Një ditë pas gjetjes të vrarë të 21-vjeçarit Andi Prifti, policia thotë se ka marrë në shqyrtim tabulatet e telefonit të tij për të zbuluar se me kë ka folur, duke dyshuar se vrasësi ka biseduar me të, ndërsa dyshohet se therja me tri thika është bërë për të grabitur 60 mijë lekët e reja që ai ka fituar në loto sportive.
Dje policia tha se ka zbardhur disa detaje të zhdukjes së tij 24 orë nga shtëpia e vet si dhe mënyrën e ekzekutimit të studentit të degës Juridik të fakultetit të Drejtësisë në Tiranë. Policia fierake kishte deklaruar në një njoftim paraprak se dyshohet për një ekzekutim të tij me armë zjarri, por në një tjetër njoftim të dhënë në ditën e hënë thuhet se vrasja e tij nuk është kryer me armë zjarri, por me mjete të mprehta, dyshohet thikë. Pas këqyrjes së kufomës, nga mjeku ligjor është konstatuar se vdekja e të riut ka ardhur si pasoj e goditjeve me mjete të mprehta tri herë. Nga ana tjetër burime policore kanë thënë se viktima kishte fituar një shumë të hollash prej rreth 60 mijë lekë të reja në një pikë bastesh sportivë. I riu student ka ardhur për fundjavë nga kryeqyteti në shtëpinë e tij pranë prindërve dhe ka mbushur një skedinë basti sportiv. Pasi ka parë se bileta e tij ishte fituese, ai ka dalë nga banesa e tij, një shtëpi trekatëshe në lagjen ‘Sheq i Vogël’ rreth orës 19.00 të së shtunës dhe ka shkuar për të tërhequr këtë shumë lekësh në një nga pikat e basteve sportive dhe që nga ai çast nuk është parë prej të afërmeve dhe prej shokëve të tij. Madje ka kryer një telefonatë nëpërmjet të cilës ka njoftuar familjen se kishte porositur një picë familjare për të darkuar bashkërisht. Pas atij çasti, telefoni ka rezultuar i fikur. Familjarët pasi kanë pritur ardhjen e djalit në shtëpi janë shqetësuar dhe kanë shkuar në polici, ku dhe kanë denoncuar këtë mungesë. Më pas i riu është gjetur i pajetë në vendin e quajtur “Kulla e ujit” në kthesën që të çon për në fshatin Seman, afër zonës bregdetare të rrethit Fier. Trupi i pajetë është gjetur nga disa kalimtarë të rastit banorë të fshatit Seman të cilët kanë njoftuar drejtuesit e komunës dhe policinë. Familjarët e viktimës e kanë njohur menjëherë sipas rrobave të veshura, por edhe pamjes trupin që i përkiste djalit të tyre Andi Prifti. Ndërsa grupi i ekspertëve pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kufomës ka pohuar se vrasja nuk është kryer në vendin ku u gjet kufoma por në një tjetër vend dhe trupi i pajetë është hedhur aty në përpjekje për ta fshehur krimin. Pritet që zbardhja e tabulateve telefonike të numrit të viktimës të zbardhë të dhëna mbi identitetin e vrasësve. Kjo, pasi dyshohet se personat që e kanë marrë peng 21-vjeçarin ta kenë njohur atë dhe mund ta kenë telefonuar. Sipas policisë, dyshohet se autorët e kanë ftuar atë në makinën e tyre e më pas i kanë marrë paratë. Nuk dihet nëse ata kanë pasur informacion për paratë e fituara prej të riut, apo e kanë mësuar prej tij pasi e kanë takuar. Më pas dyshohet që të kenë hasur në kundërshtimin e të riut dhe për pasojë i kanë marrë me forcë celularin duke e kërcënuar me thikë me të cilën e kanë ekzekutuar më pas me qëllim që mos të denoncoheshin prej tij nëse e linin të lirë. Andi Prifti nga lagja “Sheq i vogël” i Fierit u gjet i vrarë nga banorët e Semanit mbrëmjen e së dielës, një ditë pasi familja kishte denoncuar zhdukjen e tij. Policia thotë se ka dyshime se në vrasjen e të riut kanë marrë pjesë më shumë se dy autorë.
Xhaxhai: Prindërit e pritën deri pas mesnate, kishte porositur darkën
Xhaxhai i studentit të drejtësisë tregon ankthin e familjes pas zhdukjes së të riut dhe dyshimet se ai mund të jetë vrarë për paratë
Familja Prifti ka mirëpritur qindra qytetarë e miq duke i dhënë lamtumirën e fundit djalit të tyre të vetëm Andit, 21-vjeçarit që u gjet i vrarë mbrëmjen e të dielës në fshatin Seman të këtij rrethi. Askush prej familjarëve dhe të afërmve që nuk besojnë ende vdekjen e djaloshit i cili për ta ishte i mirë e i sjellshëm, nuk ka dijeni për këtë vrasje. Në orën 15:30, trupi i pajetë i Andi Priftit u përcoll për në banesën e fundit. Xhaxhai i 21-vjeçarit, Pandeli Prifti, ishte një ndër familjarët e vetëm që u shpreh mes dhimbjes. Ai pohoi se nuk ekziston asnjë motiv që nipi i tij të ishte përfshirë në hasmëri apo grindje me persona të tjerë. “Ne nuk kemi asnjë hasmëri apo të jemi grindur me të tjerë që të vritej nipi im”- tha ai.
Ndërsa ka treguar se “Andi erdhi me pushime e fundjavës në familje nga Tirana dhe ka dalë nga shtëpia mbrëmjen e së shtunës për të tërhequr një shumë lekësh në një pikë lotosh sportive. Më pas ka telefonuar në shtëpi dhe ka thënë se darkën e kishte porositur ai në një piceri”, shton ai më tej. Ai ka treguar edhe se prindërit ishin përpjekur të lidheshin me të riun por pa sukses. “Ajo që mund të them është që prindërit e Andit kanë tentuar ta telefonojnë pasi ai është vonuar, por telefoni ka rezultuar të ishte i fikur. Pasi kanë pritur deri pas mesnatës dhe kanë kërkuar të arrinin një kontakt me të, kanë njoftuar policinë”, tregoi Pandeli Prifti.
Pyetjes se a ka ndonjë dyshim për autorë apo për shkaqet që çuan në vrasjen me thikë të djaloshit, Pandeliu u përgjigj se “Nipi im ishte një djalë shembullor, ai studionte për drejtësi. Nuk dimë të ketë pasur ndonjëherë ndonjë konflikt. Ne dyshojmë se shkak i vrasjes mund të kenë qenë paratë e fituara prej tij. Nuk ishin shumë para, rreth 60 mijë lekë të reja, por nuk kemi ndonjë dyshim tjetër e mendojmë se dikush ndoshta ka dashur t’ia marrë e pastaj e ka vrarë. Nuk dimë çfarë të themi”. Shtëpia e viktimës ka qenë dje e hapur për mort. Në këtë banesë ka jetuar familja e përbërë prej katër vetësh, babai Ligori, nëna Lida, 21-vjeçari dhe motra e tij Julinda, e cila është me studime në Itali. Babai dhe nëna kanë marrë me qira secili nga një godinë njëkatëshe dhe punojnë si shitës të artikujve të ndryshëm.