Prishtina u trondit pasditen e djeshme, ku katër persona u qëlluan me armë zjarri kallashnikov. Nga të shtënat me armë mbetën të plagosur fillimisht 4 persona, ndërsa më pas, dy prej tyre ndërruan jetë teksa merrnin ndihmë mjekësore në spital. Sipas raportimeve të fundit, dy personat e tjerë të plagosur janë në gjendje kritike për jetën.
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, shprehet për Telegrafin se: “Të plagosurit janë nën mjekimin intensiv në gjendje të rëndë, nën përkujdesje intensive të stafit mjekësor”, ka thënë Fazilu.
Policia ende nuk ka bërë të ditur zyrtarisht motivet e rastit, por sipas dëshmitarëve në konfliktin me armë janë përfshirë familjet Mehmeti dhe Rafuna, për çështje pronësie. Deri më tani janë arrestuar tre persona për rastin në fjalë.
Mediat kosovare raportojnë se po zhvillohet një aksion i madh policor, në disa zona. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili nuk ka bërë publike se në cilat qytete është duke u zhvilluar aksioni policor, por ka thënë se është operacioni i ngjashëm me atë që është zhvilluar para disa muajve në disa pjesë të Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit kundër kontrabandës.
“Mundem të konfirmoj që prej orëve të mëngjesit është duke u zhvilluar një operacion policor në disa regjione dhe në disa qytete të Kosovës. Me çka ka të bëjë nuk mundem me bë publike për arsye se mundem me pengu zhvillimin dhe mbarëvajtjen e këtij operacioni”, ka thënë zëdhënësi i policisë Bajram Krasniqi, shkruajnë mediat kosovare.
Lexo edhe:
2 të vrarë dhe 2 të plagosur, zbulohet shkaku i tmerrit në Prishtinë