në Tiranë dhe tjetra në Korçë dhe nuk jetojnë në shtëpinë e familjes. Gjithashtu edhe dy djemtë mësohet se janë emigrantë në Itali dhe Greqi dhe nuk ndodhen në Shqipëri.