Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë mbledhur sot për herë të parë në vitin 2021 për të diskutuar mbi ecurinë e punës në vijim dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.
7 gjyqtarët e Kushtetueses janë mbledhur edhe për të diskutuar për zgjedhjen e drejtuesit të ri mes tyre. Kryetari zgjidhet me shumicë votash dhe ka një mandat 3-vjeçar.
Në mbledhjen e sotme është rënë dakord që deri sa të zgjidhet kryetari i ri, Vitore Tusha në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, do të vazhdojë ushtrimin e kompetencave të Kryetarit.
Gjithashtu ai raporton se është marrë vendimi që javën tjetër të nisë shqyrtimi i çështjeve dhe parashikohet që deri në mesin e muajit shkurt do të shqyrtohen rreth 20 te tilla. Po ashtu, siç u paralajmërua në mbledhjen e 29 dhjetorit, nga sot u përcaktua edhe ecuria e punës me kërkesat dhe kalendarizimi i tyre.
Gjykatën Kushtetuese e presin një sërë çështjes të “nxehta” që pritet të sjellin edhe reagime politike.
Në Kushtetuese pritet të shqyrtohet kërkesa e kryeministrit Edi Rama për mosmarrëveshjet me Presidentin Ilir Meta për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.
Rama ka kërkuar interpretimin e pikës 1 të nenit 98 të Kushtetutës, e cila parashikon që “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Mosmarrëveshja u krijua pasi presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretonte Gent Cakaj si ministër të Jashtëm, çka detyroi Ramën të emërohej vetë dhe t’i delegonte detyrën Cakajt.
Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 është një çështje që pritet të marrë vëmendjen e anëtarëve të Kushtetueses pasi opozita i cilësoi si antikushtetuese. Ka qenë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cila korrikun e kaluar ka paraqitur një kërkesë në Kushtetuese dhe kërkon verifikimin e regjistrimit në këto zgjedhje të partisë së re, Bindja Demokratike. Një çështje e nxehtë është edhe prishja e Teatrit Kombëtar.
Në Maj të 2019-s, Presidenti Ilir Meta depozitoi një kërkesë duke ankimuar ligjin për “Shembjen e Teatrit”.