Policia ka vendosur në pranga një person dhe është vënë në kërkim të bashkëpunëtorëve të tij.
21- vjeçari, banues në Gjirokastër, në bashkëpunim me persona të tjerë, kanë marrë 11 emigrantë të paligjshëm me qëllim transportimin e tyre drejt kryeqytetit, por gjatë rrugës të rinjtë i kanë grabitur emigrantëve paratë dhe sendet personale.
Emigrantët kishin hyrë në shtetin shqiptar ilegalisht nga kufiri i gjelbër me Greqinë dhe kishin rënë preh e të rinjve, të cilët iu kishin premtuar se do i dërgonin drejt Tiranës kundrejt pagesës.
“21-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 22.05.2022, kanë marrë 11 emigrantë të paligjshëm në aksin rrugor Gjirokastër-Virua, me qëllim transportimin e tyre drejt Tiranës, kundrejt fitimit. Këta shtetas i kanë shoqëruar deri në afërsi të fshatit Mashkullorë, emigrantët, me automjetet e tyre, më pas i kanë nxjerrë nga automjetet dhe iu kanë vjedhur me dhunë, një shumë parash, 11 aparate celulare dhe sende të tjera personale që emigrantët e paligjshëm i kishin me vete”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.