Këtë fundjavë luhet Derbi i Italisë (të shtunën, 20.30), mes Interit e Juventusit, dhe është një sfidë që nuk e humbet kurrë rëndësinë e saj, sepse tensioni mes dy tifozerive mbetet në nivele të jashtëzakonshme, për arsye që dihen.
Si zakonisht, në ditët përpara sfidës tifozët mbushin rrjetet sociale me debate, ofendime, ironi, tallje e kërcënime, por këtë radhë është “futur në fushë” edhe një “ish” i paharruar i Interit, Marco Materazzi, i cili nuk e ka fshehur kurrë se është një antijuventin i thekur.
Kampioni i botës në 2006, 5 herë kampion dhe fitues i Champions League me Interin, a ndezur pragsfidën me një postim në Instagram, ku shfaqet në një moment pasi i ka dhënë një goditje Del Pieros, në një sfidë të pak viteve më parë.
View this post on Instagram
#InterJuve 📸🔙 #Throwback #ThrowBackThursday #2010 #remember #triplete #tbt 🖤💙 #Derby 🇮🇹
Natyrisht, kanë plasur komentet, me interistë e juventinë që kanë nisur debatin dhe ish-sulmuesin Luca Toni që komentonte me humor: “Mos më thuaj që bëre faull, hahahaha”,ndërsa disa tifozë të Juves kanë sjënjestruar vetë Materazzin.
“Materazzi? Një mbrojtës i dhunshëm, provokues, me ndërhyrje vrasëse… Por kishte edhe difekte“, shkruante dikush. Menjëherë Materazzi u përgjigj: “Po, për fat të keq, nuk i fitonte të gjitha finalet, vetëm ato të rëndësishmet!!!”.
I qartë thumbimi për traditën negative të Zonjës së Vjetër për të dështuar në finalet në Champions League, një plagë e vjetër për bardhezinjtë. Natyrisht, tifozët e Juves kanë reaguar keq, duke nisur nga ofendimet, ndërsa ata të Interit shpërthyen në lëvdata për Materazzin.