Aktualitet

Mbyllja e listave/ Modeli i Ramës, sa më shumë mandate më pak vota








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:09 - 25/09/20 |
mapo.al

Në rast se do bënim një llogaritje të mesatares kombëtare të votave, rezulton se edhe sot Rama kontrollon 74 mandate me 89 mijë vota më pak. Shifra prej 764 mijë votash që mori në 2017-ën, në sistemin proporcional kombëtar do mjaftonte vetëm për 66 mandate. Prandaj, mbylljen e listave dhe ndalimin e koalicioneve me ligj, njësoj si në vitin 2017, e sheh si të vetmen rrugë për të dalë forcë e parë me votat që i kanë mbetur. Pse numri prej 74 mandatesh është i pamundur për t’u arritur nga PS në 25 prill 2021.


Nga Armand Maho


Me listat e mbyllura dhe ndalimin e koalicioneve, Rama shpreson që me pak vota të mbajë pushtetin. Ai e di se pa votat e LSI nuk do ishte në pushtet as në vitin 2013 dhe as në vitin 2017. Kjo të paktën rezulton nga përllogaritjet e rezultateve të nxjerra nga dy zgjedhjet e fundit. Ndalimi i koalicioneve, ndalon maksimizimin e votave, dhe PS aktualisht në bazë të një herësi kombëtar rezulton se ka 74 deputetë të marrë nga zgjedhjet e 2017, me gati 89 mijë vota më pak se duhen. Në fakt rezultati është akoma më i thellë, por gazeta MAPO në numrin e nesërm do japë një panoramë më të qartë se sa çuditshëm kanë lëvizur votat në çdo qark.


Viti 2017


Në zgjedhjet e vitit 2017 morën pjesë 1.613 milionë persona ose diçka më shumë se 135 mijë persona më pak se katër vite më parë, së bashku me 180 mijë persona që ishte shtesa në lista për shkak të personave që mbushin 18 vjeç, numri i munguar shkonte në rreth 315 mijë persona. PS shënoi një rritje me 50 mijë vota, ndërsa PD me aleatët që futi në lista një rënie me gati 150 mijë vota, pa llogaritur këtu votat e PDIU dhe PBDNJ, pasi e para doli më vete, ndërsa PBDNJ në atë kohë garonte në koalicionin e majtë. Mesatarja kombëtare, për të arritur një mandat, në vitin 2017, sipas përllogaritjeve është rreth 11528 vota, e mjaftueshme që Rama të merrte vetëm 66 mandate. Por, e favorizuar nga përllogaritja në qarqe dhe shpërdorimi i votave që u bë si pasojë e daljes më vetë të koalicionit të sotëm opozitar, ai arriti të merrte i vetëm 74 mandate. Si për habi, është numri që ai kërkon sërish sot, por duke e rritur shifrën në 800 mijë vota, dhe jo me 764 mijë vota që mori në vitin 2017.


89 mijë vota më pak

Por sa vota do i duheshin Ramës, që herësi kombëtar ta favorizonte për të arritur numrin 74 të votave, në vitin 2017, gjithmonë në bazë të mesatares kombëtare. Sipas një përllogaritjeje PS në bazë të atij sistemi që ishte i nevojiteshin 853 mijë vota ose 89 mijë vota më shumë se aktualisht. Kjo pasi mesatarja me votat që ka aktualisht, çdo mandati i ka rënë 10300 më shumë se 1200 vota nga mesatarja kombëtare. Natyrisht, proporcionali rajonal imponon përllogaritjen për çdo qark, por gjithsesi në zgjedhjet e atij viti më e pakta që mund të ndodhte ishte fakti se nuk do të formonte dot qeverinë, pasi rezultati do ishte shumë i ngushtë mes PS që doli e vetme në zgjedhje dhe koalicionit opozitar të bashkuar, që grumbulloi rreth 770 mijë vota.

Firot e PS

Rama e pranoi dhe vetë se ka firo në elektorat, pra minimumi s’do mund të arrijë dot as numrin e votave që mori në vitin 2017. Në fakt edhe në këtë vit ka pasur një çoroditje elektorale. Dëmi që i është bërë opozitës nga manipulimi është shumë i madh pasi vetëm diferenca me 2013-ën është rreth 14 mandate. Edi Rama, ka shpresë të mbijetojë vetëm duke vulosur me ligj modelin e atij viti, dhe ka gjetur një formulë që vetëm lista të hapura nuk mund të quhen. Natyrisht, që të arrijë shifrën e kërkuar do duhet të përsërisë dhe një herë panoramën që shfaqet në dosjen 339 me bandat e Shijakut, apo dhe dosjen 184 të zgjedhjeve të pjesshme në Dibër. Por, duket se qëndron para dy vështirësive. E para këto pritet të jenë zgjedhjet më të vëzhguara në histori, për shkak dhe të kushteve që ka vënë BE-ja, dhe e dyta ka të bëjë me një PD që po hedh në fushë figura që po i voton vetë baza dhe që ka mbrapa një koalicion partish të konsoliduar, që është dhe një garanci më shumë për ruajtjen e votës.


Etiketa: , ,

Pas