Faik Zeqja, i cili një natë më parë u paraqit në qendrën shëndetësore Maqellarë, duke deklaruar se ishte plagosur në këmbë me armë zjarri është arrestuar nga policia për deklarim të rremë.
Sipas bluve ai ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore duke pretenduar se ishte qëlluar nga disa persona. Kjo bëri që menjëherë të ngrihet grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Nga ky hetim ka rezultuar se në aksin rrugor Shupenzë-Maqellarë Faik Zeqja ka qenë drejtuar automjetin tip ‘kamionçinë’, në gjendje të dehur dhe në sens të kundërt të rrugës.
Në momentin që ka zbritur nga automjeti, është dëmtuar në pjesën e këmbës dhe ka qëndruar në mes të rrugës. Atij i është bërë testi i alkoolit ku ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.61 mg/l. Kjo ka bërë që blutë t’i vënë prangat. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Kallëzim i rremë”.
“Deklaroi në spital se ishte plagosur me armë zjarri, zbardhet ngjarja dhe vihet në pranga për deklarim të rremë. Në orët e mbrëmjes së datës 25.12.2020, shtetasi F. Z., është paraqitur për ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore Maqellarë, i cili pretendonte se ishte plagosur me armë zjarri nga disa persona të pa identifikuar.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe nga veprimet e shpejta e profesionale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë ka rezultuar se në aksin rrugor Shupenzë-Maqellarë, shtetasi F. Z., duke drejtuar automjetin tip ‘kamionçinë’, në gjendje të dehur dhe në sens të kundërt të rrugës, në momentin që ka zbritur nga automjeti, është dëmtuar në pjesën e këmbës dhe ka qëndruar në mes të rrugës.
Shtetasit F. Z., i është bërë testi i alkoolit me aparatin Drager, i cili ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.61 mg/l.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët e Policisë Rrugore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit :F.Z., 52 vjeç, banues në Majtarë, Dibër për veprat penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Kallzim i rremë”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.