Aktualitet

Mbi modelin Ramiz Alia














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:54 - 24/11/21 |
Genc Pollo

Në 31 mars 1991, katër muaj pas themelimit të Partisë Demokratike, u mbajtën zgjedhje parlamentare, të cilat, për herë të parë mbas katër dekadashe gjysëm, ishin pluraliste. Partia e Punës në pushtet fitoi afro 2/3 e mandateve.






Në bazë të Dispozitave Kushtetuese të miratuara pak javë më vonë e që garantonin një rend politik demokratik, Ramiz Alia u zgjodh President i Republikës me këto 2/3 të votave në Kuvend. Në 22 mars 1992, në të parat zgjedhje parlamentare edhe pluraliste edhe të lira e të ndershme, Partia Demokratike në opozitë fitoi afro 2/3 e mandateve. Ramiz Alia dha dorëheqjen pas pak javësh.


Mandati i tij ishte pesëvjeçar e Dispozitat Kushtetuese parashikonin vetëm tradhëtinë e lartë e pamundësinë shëndetësore, përveç dorëheqjes vullnetare, si shkaqe për shkarkim. E megjithëse mazhoranca e re nuk kishte mjete ligjore për t’a larguar nga posti Alia urtësisht e kuptoi se për të, si relike e së shkuarës komuniste, ishte i pamundur kohabitacioni në epokën që po fillonte.







Ndoshta dikush mund të befasohet kur unë paraqes si model të pjekurisë politike veprimin e të fundmit sundues komunist mbi të cilin rëndojnë plot zullume të mëparshme. Por kjo është historia e cila, e shikuar në distancë e pa pasion, të shërben edhe si mësuese siç shprehej Ciceroni.




Tre dekada më pas, fill pas humbjes së rradhës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, në Partinë Demokratike u mbajtën votime të brendshme. Një shumicë prej afro 2/3 rikonfirmoi të njëjtët drejtues të partisë. Një gjysëm viti më pas, 2/3 e delegatëve të kuvendit partiak kërkon të ndryshojë jo vetëm statutin e programin e PD-së por edhe drejtuesit e saj. Në anëtarësinë e partisë mbështetja për këto ndryshime është dukshëm edhe më e lartë.



Në të dyja rastet mazhoranca, si lavjerës politik, zhvendoset nga një krah në tjetrin brenda pak kohe. Krahasimet në histori nuk janë të kollajshme; por ka një paralele midis lavjerrësit në v. 1991-92 dhe në v. 2021. Shpjegimi më i dukshëm për votimin e parë është letargjia e inercia. Votuesit ende nuk ishin të ndërgjegjshëm për nevojën për ndryshim si dhe për rolin e mundësinë e tyre për të realizuar këtë ndryshim. Votimi i dytë ndodh qartazi pas ndërgjegjësimit e çlirimit dhe në mundësine e zgjedhjes.

Lexo edhe :  'Foltorja'/ Gratë: Basha i vetëm në shtëpi! Berisha: Heshti për Suel Çelën

Tek reagimi ndaj lavjerësit nga ana e sunduesit komunist dhe nga drejtuesit aktualë të PD-së mbaron paralelja e fillon kontrasti. Drejtuesit e PD fillimisht mohuan a priori mundësinë e mbledhjes së kuvendit partiak edhe pse ky ishte tagër statutor i qartë i delegatëve. Pastaj kur nisma mori formë e peshë përsëri e refuzuan duke e etiketuar antiamerikanist, llumist e haxhiqamilist. Por pa shpjeguar se si mund të udhëhiqnin e përfaqësonin një parti ku shumica e anëtarësisë dhe e funksionarëve qënkeshin (bërë papritur) të tillë.

Në mungesë të sqarimit të çështjes madhore të legjitimitetit politik diskutimi u spostua në çështjet formale të procedurave statutore. Padyshim që këto të fundit kanë rëndësi. Por roli i tyre e i procedurave në tërësi, qoftë në parti, në shtet apo në ndërmarrje është që t’u japë mundësi palëve me vullnete të ndryshme apo edhe me interesa të kundërta që të gjejnë një zgjidhje të arsyeshme e të ballancuar.

Nëse njëra palë nuk njeh palën tjetër dhe të drejtat e saj atëhere referimi tek procedurat formale humbet kuptimin. Shpallja nga foltorja e Lezhës se kuvendi partiak do të mblidhet në 11 dhjetor u kritikua si jo statutore. Formalisht ashtu është. Por të mos e vendosësh këtë ngjarje në kontekstin kur drejtuesit e partisë i mohojnë a priori mazhorancës së partisë një të drejtë statutore elementare është si të kesh ujkun te këmbët e të merresh me gjurmët e tij matanë gardhit.

Po ashtu edhe pretendimi i drejtuesve se vullnetin e 60% të delegatëve e marrim në konsideratë po qe se kërkesat e nënshkruara i gjejmë tek shefja e protokollit por në asnjë mënyrë kur ato depozitohen në zyrën ngjitur të kryetarit të këshillit është një nivel pa precedent i absurdit burokratik.

Nuk më ngjan si debati mbi seksin e engjëjve mes dijetarëve mesjetarë pasi këta të fundit mund të ishin tuafë por jo detyrimisht të pandershëm. Refuzimi i nismës së mazhorancë e për pasojë refuzimi për të negociuar me nismëtarët datën e agjendën e kuvendit është shëmbull i mala fide-s personale dhe i përbuzjes së normës bazë të demokracisë e ligjshmërisë.

Një hap mbrapa trishtues krahasuar me tridhjet vjet më parë.

19


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas