Aktualitet

Masat kundër aksidenteve, Tola: Shkeljet nga shpejtësia dhe alkooli






               Publikuar në : 14:39 - 20/07/19 |
mapo.al

Ashtu si çdo vit, edhe gjatë këtij sezoni turistik, në disa prej rrugëve të vendit vijojnë problematika për sa i përket qarkullimit të automjeteve dhe trafik të rënduar. Akset më problematike sipas Drejtorit të Policisë Rrugore janë rrugët që të çojnë drejt destinacioneve turistike, ndërsa plani i masave është hartuar që në muajin prill dhe maj.


Për të garantuar sigurinë e mjeteve Policia Rrugore ka angazhuar edhe shërbime shtesë, pasi shkeljet më të shpeshta gjatë kësaj kohe janë shpejtësia dhe konsumimi i alkoolit. Tola u shpreh ndër të tjera, se një risi e këtij sezoni ka qenë edhe dërgimi i gjobave në adresën e shkelësit. Sa për aksidentet rrugore, Tola shtoi se ky 6 mujor, krahasuar me atë të një viti më parë kanë shënuar ulje, por nevojitet dhe përmirësimi i sinjalistikës rrugore, për t’i parandaluar këto përplasje që shpesh herë rezultojnë fatale.



“Sezoni turistik për policinë rrugore ka filluar herët me masa përgatitore në mars-prill-maj. Ndërkohë që sot është një ditë normale e monitorimit në akset rrugore, në zonat turistike. Në të gjithë këto segmente ka shërbime shtesë të policisë që monitorojnë, shohin shkeljet më të dukshme të tyre, dhe bëjnë kujdes që njerëzit të shkojnë të sigurt dhe të kthehen të sigurt. Akset më të ngarkuara të shtunën dhe të dielën, mbeten dalja nga Tirana, pjesa e Gjirit të Lalzit, pjesa e segmentit rrugor nga Durrësi në Vlorë, por edhe trafiku urban në qytetin e Vlorës deri në zonën e plazhit. Mbetet problem edhe Saranda”, tha Tola.

Problematik mbetet edhe akti Fushë-Krujë – Thumanë, që kushdo ka kaluar nuk mund të harrojë trafikun që krijohet për shkak të kalimit të shpeshtë të kamionëve në këtë zonë. Drejtori Tola thotë se është bërë zhvendosja e kamionëve nga Vora në drejtim të Fushë-Krujës, që tani kalon në Tiranë, Kamëz, pra rrotullohet. “Kjo ka bërë që trafiku të jetë i menaxhueshëm përmes rrugëve alternative”, tha ai.

Përveç shtimit të patrullimeve, një tjetër mënyrë e kontrollit të rrugëve janë edhe radarët dhe kamerat. “Në themel është kontrolli i shkeljeve për shpejtësinë, që konsumojnë alkool, vendosja e rripit të sigurimit etj, shkelje që evidentohen nga kamerat, radari etj. Edhe në momentin kur nuk ndalet dot shoferi vendoset gjoba dhe i dërgohet në adresën e banimit të pronarit të makinës. Gjoba e tyre shkon me postë në shtëpi. Normalisht ky sistem ka filluar të funksionojë dhe do të përmirësohet më tej me përsosjen e sistemit të adresave”, tha drejtori i Policisë Rrugore.

Numri i aksidenteve dhe pasojave të tij është në trend ulës – thotë Tola – megjithatë kjo nuk e ul vëmendjen e policisë për të vlerësuar masat që duhet të merren. “Krahasuar në numrin e aksidenteve, është trend ulës. Por normalisht për policinë rrugore cdo aksident është i rëndësishëm në aspektin që duhet vlerësuar në marrjen e masave”, tha Tola.

Drejtuesi i Policisë Rrugore ka edhe një apel për drejtuesit e automjeteve, kur thotë se sado masa të marrë policia, është e kotë nëse ato nuk shkojnë në një linjë edhe me respektimin e normave rrugore nga vetë shoferët. Bën thirrje që të mos përdorin celularët, duke dhënë një statistikë se vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti janë marrë 90 masa adminsitrative për përdorimin e celularit në timon.

“Thirrje shoferëve mos të ecin me shpejtësi, të lidhen gjithmonë me rrip sigurimi, të sigurojnë fëmijët në sediljet e tyre, respektimi i distancës së sigurisë, të mbajnë gjithmonë vëmendjen në timon dhe jo në celular. Kjo sjellje është ndëshkuar më shumë. Janë 90 mijë masa vetëm për 6 muajt e parë.

Rrethrrotullimi i Elbasanit. Edhe përmirësimi i fundit që u bë nga Enti i Rrugës duhet të lidhet me sjelljen e drejtuesit të mjetit, të respektojnë normat e qarkullimit rrugor. Çfarëdo rregullimi të bëhet duhet të respektohet sinjalistika dhe në rrethrrotullim duhet të shkosh me shpejtësi drejt zeros, nëse vjen me shpejtësi 140 km/h nuk ka rrethrrotullim që të të mbajë. Përmirësimi, pa sjelljen e shoferit, nuk ka mundësi të shmangë aksidentet”, përfundoi drejtori i përgjithshëm i Policisë Rrugore.

LEXO EDHE:

Tola fliste për aksidentet, pas tij përplasen dy automjete (VIDEO)


Etiketa: ,

Pas