Autoritetet e Kosovës i njoftuan qytetarët se Shqipëria ka ndaluar hyrjen e përkohshme në territorin e saj për të gjithë shtetasit dhe veturat nga Kosova.
Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit (QKMK) që funksionon në pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka njoftuar se duke filluar nga data 13 mars 2020, në ora 06.00, do të ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë për të gjithë shtetasit, përkatësisht të veturave nga Republika e Kosovës.
“Kjo masë do të zgjasë deri më datën 15 mars, 2020 në ora 24.00”, thuhet në njoftim.
Gjithësesi, do të lejohet vetëm hyrja e veturave të institucioneve shëndetësore dhe të ndihmës së shpejtë, automjeteve tregtare dhe të mjeteve qeveritare.
Në të kundërt, qeveria shqiptare nuk ka marrë të njëjtat masa për kufirin me Greqinë, ndonëse ky vend ka regjistruar mbi 100 të infektuar.
Në kuadër të masave shtrënguese që ndalojnë qarkullimin në Shqipëri, Tirana zyrtare vendosi ndalimin e qarkullimit të mjeteve publike dhe atyre private në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier dhe Vlorë.
Reagon policia e Shtetit: Në Morinë vijon qarkullimi normal
Pas këtij njoftimi, policia kufitare mohoi mbylljen e përkohshme të pikave të kalimit me Kosovën. Sipas saj, të gjitha pikat e kalimit me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, janë funksionale dhe vijon përpunimi i dokumentacionit të qytetarëve dhe automjeteve, duke respektuar dhe zbatuar masat e marra për mbrojtjen nga COVID-2019, si dhe për parandalimin e përhapjes së tij.
Pika e Kalimit Kufitar në Qafë Botë, Sarandë, është funksionale. Për momentin, pika nga pala greke është e mbyllur sepse po kryejnë dizinfektimin dhe menjëherë në përfundim të dizinfektimit, edhe nga pala greke do jetë e hapur.
Policia e Shtetit këshillon që qytetarët të minimizojnë lëvizjen me mjete në qytetet ku është ndaluar qarkullimi apo në drejtim të qyteteve ku ka Pika Kufitare.
Kosova ende imune ndaj koronavirusit
Kosova është një nga pak vendet e botës që vazhdon të qëndrojë e paprekur nga koronavirusi.
Qeveria ka vendosur ndalimin e frekuentimit të mjediseve me shumë njerëz dhe qytetarët i shohin si të nevojshme dhe në kohë të duhur këto masa, duke pasur parasysh se rastet me koronavirus po rriten në rajon dhe më gjerë.
Sokol Krasniqi, qytetar i Prishtinës, thotë se përveç masave të ndërmarra nga qeveria, janë edhe vetë qytetarët që të duhet t’i kushtojnë rëndësi higjienës personale.
“Qeveria ka marrë një vendim në kohen e duhur, sepse shpesh ne si qytetarë mund të ankohemi me vendime që qeveria i merr në kohëra optimale, por kur gjërat ndodhin. Në këtë rast qeveria ka vepruar drejt në marrjen e masave që parandalojnë shfaqjen e një rreziku që tanimë është shumë evident dhe nga organizata botërore e shëndetësisë është shpallur si pandemi”, deklaroi Krasniqi.
Qytetarët thonë se qeveria duhet të ndërmarrë masa kundër marketeve dhe farmacive për shkak të ngritjes së panevojshme të çmimeve.
“Fajtor është qeveria, jo bizneset sepse do të duhej që në të njëjtin vend kur merren vendimet e arsyeshme, të merren edhe vendime të tjera sanksionuese që janë raste të veçanta siç janë rasti i shfaqjes së pandemive apo krizave të luftës që janë ligje të veçanta që e mbulojnë këtë fushë, jo vetëm duke u bazuar në etikën e personave që merren me këtë profesion që ta shfrytëzojnë nganjëherë për shkak të mungesës së informimit apo informimit të tepërt”, tha Krasniqi.
Qytetari Isuf Musliu thotë se pavarësisht panikut të përhapur për shkak të koronavirusit, të gjithë qytetarët duhet të tregojnë kujdes sa i përket higjienës.
“Asnjë masë personalisht nuk e kam marrë, duhet me u ruajt përpara, me marrë masa edhe pa ra koronavirus dhe sëmundjet tjera ngjitëse. Tash na kanë shqetësuar, por nuk kemi ku shkojmë. Ka vende edhe më të zhvilluara që nuk kanë çka të bëjnë. Kot izolohemi, kot nuk ja japim dorën njëri-tjetrit…Por, tash nuk ka shpëtim, duhet ruajtur, duhet paraqitur në spitale. Spitalet duhet të punojnë, sepse pa punuar nuk mbahet higjiena”, tha Musliu.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se deri më 27 mars, të gjitha institucionet shkollore do të mbyllen si masë e parandalimit të koronavirusit, ndërsa ka apeluar qytetarët të kenë kujdes të shtuar dhe të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje e rrezikshme.
Në Shqipëri numri i personave të prekur me koronavirus ka arritur në 33, ndërsa një person ka humbur jetën. Ndërkaq, në Kosovë deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.