Aktualitet

Mbushen raftet e bibliotekave dhe trotuaret me libra që të ngjallin trishtim














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:50 - 07/11/20 |
mapo.al

 Intervistë me shkrimtarin e njohur Virion Graçi






Bashkebisedoi Mark Simoni


1.A mendoni se shkrimtarët tanë të sotëm e kanë përdorur mirë dhe sa duhet lirinë e të shkruarit, apo letërsia jonë ka mbetur si reminishencë e mënyrave dhe formave të vjetra?







Dikur dorëshkrimi dhe krijimtaria artistike në tërësi trajtoheshin krejt ndryshe nga tani, jo nga ana e autorit, por nga ana e editorisë; ndërmarrja e botimeve ishte e shtetit dhe shteti kishte disa standarde idelologjike-politike si vija të kuqe të cilat duhej t’i respektoje, ose të paktën të mos i shkelje. Një dorëshkrim a vepër arti e pëlqyer nga redaksia përkatëse të çonte në publik duke të dhënë njohje të menjëherëshme në mbarë vendin; një mospëlqim mund të të kushtonte edhe heqjen e të drejtës së botimit, heqjen e lirisë, burgosjen.



Mbas rënies së atij sistemi editorie njerëzit janë të lirë të zgjedhin botues, të shkruajnë duke zgjedhur metodë ose ashtu, intuitivisht, me vullnetin e tyre, spontanisht, këmbëngulshëm të kristalizojnë hap pas hapi stilin e tyre, individualitetin e tyre. Natyrisht që ka ndryshuar rrënjësisht letërsia, jo vetëm mënyra si shikohen e trajtohen dukuritë e jetës njerëzore e të individit, por edhe nga mënyra e të shkruarit. Janë rinovuar e përsosur mjetet shprehëse si dhe vetë koncepti për letërsinë. Dua të nënvizoj se letërsia, nga njëra epokë te tjera, nga njëri brez krijuesish te tjetri pasurohet nëpërmjet prurjeve të reja e jo nëpërmjet mohimit, agresionit verbal apo adminitrativ ndaj trashëgimisë, sado e afërt apo e largët qoftë ajo prej çastit të gjykimit subjektiv.



Ҫfarë është e dobët, e pavlerë, jo vitale, pastrohet shpejt nga rrjedha e kohës, ngelen vetëm majat e larta, një peizazh i pandërprerë veprash dhe autorësh të cilët  i përkasin çdo kohe. Nga ana tjetër nuk besoj se ka mënyra të vjetëruara shprehjeje dhe tema të vjetëruara. Rinia e përjetëshme a anakronizmi i tekstit letrar varet nga talenti i shkrimtarit: mund të eksperimentosh a të aplikosh forma avangardiste të shprehjes letrare, por disfata, kotësia e sipërmarrjes është e dukshme nëse të mungon historia, personazhi, ngjarja/ngjarjet. Pa një përmbajtje domethënëse jetësore/psikologjike/filozofike e sociale, çdo eksperimentim stilistikor  a shpikje konceptuale bëhet e panevojshme, mbase dhe qesharake, në vetvete.

2.A mendoni se leksiku dhe gjuha shqipe ka mjaftueshmërinë dhe është e plotë për të mbajtur e përballuar përkthimet e veprave të mëdha të letërsisë botërore?

Pa diskutim gjuha jonë shqipe i ka dhënë provat se i përballon kryeveprat letrare të njerëzimit. Në të folmen gege janë mirë e bukur disa nga klasikët e antikitetit, për të veçuar vetëm kryesprovat e suksesshme të gegnishtes; në të folmen toske ke përveç disa kryeveprave të antikitetit edhe letërsinë e rilindjes europiane, ke klasicizmin, romantizmin, iluminizmin, realizmin kritik, natyralizmin, simbolizmin.

Nga çdo gjuhë e botës, të folmet e shqipes e kanë përballuar dhe e përballojnë çdo kryevepër, mjafton të jetë përkthyesi në lartësinë e duhur. Ndoshta te përkthimet nga literatura shkencore si filozofi, sociologji, letërsi, etj mund të bëhet një unifikim e saktësim termash në gjuhën shqipe, sepse shpesh disa zgjedhje bëhen në varësi të gjuhës nga po përkthen: themi karakteri, kur përkthejmë nga anglishtja e personazhi, kur përkthejmë nga frëngjishtja.

3.Cilat mendoni se janë disa nga sëmundjet apo patologjitë e letërsisë së shkruar sot tek ne?

Lehtësia e botimit dhe e vetëbotimit, pra, botimi me kriter të vetëm lekët e autorëve, ështësëmundje, është epidemi e cila po kompromenton dhe turpëron gjithë procesin letrar, letërsinë e cilësore dhe botuesit profesionistë që përpiqen t’i ruajnë standardet. Para se të botohet, duhet që dorëshkrimi i librit të ardhshëm ta fitojë vetiu dashurinë e lexuesit të parë: Redaktorit botues, në atë masë sa ai të japë pëlqimin e vet të botuesi që do të investojë për të, e kundërta, duke u vetësponsorizuar turli shkarrashkrimesh, mbushen raftet e bibliotekave dhe trotuaret me libra që të ngjallin trishtim, mërzi, skepticizëm te letërsia shqipe.

