Të rilexosh pas vitesh poezinë e Dhori Qiriazit, të përmbledhur së fundi, në librin “Dikur në vjeshtë”, botuar nga ‘Tirana Times’, është si të shfletosh një album. Ndeshesh në imazhe, pamje, zëra dhe ndjesi që prej vitesh kishin qenë të tuat. Motet nuk i paskan vjetruar, poezitë shkëlqejnë si dikur, si ato stolitë e familjes që të fshehura në kuti, shkëlqejnë e të prekin sa herë t’i hapësh.
Poezia e mirë e ka këtë veti që të mbetet e re, madje rrëzëllen edhe më fort me kalimin e viteve.
Dhori Qiriazi nuk shkroi shumë. Librat e tij qenë të hollë, të hajthëm. Po edhe sot nga ata që e kanë lexuar që në gjallje të tij, dëgjon vetëm fjalë lavdërimi. Poeti nuk është se solli tema të parrahura më parë nga poezia. Por poezia e tij mbahet mend nga që shquhej për ngjyrat, për melodinë dhe qartësinë: “kënga ime është melodioze,/ vargu im i thjeshtë elegant”. Eleganca prej një fisniku sqimëhollë ishte veti e shijes së këtij poeti, e kësaj poezie. Nuk ishte pak ta ruaje këtë shije të luksozes dhe të muzikores.
Nuk ishte pak edhe për atë që poeti gjithë jetën shkroi në një mjedis fshatarak dhe me pamjet e një mjedisi fshatarak. Pak jo e zakontë kjo që të jesh fshatarak në pamjet, në mjediset, dhe elegant e fisnik në veshjen, në lëndën dhe në thurjen e qëndisjen e poetike. Kështu ishte Dhori. Kjo lloj sqime e hollë për lirika të buta, për pastërti lirike e afron atë me Lasgush Pogradecin, njëherësh e largon nga sivëllezërit e kohës së tij që e vulgarizuan shpesh poezinë me motive të quajtura të “tabanit”. Ai e pati poezinë të shenjtë, shkroi kur i vinte frymëzimi, nuk shkroi as për tematikë ‘të madhe’ me traktorë e punëtorë, as për honorare. Akti i poezisë duhet të vinte shpërthyes dhe i beftë: “Dhe papritur në rrugë të pjek/ poezinë si pylli në flakë”.
Në poezinë e tij pamjet, kalimi nëpër stinë, sidomos stina e vjeshtës, fshati me jetën me plug në dorë, me kalin, demat, mështjerrat, me bimët e zogjtë evokojnë atë njeriun e Rusoit, njeriun e natyrës, lidhjen njeri- natyrë, harmoninë dhe afërsinë, shëndetin e natyrës të përthyer te njeriu. Ky përftim filozofik nuk jepet në mënyrë konceptuale. Ajo të zbulohet e gjallë në përshkrimet e ndjesitë e dhëna plot plasticitet, të dhëna qartë si në pëllëmbë të dorës. ”Nëna… luleve u binte dhe më gjunjë/ ndaj kështu donte ta kishte dhe shtëpinë”. U falej luleve si një tempulli të shenjtë. Të këtij konceptimi të shkrirjes së njeriut me natyrën janë disa nga lirikat antologjike të tij, si: “Më erdhën zoçkëzat në xham”, “Pragu”: “Në këtë prag këtu në këtë shtëpi/ banonim ne dhe pela jonë gri”, “unë ulesha më gjunjë/ me ar ia laja sytë”. “Dikush i merrte yjt përdore / i derdhte tok te lumi”. “Më priste ara që menatë,/ e mbytur krejt në vesë/ dhe lulet shtrinin qafën lart/ gjithkush të përshëndesë”. Sot mbase me pak teprim do të thoshim se kjo është një poezi e pastërtisë ekologjike, poezi e ekologjisë shpirtërore.
Në një poezi, “Unë prapë kaloj mbi gjethin e këputur”, (një varg ky shumë elegant) poeti shkruan: “Po dola unë në jetë dhe në rrugë/ në dashuri kaq fort pas ngjyrës rashë”. Kjo na çon te një tipar tjetër i poezisë së tij, te vizatimi plot ngjyrë, me shumë ngjyrë i pamjeve: ‘Dremiste pylli i ngjyer krejt në bakër/ mbi pellgje hëna hidhte trëndafilë’, korija është “kaltëroshe”, dhe frymëzimi vjen nëpërmjet ngjyrës “si një tufë me lule baloshe”, tabloja e zoçkëzave në xham është në argjend dhe bojë hiri, poeti si një trung me fjolla bore mbështjell kujtimet e një dashurie të humbur, mbrëmja sillet rrotull ngjyrë kedri. Përgjithësisht zotërojnë ngjyrat e vjeshtës e të dimrit.
