208, 000 vaksina kineze Sinovac kanë mbërritur sot në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që pritet brenda ditës marrja e dozave të tjera nga kompania Pfizer.
Vaksinat kineze u pritën nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri Arben Ahmetaj.
Manastirliu deklaroi se marrja e 208 mijë dozave përmbyll kontratën me distributorin turk të Sinovac.
Në total, Shqipëria ka marrë 500,000 vaksina kineze.
Ministrja gjithashtu bëri të ditur se mbrëmjen e sotme do të mbërrijnë 8190 vaksina Pfizer.
“Sot pritet të vijnë doza të tjera vaksine nga kontrata e Pfizer, do të jenë 8190 doza që mbërrijnë mbrëmjen e sotme dhe do të vijojmë ashtu sikurse e kemi thënë të intensifikojmë procesin e vaksinimit dhe të kemi sipas objektivit tonë, 500 mijë vaksinime deri në maj, dhe të vaksinojmë çdo qytetar shqiptar brenda pranverës së vitit tjetër”, – u shpreh Manastirliu.
Ministrja vijoi duke thënë se procesi i vaksinimit po ecën me ritme të larta. “Jemi të vendosur të vijojmë me intensitet kudo në Shqipëri, qoftë përsa i përket grupmoshës +60 dhe mbi të gjitha të sëmurëve kronikë, por edhe me grupet e riskuara”, – mëshoi ajo.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 333,330 doza të vaksinës ndaj Covid-19, prej të cilëve 251,726 vaksinime për persona mbi 60 vjeç.