Në pritje për të nisur Kuvendi i PD i thirrur nga delegatët që janë mbështetës të Sali Berishës, mediat kanë nisur raportimin. Qindra anëtarë, delegatë dhe mbështetës të PD po mësyjnë drejt stadiumit Air Albania, edhe pse moti nuk është favorizues.
Mbledhja do të nisë me verifikimin e mandateve të delegatëve të Kuvendit. Ata janë te paisur me një dokument me bar kod, që sipas PD zyrtare nuk njihet, dhe është jolegal.
Sipas Berishës, deri më tani kanë firmosur 5200 delegatë për thirrjen e kësaj mbledhje të jashtëzakonshme që synon ndryshimet në statut dhe shkarkimin e Lulzim Bashës.
Pjesa tjetër e stadiumit do të jetë e rezervuar për anëtarë e mbështetës të PD e Berishës, që nuk janë delegatë.
Ndërkohë, dje pasdite, sekretari i Përgjithshëm i PD ka dalë në një komunikim ku ka konfirmuar se rreth 70 përqind e delegatëve kanë firmosur për Kuvendin që do të mbahet me 18 dhjetor, thirrur nga kryesia e PD.
Basha nga ana tjetër, ka lajmëruar në rrjetet sociale se sot ka aktivitet në seli, me rastin e 11 dhjetorit, datës së krijimit të PD.
Lideri historik, Berisha ka shkruar dje se këto janë orët e fundit të Bashës në drejtimin e PD.
Ish-kryeministri u shpall non-grata nga SHBA me 19 maj dhe u përjashtua nga grupi parlamentar prej Bashës me 9 shtator. Sali Berisha nisi lëvizjen qe e quajti Foltorja, që kulmon me Kuvendin e sotëm. Pjesmarrja gjatë ditës do të jetë një test qe do te tregojë se deri ku do të shkojnë zhvillimet në partine me te madhe në Opozitë.