Këtu do të ndalem në një problem që nuk është vetëm i poezisë së Dhori Qiriazit: te ndikimi i poezisë ruse nëpërmjet mësimit të gjuhës ruse dhe prej përkthimeve nga kjo gjuhë. Dh. Qiriazi kishte studiuar për gjuhë dhe letërsi ruse. Kishte përkthyer S. Eseninin. Poezia e imazhinistëve rusë ndikoi në shumë poetë të atyre viteve. Ajo solli poetizimin e primitives, e së egrës, pikturimin me përfytyrime të së mrekullishmes të pamjeve e të hollësive nga natyra fshatarake. Madje adhurimin e fusharakes deri në një farë idealizimi të saj. Esenini shkruante për një mikun e vet poet: “Në gojë bukë elbi,/ në buzë lëng qershie,/ fyelli i tij prej plepi/ i mbushi qiejt me yje”. Kjo optikë i shihte gjethet e vjeshtës si thërrmimi i një thesari të florinjtë, brymën si stolisje me thesare përrallore argjendi etj. Kjo mënyrë dhe e animizonte natyrën gjer në elementet më të imta: ‘Hidhet bora nëpër gropa’.
Pas periudhës së parë, edhe te baladat disi i largët, por ndihet prapë ndikimi i imazhinistëve. Një ngjashmëri nga letrat e Eseninit për nënën, vërehet në frymë, në tonalitet që në vargun e parë të poezisë ‘Fjalë për ditëlindjen time’: “Biro, ish dimër ishte ngricë/ e kopshti si i tharë/ një stavë rroba atë ditë/ un’ kisha për të larë”. Më tej, ndryshe nga liriku rus, kolonjari ynë është më dramatik. Tragjik mund të thoshim. Më shumë se poetizimi i primitives, kjo poezi të çon te motivi biblik i lindjes së fëmijës Jezu në grazhd. Nëna e re e fsheh dhembjen dhe pret që t’i zërë gjumi të tjerët që të lëshohet e vetme në dhembjet e lindjes së një fëmije në grazhd, te bagëtitë, larg nga njerëzit e afërm. Vjehrra ia pret kërthizën me drapër foshnjës që lind dhe ia sjell së ëmës në fundin e një shoshe. Këto si realitet nuk të besohen. Po autori rreh gjetkë: ashtu si në lindjen e fshehtë të Jezuit, këta njerëz, të përndjekur nga fati, janë braktisur në një ngrysje ekonomike dhe shpirtërore pa pikë drite.
Poezia e një autori dallohet edhe nga toni i zërit. Dhori pëlqente zërin e butë, zërin e ulët. Të tilla janë dhe poezia që evokon ardhjen e Pol Elyarit në malin Gramoz te partizanët grekë, dhe një poezi që u kushtohet ushtarëve të huaj, një poezi për partizanin Baki… Natyra tronditet më shumë nga ngjarje të tilla, imazhet shmangin patetikën. Po ky tonalitet ndihet dhe në balada që ashtu siç ndiente dhe shkruante ai, ashtu i quajti: “Balada intime”. Me këto balada poezia e tij humbet në ngjyrë, por fiton në lëndë. Tablotë pikturohen me dramacitetin e përmbajtur të një jete stoikësh në kufizime e mundim. Në vargje pikon fshehur si shiu vuv nga strehët e netëve edhe pak pikëllim: “Është plakur nëna, jemi vetëm… sa vite kanë shkuar”. Diku tronditja shfaqet më hapur: ‘Disa kalonin për në luftë/ të tjerë i priste burgu/ dhe në të vegjëlve kështu/ në dorë na mbeti plugu. ’
“Balada e vërtetë e ushtarëve” është një poezi e shkruar në një thjeshtësi figurative të pashoqe. Tonaliteti i trishtë dhe detajet e gjetura me kursim japin fundin e dy ushtarëve italianë në vijën e parë të frontit. Humanizmi dhe lirizmi i hollë e mbushin këtë baladë me shkëlqimin e një brenge të madhe. Ushtarët bien një mbi kitarë e një mbi bajonetë. Në ajër mbetem copëza nga melodia e kitarës së huaj dhe tymi i pushkëve dhe i predhave mbi baltën e llogoreve. Kjo poezi, ndër të tjera, pohon atë që shqiptarët i pritën me armë, nuk e pranuan pushtimin italian, por italianët si popull e si kulturë kurrë nuk i urryen.
Për t’u kthyer te ajo cilësi që ua ruan shkëlqimin ende këtyre vargjeve, do të mjaftonte vetëm poezia “Dikur në vjeshtë’. Kjo poezi antologjike, kryevepra e poezisë së Qiriazit, është një romancë. Ajo sjell atë gjendje të sublimes që përmbajnë lirika të tilla, të shkruara para tij, vetëm nga Lasgush Poradeci. Poezia fillon me vargun ‘Një ditë në vjeshtë kur pellgjet ngrijnë…’ dhe në kontrastin e një moti të akullt vjen dashuria për Kristinën, një dashuri “sa kurrë s’desha njeri më’. Vizioni i lartë dhe rrëzëllitës i sublimes si lëndë yjesh përherë në lartësi i kësaj dashuria të bukur mbush botën e njeriut sa ai do të flejë aty përgjithnjë.
Mbase në një kohë të lirisë poeti do të ishte realizuar edhe më shumë në poezi të tilla.
Në fund, përmbledhja ‘Dikur në vjeshtë’ sjell një tufë përkthimesh nda Petrarka, Nekrasovi, Bërnsi. Kjo përmbledhje i bën nder jo vetëm autorit tani që s’është më, por njëherësh është dhe homazh për vlerat e paçmuar të poezisë shqipe.
*Shkrimtar