Shqiptarët e nxjerrë nga kampi famëkeq Al-Hol në Siri, kanë mbërritur mesditën e sotme në Shqipëri, të shoqëruar nga kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh nga Aeroporti i Rinasit se, është punuar mbi një vit për identifikimin dhe riatdhesimin e shqiptarëve në Siri.
Më tej, Rama tha se 5 shqiptarët e porsa sjellë në atdhe dëshmojnë mbylljen e fazës së parë të një operacioni shumë të komplikuar, dhe shtoi se në vijim do të bëhet edhe transferimi i fëmijëve të tjerë shqiptarë.
“Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar ,sidoqoftë të suksesshëm, dhe ajo që është më e rëndësishme është se tani kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë indentifikuar, janë marrë një pjesë e mirë e kontakteve dhe besoj se do të kthejmë edhe pjesën tjetër këtu në Shqipëri”, – tha Rama.
Floresha Rasha me fëmijët e saj Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha së bashku me djalin e familjes Dumani, Endri Dumani janë shqiptarët që u nxorën nga kampi famëkeq Al-Hol.