4.Letërsia sot është shumë e populluar nga grafomanë, autorë të dobët, mitomanë të pandreqshëm, shkrues pa kulturë dhe standarte shkrimi, vargëzues bejtesh të rëndomtë, etj. A keni ndonjë këshillë apo ç’fjalë do iu drejtonit atyre?

Unë ju drejtohem në formën dëshirore botuesëve: mos botoni libra vetëm pse ju parapaguan dikush për botimin e tyre. Nëse editoria letrare do të ishte vetëm çështje lekësh, çështje grumbullimi lekësh, ju mund të kishit zgjedhur me kohë një profesion më lekësjellës, mos e kompromentoni misionin tuaj fisnik. Jeni i vetmi filtër që e mban të pastër panoramën tonë letare-kulturore, silluni si mësues e emancipues të shoqërisë shqiptare, si edukatorë e kultivues të shijes së mirë estetike.

Ju dretjohem edhe katedrave ku ligjërohet letërsia shqipe:  mos u bunkerizoni në tarafe shoqërish, krahinash dhe qokash reciproke: pavarësisht pëlqimeve subjektive, respektoni faktet letrare, respektoni punën e dalluar dhe ndihmesat e pamohueshme të secilit shkrimtar, nëpër dhjetëra vite. Një katedër e letërsisë shqipe (në Gjirokastër, Vlorë, Tiranë, Shkodër, Korçë, Tetovë, Prishtinë) duhet të jetë katedër ku të ligjërohet e gjithë letërsia shqipe e jo vetëm disa autorë nga qyteza përkatëse. Ju drejtohem edhe institucioneve të vlerësimit periodik të letërsisë artistike: jepni çmime për merita të veprës, jepni çmime vlerash letrare-estetike, mos i bëni qesharakë e të përçmueshëm bilancet tuaja, trofetë që ju shpërndani…

5.Ҫ’emra dhe vepra të mira të viteve të fundit do të përmendnit ju? Përse mendoni se janë pikërisht këto shkrimtarë dhe këto libra të tyre që ia vlejnë për t’u përmendur?

Për disa nga romanet që më kanë rënë në sy për mirë kam shkruar. Ka dhe disa romane të bukur për të cilët ende nuk e i kam gjetur fjalët e duhura, për shembull, Gjumë mbi borë, I Ridvan Dibrës… Kemi autorë të konsoliduar prej gati 3 dekadash si K. Mehmeti, A. Tufa, R. Dibra, M. Meksi, P. Palushi, F. Açka, R. Gjini, A. Leka, D. Taçi, S. Ҫapaliku, R. Erebara, B. Blushi, P. Teferiçi, G. Ҫoçoli, G. Zela, etj. Kemi po nga ky brez shkrimtarë që kanë nisur të botojnë pak më vonë, por kanë lënë gjurmë të forta qysh me 2-3 librat e parë si Th. Medi, A. Vebiu, Gj. Mihallari, M. Hysa, T. Kuka/Enkel Demi, etj. Kemi autorë të rinj me disa libra të bukur secili si Gëzim Aliu, Adil Olluri, Donika Dabishevski, etj, sikurse kemi edhe më të rinj që kanë trokitur fort e bindshëm në dyert e letërsisë sonë sikurse janë Anderas Dushi, Liridon Mulaj, Belfiore Qose, Manjola Brahja, Braian Suka, Eris Rusi,etj. Lista është me mungesa, me siguri, e ardhmja do të na e shkruajë epitafin.

6.Na flisni pak për letërsinë tuaj sot, dhe çfarë veprash do të presë lexuesi nga emri juaj?

Këto ditë del te “Onufri” romani im “800 hapa larg Venerës”. Është rrëfim shpirtëror e nëpërmjet një shpirti për dashurinë, për erosin, për vdekjen fizike të njeriut dhe për jetën e parë nga përjetësia. E kam mbajtur në sirtar që nga viti ‘95 si diçka që doja ta ripërjetoja më vete. Sivjet vendosa t’ia jap lexuesit. Besoj se shkon shumë me gjendjen e përgjithëshme shpirtërore  të njeriut bashkëkohor kur të gjithë, në mënyrat tona jemi bërë edhe meditues, edhe fatalistë, edhe autoironikë, edhe relativizues të disa kategorive bazike të jetës tokësore…

Në qarkullim janë dhe botimet e tjera të miat. Me sa di, kërkohen nga lexuesit, komentohen pozitivisht, qarkullojnë kudo ku lexohet shqip. Gjatë pranverës së hidhur që lamë pas shkruajta një roman të cilin do ta rishoh nga pranvera tjetër. Në vitet kur nuk do të kem tituj të rinj, pra, kur nuk do të kem dorëshkrime të pabotuara, në harmoni me parashkimet e gjykimet dashamirëse të botuesit, mund të ribotojmë ndonjë nga titujt e mi debutues, të dikurshëm. Kam lënë padrejtesisht pas dore poezitë e mia, me të cilat kam hyrë në skenën letrare shqiptare në vitin ’91. Besoj se e kam një libër jete me poezi të zgjedhura, krahas librit që kam botuar në v.’93 “San Valentino”. Kam dhe dy dorëshkrime romanesh që presin për t’u parë nga unë, për t’u bërë gati për ndonjëherë.

