Kanë përfunduar 3 nga 4 provime të detyruara gjithsej për Maturën Shtetërore 2019. Sot, e hënë, 24 qershor, do të jetë provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje. Nga rezultatet e testimeve të para kemi qindra ngelës nga 6.2% në Matematikë deri në rreth 3 % në Gjuhë-Letërsi dhe Gjuhë të Huaj
Ekselentët janë në zhdukje në sistemin parauniversitar shqiptar, por ngelësat janë me qindra. Rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 japin një tablo të përgjithshme të nivelit të nxënësve shqiptarë, ku një përqindje e konsiderueshme kanë rezultuar ngelës në lëndë si Matematika, Gjuha Shqipe apo Gjuha e huaj.
Rreth 36 mijë maturantë në të gjithë Shqipërinë iu nënshtruan javën që shkoi provimeve me detyrim për të përmbyllur ciklin parauniversitar të studimeve, Matematikë, Gjuhë-Letërsi dhe Gjuhë e Huaj. Sot më datë 24 qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje duke shënuar dhe mbylljen e këtij cikli. Rezultatet e përgjithshme nxorën qindra ngelës, që nuk morën pikët e duhura për të kaluar testimin. E ndërsa ngelësat numërohen në rreth 2 274 vetëm në testin e Matematikës, nxënësit ekselentë janë shumë herë më pak.
Rezultatet për 3 provime
Qendra e Shërbimeve Arsimore ka nxjerrë rezultatet e përgjithshme të testimit për tri provimet e para të kryera deri më tani nga më shumë se 36 mijë maturantë shqiptare. Sipas rezultateve të provimit të Gjuhë-Letërsisë të publikuara nga Qendra e Shërbimeve Arsimore të vlerësuar me notën 4, janë 3.8%, ose 1363 maturantë, ndërsa të vlerësuar me notën 10 janë 0.6% e nxënësve, ose 221 maturantë.
Në testimin e lëndës së Matematikës në Maturën Shtetërore 2019 morën pjesë në total 36 135 maturantë. 2 274 maturantë ose 6.2% kanë marrë notën jo kaluese (4) dhe 2 452 maturanë ose 6.7 % kanë marrë notën dhjetë (10). Edhe në provimin e Gjuhës së Huaj kemi këtë nivel ngelësish. Nga rezultatet e publikuara rezulton se 3.29 % janë ngelës dhe 96.71% janë kalues, por QSHA nuk ka sjellë përqindje për numrin e nxënësve që kanë marrë notën 10 në këtë provim.
Procesi është shoqëruar me debate, pasi eksponentë të opozitës kanë akuzuar Ministrinë e Arsimit se ka shitur tezat para provimeve, akuza këto që janë hedhur poshtë nga ministrja Besa Shahini. Sipas ministres Shahini në bazë të formulimit të testit nuk ka shanse të kopjohet. Ajo ka shtuar se e gjithë teza e provimit është krijuar në versionin ‘Pisa’, që bazohet në aplikimin e njohurive të marra në test dhe jo nga njohuritë që mbajnë përmendësh.
“Matura është administruar shumë më mirë. Ka përmirësime nga raportet që na vijnë në terreni. Ata që janë kapur me telefona u janë ndaluar dhe numri i këtyre rasteve është ulur. Testi është botuar në orën 11 ndërsa provimi ka filluar në orën 10. Nuk ka shanse të kopjohet pasi është një lloj testi tjetër. Dhe nuk ka shanse edhe nëse postohet në Facebook. Mund të jetë edhe mësues i PD që mund ta publikojë. Por duhet të hetohen edhe Boçi, edhe Berisha. Ata kanë përgjegjësi politike dhe duhet të hetohen si ata, si mësuesit. Edhe në atë rast nuk ka shans të kopjohet pasi testi mat njohuritë dhe aplikimin e njohurive të marra. Duhen marrë masat e nevojshme. Testi Pisa që bazohet në aplikimin e njohurive. Ne e kemi testuar testin dhe e kemi pilotuar me 2 mijë nxënës”, theksoi ministrja Shahini.
Programi Pisa për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (Programme for International Student Assessment – PISA) është një hulumtim ndërkombëtar në nivel botëror i cili bëhet nga ana e Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) në vendet anëtare dhe joanëtare të kombeve për nxënësit ku vlerësohen performancat e nxënësve në matematikë, shkencë, dhe lexim.