Kryesore

Mbështeti Albin Kurtin, LDK hakmerret ndaj Vjosa Osmanit, shkarkohet nga postet drejtuese





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:27 - 20/06/20 |
mapo.al

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkarkuar nënkryetaren Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti.


Lajmin e ka konfirmuar Haxhi Avdyli, deputet i LDK-së, i cili e cilësoi këtë vendim të partisë së tij si “skandaloz”.


Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori këtë vendim pas propozimit të liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, sipas te cilit, Osmani ka shkelur statusin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.


Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, e cilësoi shkarkimin e Osmanit nga postet partiake si “cenim të drejtpërdrejtë të frymës së demokracisë”.


Osmani, e cila është kryetare e Kuvendit të Kosovës, kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saj lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në mars të këtij viti.

Gjatë mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja më 25 mars, ndaj qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Osmani kishte votuar kundër.

Osmani u zgjodh në krye të kuvendit, me propozimin e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe vazhdon ta mbajë atë pozicion edhe pas rrëzimit të qeverisë LVV-LDK.

Vjosa Osmani është shprehur kundër edhe qeverisë së re të formuar nga LDK-ja, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti.

Në seancën e 3 qershorit, kur u votua për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, Osmani nuk mori fare pjesë.

Osmani ka kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë më 6 qershor, për të hequr masat e reciprocitetit kundër Serbisë.

Ajo ka thënë se me heqjen e reciprocitetit, “Kosova ka hequr dorë “nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, të vitit 2019, Osmani ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Osmani është personi i dytë më i votuar në Kosovë, pas Albin Kurti. Ajo në zgjedhjet e fundit më 6 tetor fitoi 176 mijë vota.

Vjosa Osmani edhe në vitin 2014 kishte shprehur pakënaqësi lidhur me arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës ndërmjet LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos e votuar qeverinë e udhëhequr nga kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa.


Etiketa: , ,

Pas