Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini ka falenderuar sot qeverinë shqiptare për marrjen e 20 emigrantëve nga Eritrea që janë bllokuar në portin e Katanias.
Në një takim me aktivistë të partisë së tij, Salvini tha se Franca refuzoi të merrte emigrantët ndërsa Shqipëria, një vend që nuk është në BE, u tregua e gatshme.
Prej disa ditësh, anija ushtarake italiane “Diciotti” me rreth 177 emigrantë nga Eritrea ka shkaktuar një incident ndërkombëtar mes BE dhe Italisë.
Natën e 15 gushtit një gomone që mbante emigrantët nga Eritra ndodhej në det të hapur dhe kërkoi ndihmën e rojës bregdetare të Maltës. Autoritet e Maltës refuzuan ta ndihmonin. Gomonia hyri në ujerat territoriale të Italisë. Anija ushtarake “Diciotti” i mori në bord dhe u ankorua na Katania. Ministria e Brendshme Italiane nuk pranoi që emigrantët të zbrisnin në territorin italian, duke kërkuar që nga vendet e BE të respektojnë marrëveshjen për kuotat e emgrantëve. Ndërkohë që ministri i Brendshëm Matteo Salvini ka deklaruar se nëse BE nuk merr kuotat e saj të emigrantëve Italia do të ndërpresë fondet që jep në union për emigracionin.
Sot ndaj Salvinit kanë nisur hetime të prokurorisë në Itali për shkelje të ligjeve të trajtimin e emigrantëve duke mos i pritur në territorin italian, por duke i bllokuar në anije.