Nga Miron Çako
Është me të vërtet për tu përshëndetur dhe mbështetur nisma e qeverisë, që sipas Kryeministrit z. Edi Rama, nga data 1 Janar 2019, do të pushojnë së fuksionuari kazinotë elektronike së bashku me bastet sportive dhe çdo llojë forme e këtij fitimi si lojra fati, në qendrat e banuara të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Për Kishën Orthodhokse lojrat e fatit janë në kundërshtim me moralin e krishterë, që kndërshton çdo fitim të pandershën në dëm të qytetarit, familjes edhe shoqërisë, për këto arsye gjejmë rastin t`i përsërisim, ashtu si shumë herë i kemi thënë publikisht.
Pavarësisht se lojrat e fatit duken si argëtim ato në vetvete janë shkak i shumë fatkeqësive shoqërore, sepse:
1. Zakonisht në këto lojra lozin edhe rezikojnë më shumë njerëz që i kanë paratë të fituar në mënyrë të lehtë, abuzive, me vjedhje, drogë, prostitucion, tregti e pandershme, krime etj. Kjo nxit kriminalizimin e shoqërisë dhe një ekonomi informale.
2. Personat që bien viktima në spiralen e lojrave të fatit janë të të gjitha shtresave të shoqërisë, duke filluar nga të pasurit, shtresa e mesme, të varfërit, që pothuajse të gjithë humbasin dhe varfërohen, kurse të varfërit humbin edhe lekët e bukës.
3. Ajo që vihet re në lojrat e fatit është se më shumë luajnë të rinj, sepse vetë mosha i bënë të jenë aventurier, që dëshirojnë të fitojnë para pa punuar, duke u rritur si një brez dembelesh dhe të pa aftë për punë të ndershme dhe profesionale.
4. Humbja e parave vazhdimisht në lojrat e fatit, sepse shumë herë fiton makina edhe pak herë lojtari, sjell vështirësi ekonomike, produktivitet të ulët të punës, humbje të punës, falimentim biznesesh, prishje të marrëdhënieve në çift dhe familjen. Kumari ndikon në 8 % të divorceve në Shqipëri.
5. I kapur në vartësinë patologjike lojtari i “fatit” me çdo kusht kërkon të rikuperojë humbjet e njëpasnjëshme, duke besuar fort se këtë herë do të fitojë paratë që ka humbur, pastaj do ta lërë. Por kjo nuk ndodh, ose shumë rallë. Në përgjithësi lojtarët hyjnë edhe s`dalin dot për gjithë jetën, tentonjnë të shkëputen nga kjo vartësi, por e kanë të pamundur.
6. Lojtari, që humbet zakonisht, zhytet akoma më shumë në borxhe. Dhe për të rifituar paratë e humbura bie në mashtrime, vjedhje deri në krime. Rëzohet në dëshpërim, depression deri në vetëvrasje. Gjithashtu statistikat e vartësisë nga kumari tregojnë një zhvillim të lartë të llojeve të caktuara të sëmundjeve mendore, disa prej të cilave përfshijnë: çrregullime depresioni, çrregullime ankthi, çrregullime të përdorimit të substancave narkotike, çrregullimi anti-social i personalitetit. Kjo vartësi patologjike i ngjan vartësisë së abuzimit me substanca narkotike dhe pijeve alkoolike, që janë të lidhura me njëra- tjetrën, dhe kështu bëhet një reth vicioz për lojtarët e kumarit.
7. E gjitha kjo tregon “fatin” e keq të lojrave të fatit, që premtojnë para qyl, por në të vërtetë nuk janë gjë tjetër veçse një kurth ku të çon lakmia për para. Shkrimi i Shejntë këtë lakmi e quan shkakun e gjithë të këqijave: “Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe duke e lakmuar atë fortë, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë fatëkeqësi.”(Timotheu 6:10)
8. Përvoja shekullore e njerëzve që duan të dalin nga kurthi i lakmisë, duke qenë të varur nga lojrat e fatit, kumari, lloto, bastet etj, tregon se rruga më e mirë dhe e sigurt është të besosh te Zoti i Gjithëpushtetshëm, të pendohesh dhe t`i kërkosh ndihmë për t`u çliruar nga kjo vartësi patologjike dhe të punosh me ndershmëri, sepse “Ajo që është e pamundur për njerëzit është e mundur për Perëndinë” ( Luka 18:27).
Kisha Orthodhokse që lutet gjithmonë për qeverinë dhe mbarvajtjen e vendit, për një shoqëri me vlera morale, larg vesit, lakmisë për para, lutet edhe mbështet këtë nismë të qeverisë, për të korigjuar një gabim të toleruar deri tani, që solli shumë fatkeqësi edhe viktima në qendrat e banuara në Republikën e Shqipërisë.
Miron Çako, përgjegjësi i Zyrës Katekizmit pranë Kryepiskopatës KOASH Tiranë