Tre të rinj kanë përfunduar në pranga në kryeqytet, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fraud”. Të arrestuarit janë shtetasit Gjok Rrika, Gledis Myrta dhe Renaldo Metaj.
Ata do të përballen me drejtësinë me akuzat e “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, duke qenë të punësuar në një call center në rrugën “Sulejman Delvina”, prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe i mashtronin shtetasit e huaj, që të investonin në Forex.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas, për të penguar zbulimin e kësaj veprimtarie kriminale, kanë fikur serverin kryesor, me qëllim që të fshihnin të dhënat”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia sekuestroi katër njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhënat e personave që dyshohen se janë mashtruar nga tre të rinjtë e arrestuar.
Blute thane se po punonin për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.