Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, pas tërmetit tronditëse me magnitudë 6.4 ballë, që la pas 51 viktima dhe më shumë se 950 të plagosur.
Në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit morën pjesë edhe shoqatat që po mbledhin fonde, përpos qeverisë. Të pranishëm ishin gazetari Marin Mema, Imami Elvis Naçi, Arbër Hajdari si dhe disa prej ministrave.
Imami Elvis Naçi deklaroi se dy gjëra i vlerëson shumë nga ky komitet, ku e para është transparenca e fondeve, si dhe fakti që do pjesëtarët e këtij komiteti do të kontrollojnë edhe transparencën e njëri-tjetrit.
“Më kanë akuzuar se merrem me politikë, por them këtu se jemi për tjetër gjë. S’kam lidhje me politikën, megjithëse jemi në tryezën e qeverisë. Dy gjëra më pëlqyen jashtëzakonisht, e para se këtu jemi të gjithë të barabartë dhe jemi përpjekur të gjithë për atë që ndodhi. Orë pas ore të gjithë pamë se situata nuk ishte aq e lehtë, por ishte alarmante. Duke qenë në një tryezë të përbashkët shpresoj që ata njerëz të ndihmohen më shpejt. Gjë tjetër e bukur është se jo vetëm që do bëhet transparencë, por ne do të kontrollojmë edhe transparencën e njëri-tjetrit në këtë tryezë”, – tha Elvis Naçi.
“Njerëzit kanë reaguar masivisht. Ky është një moment shumë i vështirë për shqiptarët. Transparenca është tepër e nevojshme në këtë rast. Duhet të jemi afër njerëzve dhe të jemi afër ndaj tyre. Më pëlqen ngritja e këtij Komiteti. Ka pasur raste emergjente kur ka pasur abuzime me fondet. Ne si pjesë e këtij Komiteti do bëjmë maksimumin që të jemi pranë çdo familje që është në situatë të vështirë. Ky Komitet është ngritur për të treguar se Durrësi e Thumana, por edhe zona të tjera janë prekur nga tërmeti e që kanë nevojë për mbështetje. Këtu jemi për diçka që shkon përtej politikës. Të ndihmuarit e shqiptarëve shkon përtej politikës. Ky moment duhet të na bëjë bashkë e për të na bërë më të fortë”, deklaroi gazetari Marin Mema.
Kryeministri Edi Rama kërkoi që të gjitha fondet e mbledhura të bashkohen për rindërtimin e banesave.
“Edhe buxheti i shtetit, ajo pjesë që do të vendoset në funksion të programit, duhet të jetë i monitoruar nga transparenca. Po ashtu edhe fondet e mbledhura nga organizatat e solidaritetit, edhe pjesët e dhuruara nga miqtë e Shqipërisë, duhen shpërndarë me transparencë. Fondet e mbledhura nga organizatat të bashkohen me fondet e mbledhura nga qeveria. Do doja të ishte këtu edhe opozita dhe janë të mirëpritur, pasi këtu nuk kemi çfarë të ndajmë, por ajo që do doja të ndanin me mua është barra kolosale e kësaj sfide, për të garantuar sukses“, – tha Rama