Maturantët në të gjithë vendin janë nën ‘ethet’ e marrjes së një vendimi në lidhje me të ardhmen e tyre profesionale, tanimë pas shpalljes së rezultateve për aplikimet që kanë bërë në raundin e parë.
Në Shqipëri ka gjithsej 36 Institucione të Arsimit të Lartë, 24 nga këto janë private, ndërsa 12 janë publike. Ajo çfarë vërehet këto vite të fundit është rritja e kredibilitetit të maturantëve në raport me institucionet e arsimit të lartë privat.
“Miti” se më të mirët zgjedhin të kryejnë studimet e tyre në institucionet shtetërore për shkak të cilësisë që vetëm këto të fundit ofrojnë, duket se ka filluar të zbehet, për shkak se shifrat tregojnë se vit pas viti numri i maturantëve me mesatare të lartë, të cilët aplikojnë me qëllim që të bëhen pjesë e universiteteve private, është në rritje.
Në Universitetin Europian të Tiranës mesatarja e aplikantëve të raundit të parë është 8,5. Një mesatare relativisht e lartë që reflekton objektivat që ky universitet ka patur qysh herët, cilësinë e shërbimeve të tij në të gjitha degët që ofron dhe si rrjedhojë ekselencën, si një ndër themelet e funksionimit të tij.
Prej vitesh tashmë UET ka prezantuar për publikun e gjerë, nisma të shumta që kanë si objektiv afrimin pranë tij të maturantëve ekselentë. Bursat që kanë ekselencën në fokus janë disa, të tilla si bursa e plotë e Ekselencës, e krijuar posaçërisht për maturantët e talentuar me rezultate të larta në mësime, bursa “Pashko” që u ofron mundësinë atyre që janë në vështirësi ekonomike por që njëkohësisht janë ekselentë të shkollohen falas, si dhe gjysmë bursat në bazë të mesatares dhe kushteve jo të favorshme sociale.
Këto mundësi të shumta vijnë si rezultat i një filozofie që UET ka promovuar dhe do vazhdojë të promovojë, atë të cilësisë dhe meritokracisë. Një filozofi kjo e cila është mbështetur dhe përqafuar nga të gjithë ata maturantë që janë në kërkim të një institucioni arsimor që do t’u ofrojë cilësi në shkollimin e tyre dhe siguri për të ardhmen. Ky promovim i studentëve ekselent vazhdon edhe përgjatë viteve të studimin në UET, falë Rrjetit të Ekselencës.
Ndërkohë një aspekt tjetër pse ky institucion është përzgjedhur nga aplikantë të cilët në total reflektojnë një mesatare shumë të mirë, është edhe akreditimi anglez, në të cilin UET është vlerësuar maksimalisht me nga 5 dhe 6 vite akreditim duke ‘vulosur’ në këtë mënyrë vlerat dhe cilësitë e tij.
Dy nga përfituesit e parë të bursës së Ekselencës, Erga Hysenaj dhe Mario Aleksi tregojnë më tepër rreth zgjedhjes së tyre.
Erga Hysenaj: Të zgjedhësh UET ia vlen
Erga Hysenaj është një ndër maturantët e shumtë që kanë ardhur të regjistrohen në Universitetin Europian të Tiranës pas përfundimit të raundit të parë. Erga vjen nga Tirana dhe është një maturante ekselente me një mesatare të ponderuar 9.78. Ajo ka përfituar bursë të plotë studimi në UET për vitin e parë, për shkak të rezultateve të saj.
“Unë kam mbaruar gjimnazin ‘Eurolingua’ dhe në të tria vitet e studimit atje kam përfituar bursë të plotë. Edhe në UET përfitova bursë ekselence”, shprehet ajo e lumtur.
Me këtë mesatare Erga mund të zgjidhte cilindo universitet që dëshironte por arsyet përse ka zgjedhur UET, tregon se janë të shumta.
“Universitetin Europian të Tiranës e zgjodha për shumë arsye. Për shkak të kushteve, për shkak se pedagogët që janë, janë më të mirët dhe sigurisht për shkak të programit që ofrojnë. Dega që unë zgjodha është Informatikë Ekonomike me profil Financë-Bankë. Kur e mendon janë dy degë që janë të përmbledhura në një diplomë të vetme gjë që është një mundësi shumë e mirë. Nisur nga kjo dhe pasioni që unë kam për lëndët shkencore, veçanërisht matematikën, e mendova si zgjedhjen më të mirë për veten”, thotë Erga.
Krahas të qenit një nxënëse ekselente Erga karakterizohet edhe nga energjia dhe dëshira për të qenë aktive në mjediset rreth saj. Për tri vite ajo ka qenë pjesë e Qeverisë Studentore si senatore dhe më pas si Presidente e shkollës së saj. E prezantuar me jetën studentore të UET, Erga shprehet entuziaste për aspiratat e saj.
“Jeta studentore e UET është mjaft aktive dhe mua do të më pëlqente të vazhdoja me të njëjtin aktivizim edhe këtu pasi besoj se ka mundësi që të gjithë të gjejnë veten e tyre. Edhe mundësia për të ndjekur studimet një semestër jashtë vendit falë programit Erasmus+ më pëlqen shumë”, shprehet ajo.
Ndërkohë që për sa iu përket maturantëve të cilët janë ende të pasigurt për zgjedhjen e tyre, Erga nuk heziton t’u rekomandojë Universitetin Europian të Tiranës: “Nga ky universitet kanë dalë shumë studentë të mirë që kanë fituar punë shpejt pas përfundimit të studimeve. Të jep siguri pasi kur mbaron shkollën nuk mendon çfarë do vazhdojë më pas por që pas universitetit e di se do e gjesh veten mirë në tregun e punës. Në UET studenti ka një komunikim shumë të mirë me pedagogët, gjë që në universitete të tjera është e vështirë. Për këtë por edhe për shumë arsye të tjera të zgjedhësh UET ia vlen”.
Mario Aleksi: Kam zgjedhur Universitetin Europian të Tiranës për mundësitë e shumta që ofron
Mario Aleksi është maturant nga qyteti i Vlorës dhe sapo është bërë pjesë e Universitetit Europian të Tiranës. Mesatarja e lartë me të cilën ka përfunduar gjimnazin “Ali Demi”, 9.89, e ka bërë atë përfitues të një burse të plotë studimi ekselence, në degën Informatikë Ekonomike me profil Financë-Bankë.
“Kam zgjedhur Universitetin Europian të Tiranës për mundësitë e shumta që ofron. Kam dëgjuar dhe kam parë shembuj nga studentë të mëparshëm këtu, për cilësinë e pedagogëve, për kurrikulën, kushtet. Më ka pëlqyer dhe më ka tërhequr që të vij të studioj në UET. Edhe motra ime është studente e UET dhe pjesë e Rrjetit të Ekselencës prej dy vitesh, përvoja e saj është një arsye më tepër përse bëra këtë zgjedhje”, tregon Mario.
Ai ka zgjedhur të studiojë në një nga degët “trend” të këtyre viteve të fundit dhe tregon se krahas pasionit të tij personal kjo zgjedhje vjen edhe si pasojë e hapësirave të shumta që ka në tregun e punës.
“Informatikën Ekonomike e zgjodha sepse e shikoj si një degë të momentit që ka treg pune. Përveçse më pëlqen shumë, më ofron mundësi të shumta për punësim pas studimeve të mia pasi ka një fushë studimi të gjerë, aspektin ekonomik por edhe atë të informatikës”, tregon ai.