Një tjetër protestë e paralajmëruar, e katërta në radhë që nisi si revoltë pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha. Thuhet se komisariatet e Tiranës, nuk kanë më vend për të ndaluarit nga policia dhe ata po dërgohen drejt Kavajës.
Gjithashtu mbrëmjen e kaluar, për të njëjtën arsye, të shoqëruarit nga policia në Tiranë u dërguan në Durrës për shkak të kapaciteteve.
Dukej se sot Policia e Shtetit kishte marrë masa për të mos lejuar shkatërrime e dëmtime në kryeqytet. Ashtu si protestuesit, edhe policia është ndarë në grupe të vogla duke ndjekur të rinjtë.
Në protestë u përdor gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat.
Këmba-këmbës, Forcat Speciale ndiqnin dhe shoqëronin kë të mundnin, madje në media u raportua edhe për një 13-vjeçar.