Aktualitet

Mbi 32 mijë qytetarë nga Kosova kaluan fundjavën në Shqipëri














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:06 - 03/05/21 |
Fatos Shala

Pandemia nuk ka ndikuar në uljen e numrit të qytetarëve të Kosovës që vendosin ta kalojnë fundjavën në Shqipëri. Nga e premtja, deri të dielën llogaritet mbi 32 mijë shtetas të Kosovës kanë hyrë në Shqipëri. Një numër i madh i qytetarëve kishin vendosur ta kalonin fundjavën në Shqipëri edhe kur Qeveria e Kosovës vendosi masat anti-COVID për 12 ditë.






Pavarësisht gjithë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, qytetarët e Kosovës nuk i pengoi asgjë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, e disa prej tyre edhe drejt Malit të Zi.


Mbi 32 mijë qytetarë nga Kosova e kanë kaluar fundjavën në Shqipëri. Shifra është bërë e ditur nga ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.







“32 mijë e 163 shtetas të Kosovës kanë shkuar në Shqipëri këtë fundjavë, 5 mijë prej tyre vetëm ditën e sotme”, ka thënë ai.



Turistët nga Kosova këtë fundjavë kanë mbërritur deri në skajin më jugor të Shqipërisë, në Sarandë, ku janë të parët që janë vendosur në bregdetin e Sarandës për pushime disa ditore.



“Do qëndrojmë 7 ditë. Kam ardhur me familjen dhe prindërit. Më pëlqen shumë uji, mikpritja”, ka treguar një vajzë nga Kosova që ishte vendosur në plazhin e Ksamilit.

Turistët nga Kosova thonë se pandemia nuk i frikëson për të bërë pushime, por theksojnë se ende tregohen kujdesshëm.

Kryetari i Bashkisë së Sarandës Ardian Gurma, në një deklarim për media ka thënë se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për të pritur turistët nga Kosova.

“Shpresojmë se edhe situata me pandeminë do të tejkalohet. I kemi ndërmarrë të gjitha masat që duhet. Kemi ndërhyrë ne infrastrukturë”.

Ai ka ftuar turistët nga Kosova që të vizitojnë Sarandën.

Shqipëria ka varur shpresat nga Kosova edhe për këtë sezon turistik, i dyti në kohë pandemie. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në takime që ka zhvilluar me operatorë turistikë në vend, ka pohuar se qeveria e drejtuar prej tij ka mësuar nga sezoni i kaluar, dhe ka premtuar se kësaj radhe kufiri me Kosovën do të jetë absolutisht i hapur për mikpritjen e turistëve si dhe operatorët turistikë do të kenë sa më pak shtrëngesa.

Lexo edhe :  Koronavirusi në Kosovë - 11 të vdekur dhe 259 raste të reja në 24 orët e fundit

Rama ka deklaruar gjithashtu se turizmi në Shqipëri si sektori më i rrezikuar nga pandemia ia doli mbanë falë Kosovës. Ndërkohë që u ka tërhequr vëmendjen operatorëve turistikë se hotelet ishin plot, megjithëse ato nuk i ulen çmimet.

“Unë isha me një operator turistik dhe jashtë kamerave më konfirmoi atë që di në fakt, që sezoni i kaluar nuk ishte me humbje. Ndërkohë që pandemia ishte realisht e frikshme për sektorin, por lëvizja që ne bëmë duke mos e mbyllur kufirin me Kosovën dhe fakti që shqiptarët në Shqipëri nuk mundën të ikin jashtë, bëri që hotelet të jenë plot. Unë nuk besoj se, kur i keni marrë paratë, nuk u janë dukur më pak se po jua japin shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, se nuk është se i ulët çmimet. Ky sezon ka qenë një provë domethënëse e faktit, sesa shumë para shpenzohen nga shqiptarët e Shqipërisë për turizëm dhe përgjithësisht shkojnë jashtë”.

Numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë për vitin 2020 është 1.379.360 persona. Megjithëse me një rënie prej 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve të saj në Shqipëri për vitin 2020 që llogaritet më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit e Evropës.

Në tremujorin e katërt të vitit 2020 numri i qytetarëve nga Kosova që vizituan Shqipërinë ka qenë 519.435 persona, nga 407.760 persona që e kishin vizituar në tremujorin e katërt të vitit 2019, duke shënuar një rritje prej 27.4%.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 105,535 pacientë me koronavirus.

Prej tyre 2,183 kanë vdekur.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Ky vend është thënë se do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit./ Monitor

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas