Aktualitet

Masakra e Tivarit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:08 - 03/04/20 |
mapo.al

Nga Uran Butka


Sot mbushen 75 vjet nga Masakra e Tivarit, një plojë e përgjakshme kundrejt shqiptarëve, realizuar nga shteti komunist jugosllav ne bashkëpunim me qeverinë komuniste shqiptare.


Kjo masakër vjen tashmë e plotë  në botimin “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”, e trajtuar historikisht me dokumente arkivore nga arkivat shqiptare,  Jugosllave, britanike, amerikane, si edhe me dëshmi autentike  të përjetuesve të masakrës, nga Kosova, dhe trevat shqiptare ne Maqedoni e Mal të Zi.


Del pyetja: përse kam hulumtuar për gati 25 vjet për këtë ngjarje tragjike: sepse është një masakër me përmasa balkanike, sepse pati afër 4000 shqiptare te pafajshëm të vrarë e mjaft te zhdukur, sepse kjo masakër është fshehur dhe vazhdon te fshihet nga politika, për të mos nxjerrë përgjegjesite dhe fajtorët. Kjo është njëra anë, ajo e historianit, për të zbardhur dhe nxjerrë të vërtetën historike, për të kapërcyer urrejtjen dhe keqkuptimet mes popujve dhe për të mos u përsëritur më; ana tjetër, botimi “Masakra e Tivarit” është edhe një homazh për të rënët, për të zhdukurit e pafajshëm, por edhe për familjet e tyre, që u lenduan dhe u persekutuan pa fund. Në këtë libër familjarët do të gjejnë emrat e të rënëve, janë botuar ketu listat e  tyre.


Platforma politike dhe ushtarake projektit të shtetit komunist jugosllav  ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944,: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.” Masakra e tivarit i permbushi plotësish këto synime antishqiptare.

Pikërisht në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë “ .

Ky genocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës (UDB-s) dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, por edhe me ndihmesën e formacioneve ushtarake NÇ të Shqipërisë.

Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç.

Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944 komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, i dha urdhër Korparmatës III të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. Kështu u dërguan në Kosove Brig. III dhe V nën komandën e  Shefqet Peçit.

Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:

“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”

Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.

E.Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I : “ Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.”

Në muajin nëntor 1944, u angazhuan në këtë luftë edhe Divizioni V dhe Divizioni që u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në URDHËRVEPRIMIN e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:

“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht…Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhëtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur.T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet…

Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë masakra, me në krye  Ramiz Alinë, komisar dhe  Gjin Markun e Rahman Perllakun komandantë. Këta rekrutuan mijëra shqiptarë të kosovës dhe ua dorëzuan ushtrisë jugoskllave, si mish per top, që i shpërguli nga Kosova dhe i asgjesoi në Srem, Tivar etj.

Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të aratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë tëKosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e diviz.V dheVI te ushtria jugosllave

Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:

“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.

Për shoqërimin e tyre nëpër Shqipëri, nga Kukësi, në Pukë, Gomsiqe, Vau I Dejes, Drin, Bunë, Shkoder, ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV. Në një document Enver Hoxha justifikohet para tutorëve te tij jugosllave se nuk mundet t’i shoqëronte kolonat me kosovare, sepse nuk kishte mjetet e nevojshme, por ai lejonte që  ato te kalonin nëpër Shqipëri dhe urdhëronte Korparmatën në Shodër që të bashkëpunonte me forcat ushtarake jugosllave.(Radiogram derguar Korparmatës III shkodër)

Kalvari i masakrës nisi më 24 mars 1945, kur kolonat me kosovarë të rekrutuar dhunshëm u nisën nga Prizreni peër në Kukës,  dhe kaluan nëpër teritorin e Shqipërisë  përgjatë muajve mars-prill. Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut, ishin 13.323 rekrutë shqiptarë. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër teritorin e Shqipërisë, dhe të asgjesoheshin shqiptarët e Kosovës të konsideruar “reaksionarë”.

 

Në një dokument të Ministrisë së Brendsme  të Shqipërisë lexojmë:

“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë . Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”

Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, kur lejua që të vriteshin shqiptarët në tokën shqiptare nga të huajt dhe  në bashkepunim me ta, dhe u hesht plotësisht për këtë masakër , që përbën një genoci të pastër për motive politike dhe spastrimi etnik.

Qeveria shqiptare dhe E.Hoxha, këtë krim ia ngarkoi Koci Xoxes, kutr ai u denua në vitin 1949. Mirëpo ministry I brendshëm I shqipërisë në vitin 1945 nuk ishte Koci Xoxe ( edhe ky kriminel) por Hashi Lleshi, I cili lidhi marrëveshje me minisrin e Brendëhëm të Jugosllavisë Rankoviç dhe bahkëpunoi me te për asgjesimin e shqiptarëve të pafajshëm.

 

Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945: “Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.

Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugoslavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.(nga dokumentet jugosllave)

Rekruti Azem Hajdini – Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare: “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”

Sipas të dhënave të arkivave jugosllave në Kukës, Pukë, Fushë Arrëz, Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën;në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër, gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish.

Në mesditën e datës 31 marsit 1945 në qytetin e vogël të Tivarit, ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.

Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit më 31 mars të vitit 1945. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë nga kolona e dytë. Edhe nga Kolonat e tjera me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën.

 

Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave ballkanike, numrit rezulton shuma prej 3447 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar përvec të zhdukurve që s’u gjenden kurrë në tragjedinë e quajtur të Tivarit.

Botimi “Masakra e Tivatit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar’ është një trajtim shkencor, nje përpjekje për të treguar të vertetën e fshehur , për te reflektuar, por edhe nje homazh për të vrarët e të zhdukurit e pafajshëm, që jo vetëm historia, por edhe politika i ka harruar.

 


Etiketa:

Pas