Pastrimi i parave dhe mashtrimi lulëzuan në pandemi. Një raport i Drejtorisë së Pastrimit të Parave thotë se persona të botës së krimit shfrytëzuan kufizimin e shërbimeve duke mashtruar qytetarët, përmes sulmit të postës elektronike, apo pagesave në këmbim të mjekimit në shtëpi, duke u hequr si mjekë.
Periudha e pandemisë është shfrytëzuar nga kriminelët për të përfituar para.
Sipas raportit të Drejtorisë së Pastrimit të Parave që flet për krimin, terrorizmin dhe pastrimit e parave gjate periudhes pandemike të Covid 19, mashtrimet janë kryer nga pesona që janë paraqitur si zyrtarë të qeverisë, apo si persona përgjegjës për mbledhje fondesh për organizata bamirëse që kanë rezultuar fiktive.
Po ashtu janë vërejtur falsifikime të produkteve mjekësore dhe ilaçeve, por edhe skema mashtrimi në fushën e investimeve.
“Të dhënat e raportuara tregojnë se gjatë kësaj periudhe kriminelët kanë provuar të shfrytëzojnë gjëndjen e pandemisë për të mbledhur fonde për organizata bamirëse fiktive, mashtrime në fushën e mjekësisë shitjet në internet të ilaçeve të falsifikuara dhe furnizimeve mjekësore, siç janë pajisjet e testimit dhe ato që shërbejnë për mbrojtjen personale.”
Në këmbim të pagesës ata u kanë premtuar pacientëve të prekur me COVID-19 edhe trajtim në shtëpi.
Luhatjet në sektorin financiar janë gjithashtu një tjetër fushe ku kriminelët kanë shtrirë aktivitetin e tyre.
Marrja e masave kufizuese ka bërë që shumë shërbime të ofrohen online dhe në këto kushte, ata që nuk janë të familjarizuar me këto shërbime janë ekspozuar më shumë ndaj mashtrimeve duke shtuar mundësinë që këta persona t’i transferojnë pasuritë në ekonominë informale.
Sipas këtij udhëzuesi ekziston shqetësimi se grupet terroriste mund të përdorin krizën e COVID-19 për të intensifikuar aktivitetin e tyre të jashtligjshëm.
“Kriminelët gjejnë mënyra për të shfrytëzuar mangësitë në kontrollet e brëndshme të vigjilencës së duhur, që vijnë si pasojë e punës në distancë; Rritje të mundshme të transaksioneve jo në përputhje me profilet e klientëve.Përdorimi i personave juridikë për të mashtruar në fondet qeveritare dhe më pas pastrimi i tyre, për të fshehur fondet përmes procesit të falimentimit.”
Konkretisht këta persona kanë përdorur si mënyrë mashtrimi sulmet e postës elektronike dhe përdorimit të mesazheve, mashtrimet përmes kompromentimit të postës elektronike të biznesit dhe sulmeve kundrejt pagesës. /Ora News/