Mirela Karabina
Matura Shtetërore duket se nuk po gjen zgjidhje prej vitesh me administrimin e procesit të provimeve. Kështu, dalja e tezës gjatë zhvillimit të provimit, kopjimi masiv, përdorimi i celularit dhe bllokuesit e valëve jashtë funksionit kanë shoqëruar në vite këtë proces. Por, Ministria përgjegjëse për Arsimin çdo vit paraqet si zgjidhje një masë disiplinore, duke u marrë me pasojën dhe jo me shkakun. Dhe, pikërisht këto ditë kur maturantët dhe familjet e tyre janë gjithë sy e veshë nga ministria për ndryshimet e përvitshme të procesit, në një postin në rrjetin e saj social Ministrja e Arsimit, në formën e një spoti publicitar, do t’i njohë maturantën me masën disiplinore të ndëshkimit nëse kapen me celularë gjatë Provimeve të Maturës. Një masë e tillë do të garantoka një proces të drejtë të zhvillimit të provimit dhe do të ndihmoka për një administrim cilësor të tyre.
Pra, celulari paskësh qenë problemi i një procesit të degraduar, tashmë, dhe ai përcaktoka cilësinë e procesit të administrimit të provimeve!
Por në fakt, kjo që Ministrja reklamon nuk është e re si masë, gjithmonë ka qenë por nuk ka funksionuar. Ministria vetëm se paska rritur dozën e penalizimit: përjashtim nga të gjitha provimet dhe jo vetëm nga ai ku përdor celularin, siç ka qenë më parë.
Por, ironia e kësaj mase disiplinore është se penalizimi maturantëve do t’i vikërka nga digjitalizimi, pikërisht nga kjo kompetencë jo e fituar në shkollë pasi Qeveria dhe Ministria përgjegjëse për Arsimin nuk ia mundësoi.
Kështu, edhe pse e paraqitën si sukses të Reformës Kurrikulare më 2013-ën që 30 për qind e lëndës do të zhvillohej në laboratore nëpërmjet teknologjisë sepse: “Kompetenca digjitale, si aftësi funksionale e lexim – shkrimit digjital, nxit dhe zhvillon tek nxënësit dhe shprehi të tjera funksionale si: shprehi matematikore, shprehi komunikuese, shprehitë e të menduarit kritik dhe të zgjidhjes së problemeve, shprehi personale, shprehi për të punuar në grup, shprehi për të nxënë, shprehi për të përdorur një shumëllojshmëri burimesh e instrumentesh etj” (Korniza Kurikulare 2014), Qeveria dhe Ministria e Arsimit gënjyen nxënësit dhe publikun dhe pamundësuan realizimin e saj, pra zhvillimin e plotë të kurrikulës shkollore (programit mësimor).
Do të ishte Kryeminstri vetë, në shtator 2014, nga gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë që do të deklaronte projektin pilot të digjitalizmit. Dhe pas një viti, shtator 2015, nga një klasë inteligjente ku për herë të parë do të zhvillohej lënda Matematikë, në gjimnazin “Sami Frashëri” po në Tiranë, Kryeminstri do të njoftonte hapjen e 120 klasave të tilla në gjithë Shqipërinë dhe do të bënte “premtim e madh”: deri në 2018-ën të gjitha klasat e gjimnazeve të Shqipërisë do të ishin inteligjente, pra do përdorej teknologjia në mësimdhënie.
Por, jo vetëm që mbeti një premtim dhe ato pak klasa që u krijuan nuk u përdorën apo u keqpërdorën, Kryeministri dhe qeveria e tij deformuan perceptimin e përdorimit të teknologjisë në shërbim të mësimdhënies dhe të nxënit.
Dhe tani, “teknologjia e qeverisë” i ndëshkon në Provimet e Maturës!
Çfarë duhet të themi?
