Poezi nga Zhaneta Barxhaj
***
Une e vrava fëmijën tënd
brenda meje.
Po, po e vrava.
E ndjeve?!
Me the se të kish dhembur shumë.
Atë ditë tek më flisje
me belbëzima alkooli në buzë,
kishe ndjerë vdekjen tënde tek unë.
Po,
unë e vrava femijën
tënd në mua.
E vrava pafajësinë,
për mos të të justifikuar.
Lashë vetëm të rriturin
mbushur me faje.
Ai më vrau mua.
Por…
Prapë të dua.
***
Unë jam Eva.
Gurgullima e fije të dëshirës
zhbëjnë kristalin e grymtë në mua.
Më ndot ndjenjën mosndjenja.
Acari e skorratina
mbërthyer në shtresa të ngjeshura shpirti
më marrin frymën.
Morsë që më çan zemrën
e strukur në lëvozhgë lajthie
është dashuria…
Përdëllim i qashtër
që më zbraz fjalën.
– Pse nuk shkruan për dashurinë?
– Më tha një mik.
Qesha…
Oh! Unë mund t’i këndojë dashurisë.
Të të gënjejë me miklime ëndrrash,
të të zhys në imagjinatë fatale.
Por,
a mund të blasfemojë syhapur vetveten!?
A mund t’i këndojë asaj që ka vdekur?!
Si, nuk më beson?
Të dukem ende e marrë?
Atëherë mbylli sytë,
rrëshqit në kujtesën e zhultë,
Tani më thuaj,
duke më parë drejt në sy.
A e ke një dashuri?
Mos çuditërisht gjete dy?!
E shoh,
përpiqesh të gërmosh
mes aventurave lojcake.
Përjeton sërish orgazmat boshe,
po akoma s’e gjen..
Të kuptohemi njëherë,
a po flasim për të njëjtën gjë?
Nuk po pyes sa dashnorë ke,
as sa puthje e gjinj ke parë,
as sa femra ke dëshiruar,
Po të pyes për dashurinë,
për vetveten pasqyruar tek tjetri,
kur pasioni gënjeshtar ka mbaruar.
Ndaj, unë hesht…
Nuk dua ta përlyej ndjenjën
me lajkat zvarritëse që ndukin mëkatin.
Jo mik, jo…
Nuk jemi të denjë të shkruajmë për dashurinë.
Unë ende jam Eva.
Dhe ti…
Thjesht Adami!
***
Sonte paskam frikë
të fik dritën dhe të fle.
Një ndjesi shiu,
më lumëzohet në brendí
dhe më lag gjumin…
A mund të përqafohet
një gjumë i lagur?!
Rrënqethem,
mbledh këmbët si fetus,
në pritje të përshtatjes
me lëngun amiotik.
Sërish shi…
Diell,
thaje gjumin tim të lagur!
***
Nëna m’u plakë para syve.
Në fillim preu flokët e gjata.
Unë qava kur e pashë atë ujvarë
ngjyrë gruri të pjekur
të binte përtokë.
Ikën flokët që valëviteshin
herë lëshuar e herë bisht.
Pastaj doli një rrudhë,
pak më vonë një thinjë.
Këto nuk dukeshin deri vonë,
i mbyste ngjyra e artë e grurit.
Ja, kështu filluan shpatullat
të vareshin nga pak, pa kuptuar.
Derisa hapa një album fotosh
dhe kuptova,
se nëna m’u mpakë parasyve
dhe nuk bëra dot asgjë…
***
Më vdiq Atdheu,
siç di të vdesi ai dhjetorëve të ftohtë.
Bashkë me ngricat e para iku,
u zhduk mjegullës harruar.
Më vdiq Atdheu,
këtij shekulli të vrerosur.
Me shpirtëra të fikur shprese,
dha frymën e mekur.
Më vdiq në duar,
askush nuk e ndihmoi.
As ti udhëtar i huaj që e pe shtrirë,
as biri që lindi…
Në mort, shamizezë po shkoj.
T’i mbyll sytë e bukur të këtij shekulli që iku,
Me shpresë që shekulli tjetër, ta gjej të përtëritur…
Por sot, kam hap dyert e mortit.
Na vdiq Atdheu
dhe nuk e ndihmuam dot…
***
Gjashtë xhubletat e jetës tënde,
ku i çove grua?
Vallë i trete dhe i lave
me kripën e lotëve derdhur?!
Mos ndoshta djalli t’i gëzojë,
si gjashta rrethuar në ar gishtit tënd?!
Apo në diell i tere, i dogje, i vyshke,
si këmbanore të braktisura?!
Vallë mola t’i breu,
duke prit rradhën e të mirës,
rradhën e të mirës mas të mirës,
që nuk erdhi kurrë?!
Grise pra, damkën e gjashtës
mbi shpinën tënde grua!
Ngrihu dhe hidhi tej
gjashtë xhubletat e jetës tënde.
Hidhi…
Njësoj si teshat e të vdekunve..
***
Sot, në shënimet për veten,
shtova fjalën “ Krokas”.
Po, ndjeva krokamën time,
herët me avitjen e agut, pak pas zgjimit.
Ndjeva mbi kurrizin e shtypur gungaç,
çukitje tingullore, krak- krak- krak.
Ishin kockat e mia,
të zhbëra nga ostoporoza e hershme.
Ndeza televizorin me ngjyra,
të daravisja këtë dreq tingulli krokëllitës.
Nuk ish e thënë, kutia zëfolëse,
transmetonte dokumentarë sorrash,
krau- krau- krau…
Mësova gjithë ciklin e tyre,
të bashkëjetesës dhe shumimit.
Me mbrëmjen në sy, u shtriva të fle.
Por, qëllova pa fat.
Kukuvajka zuri të këndojë në dritaren time.
Vrikthi u ngrita…
Te shënimet e vetes, erdhi koha të shtoja
fjalën e parë dhe të fundit “Krokas”,
që vdekja ma nisi mbles kësaj dite.
U shtriva…
Kukuvajka ende këndon mbi kokën time…
***
Dromcat e shpirtit të tij,
shkëputen nga toka e më arrijnë.
Më kapin prej flokësh
e duan të më heqin xarrë.
M’u në fyt më fusin thonjtë
e më mekin frymën.
Uh! Nxirë e sterosur,
marr ngjyrën e duhmës së hukatjeve të tij,
mbi qelqin e syve të fikur…
Ah! Jam ulur mbi një kokë.
Rastësisht, padijeni, por pikërisht
në vertikalen time,
dergjet thellë koka e prerë…
Të dy jemi bërë si skaje drejtëze.
Tërheqim e tendosim
me dhunë njëri- tjetrin.
Ah! Më shemb kjo dijësi,
por s’kam ç’bëj,
do vazhdoj të ulem mbi kokën e tij.
Do kacafytemi gjatë mik,
ndaj, pak mëshirë..
Nuk është faji im,
që ti le kokën nën mua
e unë ulem mbi…
Ndaj, ma liro pak fytin.
Mblidhi dromcat e tua,
ngecur fijeve të mia
dhe më ler të frymojë.
Pak ajër mik… të lutem pak ajër!
Është koha ime…Duhet të jetojë…