Tiranë Dy muaj pas aksidentit ku humbi jetën 28-vjeçarja Brunilda Pinderi, Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzë drejtuesin e automjetit “Mini Cooper”, Eduard Lika, i cili u përplas me automjetin e drejtuar nga Ledion Ruçi, djali i deputetit socialist Gramoz Ruçi. Në përfundim të hetimeve të bazuara në akt-ekspertimin përfundimtar të policisë rrugore, por edhe në pamjet e marra nga kamerat e një biznesi privat në rrugën e Elbasanit, prokuroria ka ngritur akuzë vetëm për Likën, i cili aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg”. Dosja penale ndaj Likës tashmë është dërguar në Gjykatën e Tiranës, ku i pandehuri do të përballet me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e 28-vjeçares Brunilda Pinderi. Burime pranë prokurorisë thanë se përfundimi i hetimeve është bazuar në akt-ekspertimin teknik të përpiluar nga ekspertët e policisë rrugore, të cilët kanë nxjerrë fajtorë drejtuesin e mjetit tip “Mini Cooper”, ku ndodhej si pasagjere edhe 28-vjeçarja që humbi jetën. Sipas prokurorisë, një nga elementët më të rëndësishëm të hetimit, përveç dëshmive të personave që gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes është edhe një regjistrim video, i cili tregon se “Mini Cooper” i drejtuar nga Eduart Lika është futur në semafor me të kuqe. Kjo video është marrë nga kamerat e një agjencie të këmbimit valutor, e cila ndodhet pak metra larg vendit ku ndodhi aksidenti në kryqëzimin e rrugës së Elbasanit me Unazën. Pamjet filmike ndër të tjera kanë fiksuar edhe semaforin, si dhe përplasjen fatale për jetën e 28-vjeçares. Vetë i pandehuri Eduart Lika ka deklaruar se fillimisht ka respektuar rregullat e qarkullimit duke ndaluar në semaforin e kryqëzimit të rrugës së Elbasanit. Sipas tij, vetëm pak çaste më pas dy vajzat që kishte si pasagjere në “Mini Cooper” i kanë thënë të nisej pasi semafori u hap. Në këtë pjesë të dëshmisë Lika nuk ka qenë i sigurt, duke deklaruar se pasi është nisur, e ka parë edhe ai vetë që kishte të drejtën e kalimit. Në këtë moment janë goditur nga automjeti tip “BMW X6” që drejtohej nga Ledian Ruçi, djali i deputetit socialist, Gramoz Ruçi. Menjëherë pas ngjarjes, prokuroria urdhëroi kryerjen e një akt-ekspertimi, i cili u konsiderua paraprak. Ekspertiza paraprake e policisë nuk ka mundur të përcaktojë se cili nga dy drejtuesit e mjeteve ishte fajtor. Në raportin paraprak eksperti Mark Gjonpalaj është shprehur se si shkak determinant për ardhjen e pasojës ka qenë shkelja e rregullave nga njëri prej dy mjeteve, por pa mundur të përcaktojë se cili prej tyre. Në të njëjtin akt-ekspertim, eksperti është shprehur se nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë shpejtësinë me të cilën kanë qenë mjetet para përplasjes fatale. Sipas ekspertit, një gjë e tillë nuk është ka qenë e mundur, pasi në vendngjarje nuk janë konstatuar gjurmë frenimi nga asnjë prej automjeteve të përfshira në aksident. Por ky raport është pasuar nga një tjetër akt-ekspertimi përfundimtar, i cili sipas burimeve ka nxjerrë fajtor për aksidentin drejtuesin e mjetit “Mini Cooper”, Eduard Lika.