Mapo Letrare

Mbi çatinë e shtëpisë tënde














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 02:47 - 04/12/21 |
Nga Shpresa Kapisyzi Rama

Nga Shpresa Kapisyzi Rama






Fati
Në një shteg të kithët ndesha fatin,
i zgjata dorën.


Nxitonte për diku…







Mbi çatinë e shtëpise tende kalojnë re të bardha…




Mbi çatinë e shtëpise tende kalojnë re të bardha…
Mbi çatinë e shtëpisë tënde shpërthyen lulebore…
Rrahur nga dielli si në verën e mbrame,
a i ndjen?



Nësa tash, të fundmit zogj po ikin,
të fundmet fletë plepi hedh mbi lumë…
Për ku ikën retë e bardha,
retë që me këta sy i pashë
të verës së mbrame?!
Për ku, për ku?!

Nga ç’pyje do të vish, ti, dru i bukur?

Nga ç’pyje do të vish, ti, dru i bukur
që do më shoqërosh në ditën e mrame?

Nën lëkurë, në deje do kesh
këngën e gjithëstinshme të zogjve
fërshfërimën, vajin e gjetheve…

E pastaj, bashkë do ndjejmë
hapa njerëzish
që largohen nëpër mjergull…

U çmenda një ditë

U çmenda një ditë,
veç një ditë.
Harrova ç’isha
për atë qiell!
këndoja, thërrisja
sa mundja,
magjepsur nga zëri im.

Në garë me erërat,
që vinin nga larg
me frushullima pyjesh,
me zhaurimën e dallgëve
që shuheshin në breg
e më përkëdhelnin
miqësisht.

Kënga e nimfave
asgjë s’ish,
asgjë!

Të mijat ishin
erërat, drurët,
brigjet, qiejt…

Këndova si e çmendur
një ditë,
veç një ditë…
Ishin netët e bardha
buzë detit Balltik…

U zhveshën pemët,
Turpërohen, dridhen,
s’dine ku të fshihen
prej erës gjithë frushullimë…

Ngjethur me bulëzimin e sytheve,
Që presin shpërthimin,
me duart drejt qiellit luten:
“O Zot na vish, na vish!”

Takimi i pare

(Nipit që pres të vijë në jetë)

Prej muajsh pergatitesh të vish,
duke ndjekur fillin e dritës,
prej kaq kohësh
zbukurohem të të pres,
maskoj rrudhat, thinjat.

I gëzohem ardhjes, fluturimit të sekondave,
i numëroj me gishta, ikin sa ngadalë,
padurimi si meteor
dritëson në rrugën e bardhë.
Kur? Ku? Si? Në ç’orë, në ç’ditë?
Do më lësh takimin e parë?

I mjeri…
I mjeri vdes ngadalë
Nën hije statujash…
Kur piedestalet mbeten bosh
Atëherë mbyll sytë

Nëna
Për shumë vite
humbi rrugën e kthimit
për në vendin e saj
me shumë male,
përherë nga mjegullat mbuluar
e me shumë lumenj,
që vrikas,
si kuaj të hazdisur,
dalin mes grykash…

Për shumë vite
humbi rrugën e kthimit
si Hirushja
në pyllin e dendur me drurë…

Në dyzet ripërtëritjet dhe rëniet
e fletëve
ndiqte rrugën e zogjve,
me sytë,
ku qielli i trishtuar
shihte veten.

A ish ëndërr
apo përrallë kjo
Sarajevë?!

Erërat
Erërat
Kanë rrëzuar një pemë
që buzë një udhëkryqi
kish mbirë për mua,
(shumë para se të lindja).
Në vaj gjethesh të blertë
u drodh e tëra në erë…
për pak, fare pak kohë
(a thua zogjtë e ndienë?),
për aq sa unë
s’arrita ta vajtoj…

Besomëni

Besomëni!
Ballë për ballë
me vdekjen u ndesha.

dhe shtegu ish i ngushtë…

Një cep i mantelit
më ciku diku,
rënduar nga akullimet
gjithë dimrat e thellë,
në trup më hynë…

Unë i rashë mespërmes
ferrit.
Ish e tmerrshme!
Mëkatova,
bëra dashuri
me një që gjithë jetën
më ëndërroi…
Ish ashtu,
si njëzet vjet më parë,
veç i heshtur, i heshtur…
Një fletë tërfili
i dridhej mbi ballë.
U ktheva nga ferri
besomëni!

Këngën e Orfeut
Gjëkundi s’e dëgjova.

Nga dashuria jote
u zgjova…

.

2


Etiketa: ,

Pas