7- Panairi i librit sivjet është në një format të ri. Si ju duket?

E kam seriozisht: kjo mënyrë më pëlqen, me pak ndryshme do ta rekomandoja edhe sikur kushtet të ishin normale. Kam qenë dikur në panairin e Vjenës dhe më bëri përshtypje të mirë fakti se nuk ishte I përqëndruar në një vend, por i shpërndarë nëpër pika të ndryshme të atij qyteti: në çdo vend gjeje programin ku të tregohej vendi e ora ku kishte lexim publik ose bashkëbisedim me publikun X shkrimtar, X kritik apo personazh i njohur i botës së letrave dhe zghidhje të shkoje ose jo mes një audience, realisht e interesuar.

Këtu te ne hapësira për panair libri ka funksionuar më shumë si shëtitore, si librari e përkohëshme se sa si vend dialogimi, me thënë të drejtën. Sivjet nuk do të ketë turma, zhurmë, masivizim, mijëra vizitorë që hyjnë e dalin me duar në xhepa; nuk do të ketë fotografime e autografë, por shpresoj se komunikimi në distancë, me përzgjedhje nga vetë shoqata e botesëve shqiptarë, do t’i ndihë cilësisë,  elitarizmit, qasjes serioze ndaj librit, ndaj autorit dhe ndaj çështjeve të editorisë, në përgjithësi.

8- Fati i librit shqiptar?

Fati i librit shqip është i lidhur me fatin e shoqërisë së cilës i drejtohet. Një shoqëri e gjunjëzuar nga plagë të rënda ekonomike, një shoqëri me sistem arsimor në dobësim e sipër, një shoqëri e zbehur deri në zgrip nga migrimi, emigrimi, nga mplakja e popullsisë, pak është e prirur ta ketë librin artistik në përparësitë e tij. Këtyre faktorëve përkeqësues e përcaktues iu shtohen të këqijat që i vijnë librit/letërsisë nga vetja, nga letërsia e dobët, nga promovimi tallava i letërsisë tallava dhe artit tallava duke heshtuar dhe shpërfillur letërsinë e mirë, autorët e rëndësishëm; të talentuarit në art nuk janë zakonisht të talentuar edhe në zaptimin e hapësirave promovuese-burokratike të cilat i kapin dhe i monopolizojnë, zakonisht, letrarë të dështuar, të prirur të urrejnë e të lëndojnë ata që janë produktivë aty ku ata vetë patën dështuar pa lavdi.

Sikur ta kishim tregun e librit numerikisht të bollshëm, autoriteti dhe mbarëvajtja e librit shqip nuk do të kishte ndjeshmëri ndaj politikave kulturore e faktorëve jashtë letrarë, nuk do t’ia dinte për hierarkitë e përkohëshme të shpallura në gazeta e studio televizive; në një treg numerikisht të madh do të kishte hapësirë e frymëmarrje për çdo lloj libri, për çdo tipologji shkrimi letrar. Por ja që jemi pak njerëz dhe po pakësohemi përditë. Gati për çdo vit, ne shqiptarët e Shqipërisë humbasim nga 35-45 mijë banorë të rritur, të cilët emigrojnë. Kjo është sikur çdo vit të zhdukej nga harta jonë demografike një qytet sa Korça e dikurshme: tragjedi kombëtare.

E të ngelurit këtu i kanë të ardhurat për frymë në nivele skandaloze. Që nga Aristoteli e dimë se artin nuk e shijon dot popullsia fatkeqe, nuk e përjetojnë dot normalisht njerëzit në dert, e as fatlumët e mëdhej, por një shtresë e mesme e cila mund të bashkërendohet shpirtërisht me heronjtë letrarë. Te ne kjo shtresë është duke rrëshkitur poshtë, është duke u pakësuar, duke u tretur mes shtresave në nevojë. Tjetër faktor pengues për ecurinë dhe rolin e librit shqip ndër ne mund të jenë format alternative të zbavitjes e të vrasjes kolektive të kohës si platformat televizive, rrjetet sociale, shfaqet banale të televizioneve, me audiencë të parapaguar për të duartrokitur e për të bërë biz me gjërat vulgare që luhen para syve të tyre, në transmetim direct. Paraja e madhe fabrikon shfaqe banale, prodhon e ushqen performues banalë të cilët i mësyjnë orët e lira të njerëzisë, pa shmangshëm. Për rrjedhim, duhet ta kemi të shenjtë çdo libër të bukur, çdo autor të vleshëm.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas