E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman ka reaguar pas publikimit të fotografisë se sotme nga deputetja Flora Brovina. “Mos e përdorni dhimbjen tonë dhe vuajtjet për përfitimin tuaj. Ma plaset zemrën”, ka shkruar Krasniqi në Twitter.
Një fotografi e publikuar dje nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, tronditi opinionin në Kosovë e më gjerë. Brovina prezantoi atë që e cilësoi dëshmi fotografike të përdhunimit të një gruaje kosovare në kohë të luftës, nga ushtarët serbë, në sytë e familjes së saj.
Por, fotografia e shfaqur nga Brovina rezultoi të mos jetë aspak e vërtetë. S’është as nga lufta e Kosovës, e madje as nga ndonjë luftë tjetër. Në të vërtetë, bëhet fjalë për një film pornografik, skenë të të cilit paraqet fotografia e prezantuar nga Brovina. Gazeta Express ka raportuar dje se fotografia e publikuar nga Brovina nuk është e vërtetë, dhe se rrjedh nga një ueb-sajt me përmbajtje pornografike.