Në vazhdën e pëpjekjeve mjerane për të mbuluar dështimin e tyre, Qeveria dhe Ministria po na paraqet si “sukses të madh” korrigjimin elektronik të disa pyetjeve të provimit nisur që vitin e kaluar, e cila edhe kjo do të rriska standardet e cilësisë vlerësuese dhe do të minimizoka gabimet njerëzore dhe shtoka transparencën.
Shumë e bukur dhe shumë e mirë për të qenë e vërtetë!
Por, si mundet që maturantët të përballen me një provim të këtij lloji pa pasur një praktikë të tillë përgjatë shkollimit? Pra përsëri, edhe pse në dukje përdorim pozitiv i teknologjisë për maturantët, ky është një tjetër lloj ndëshkimi, pasi shkolla nuk ia afroi përdorimin e teknologjisë në shërbim të të nxënit dhe për herë të parë duhet ta bëjnë në provimet përmbyllëse.
Kështu, për Qeverinë dhe Ministrinë përgjegjëse për Arsimin, ndëshkimi qenka zgjidhja.
Ndaj sot maturantët detyrohen të njihen veç me penalizime dhe nuk janë të orientuar dhe të qartë se çfarë arritën dhe çfarë nuk mundën gjatë shkollimit të tyre pasi atyre iu ofrua jo transparenca dhe amoraliteti nga politikat arsimore të këtij pushteti.
Dhe, në vend të mashtrimit me teknologjinë si masë për administrim “cilësor” të provimeve, në fakt, Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë detyrim institucional të qartësojnë maturantët dhe të mbajnë përgjegjësi sepse:
Reforma kurrikulare e kësaj qeverie më 2013-ën, e dështuar që në nisje, u vu në zbatim pa përmbushur asnjë kriter të domosdoshëm për realizimin e saj, pra: mësues të trajnuar, infrastukturë shkollore, teknologji të siguruar dhe buxhet shkollor duke futur në një udhë pa krye Arsimin e Mesëm të Ulët duke çoroditur shkollën, mësuesit, nxënësit dhe prindërit;
kurrikula shkollore e pazbatuar si rezultat i mostrajnimit të mësuesve për specifikën e kësaj kurrikule dhe mungesa e infrastrukurës (klasa të mbipopulluara dhe mungesë mjetesh didaktike) ka bërë dëmin e madh: nxënës dhe maturantë sipërfaqësorë në njohuri dhe pa mendim të thellë, maturantë me kompetenca të munguara;
kurrikula shkollore e pazbatuar (30% e saj) si rezultat i mungesës së laboratorëve dhe mjeteve teknologjikë, pra pamundësisë së aftësimit dhe fitimit të kompetencës digjitale, është dëshmi tjetër e papërgjegjshmërisë së Qeverisë që siguroi një klasë inteligjente për 1500-1800 nxënës, por dhe ajo jashtë funksionit;
kurrikula shkollore e pazbatuar por qeveria dhe ministria rrisin pragun minimal për të mos u konsideruar mbetës nga 20 për qind, në 25 në provimet e maturës;
kurrikula shkollore e pazbatuar por qeveria dhe ministria kanë përckatuar periudhën më të shkurtër kohore të zhvillimit të provimeve, 10 ditë për katër provime;
kurrikula shkollore e pazbatuar por qeveria dhe ministria në mungesë mjetesh teknologjike nuk mundën të shfrytëzonin aparatin celular në procesin mësimor, pse jo, por e përdori vetëm si formë ndëshkimi duke defomuar perceptimin teknologjik dhe ndihmesën në mësimdhënie dhe të nxënë;
kurrikula shkollore e pazbatuar por qeveria dhe ministria nuk marrin asnjë përgjegjësi;
E pra, këta maturantë që sot po njihen veç me penalizime do vuajnë pasojat e një shkollimi jo të mirë për arsye të papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie, që në vend t’i siguronte kushtet e nevojshme për realizimin e programit mësimor paraqet ndëshkimin teknologjik si sukses të saj.
Dhe për më tepër, ironia e kësaj mase disiplinore është se këtyre të rinjve tekonologjia nuk iu afrua në shërbim të dijes por si ndëshkim i saj..